Lepaja: Gara për merita, e padinjitetshme

  • 16 December 2018 - 15:26
Lepaja: Gara për merita, e padinjitetshme

Analisti politik Fadil Lepaja, për gazetën " Kosova Sot", thotë se padyshim Ushtria e Kosovës ishte hallka institucionale, e cila i mungonte Kosovës, në rrugën e saj të të bërit shtet.

“Këmbëngulja e kryeministrit Haradinaj dhe lobit shqiptar në SHBA, bënë që kjo ngjarje të ndodhë, përkundër rezervave që kishte qoftë në politikën kosovare, qoftë tek vendet e BE-së, madje edhe NATO-s, rreth momentit kur po krijohet dhe  tensioneve që po shkaktohen në relacion me fqinjin tonë verior dhe përkrahësit e saj në skenën ndërkombëtare, sidomos Rusisë”, u shpreh ai. “Qëndrimi paluhatur i SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe disa vendeve të tjera të rëndësishme në NATO, përkundrejt kërcënimeve nga jashtë dhe hezitimeve të disa vendeve brenda vetë NATO-s, po e bën realitet Ushtrinë e Kosovës. Kjo bëri që skena politike e Kosovës të jetë unike rreth kësaj çështjeje dhe të jenë të gatshëm që ta votojnë këtë në Parlament, si kanë deklaruar të gjitha subjektet shqiptare”, vijoi më tej Lepaja.

“Gara se kush do të fotografohet më parë me uniformë, edhe pse shumë prej tyre kishin qenë destruktivë në këtë proces, është e padinjitetshme, përfshirë këtu edhe presidentin, i cili në nguti për të mbërritur  i pari para kamerave për të marrë publicitetin dhe meritat, si duket nuk arriti të gjejë edhe pjesën e poshtme të uniformës”, vlerësoi ai.

Ai thotë se Ushtria e Kosovës është vazhdimësi e politikës institucionaliste  të shqiptarëve gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila më vonë u transformua në TMK dhe FSK, për të marrë përfundimisht formën përfundimtare që e ka sot.

 (Kosova Sot)