Shtatë të vdekur në një minierë thëngjilli në Kinë

  • 16 December 2018 - 10:58
Shtatë të vdekur në një minierë thëngjilli në Kinë

Mediet shtetërore kanë raportuar se shtatë minatorë kanë vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar në një aksident të ndodhur në një minierë thëngjilli në pjesën jug-perëndimore të Kinës. Aksidenti ndodhi rreth orës gjashtë të mbrëmjes pasi një rrip që bart thëngjill u këput, duke bërë që të rrëzohej një shtyllë mbështetëse.

Aksidenti ndodhi në komunën Chongqing, ndërsa tre të lënduarit u dërguan me urgjencë në spital për trajtim të mëtutjeshëm. Shkaktari i vërtetë i aksidentit është akoma duke u hetuar. Aksidentet me viktima në miniera janë mjaft të shpeshta në Kinë, ku industria ka kushte të dobëta sigurie, pavarësisht përpjekjeve shtetërore për t’i përmirësuar kushtet e prodhimit të thëngjillit dhe për t’i mbyllur minierat ilegale.

Në tetor të këtij vitit, 21 minatorë humbën jetën në provincën Shandong, pasi shtypja e lartë në minierë e kishte shkaktuar thyerjen dhe rënien e gurëve, me ç’rast ishte bllokuar tuneli për dalje dhe i kishte ngujuar minatorët. Vetëm një minator ishte shpëtuar i gjallë nga ky aksident. Kina është prodhuesja më e madhe e thëngjillit në botë. Vetëm gjatë vitit 2017, raportohet se në miniera të thëngjillit në Kinë e kanë humbur jetën 375 minatorë, shkruan “The Guardian”

(Kosova Sot)