'Amazon' lanson planin për shtimin e njohjes së fytyrës te zilet e derës

  • 16 December 2018 - 15:55
'Amazon' lanson planin për shtimin e njohjes së fytyrës te zilet e derës

Përdorimi i 'njohjes së fytyrës' nga "Amazon" ka ngjallur frikë nga një e ardhme autoritare, sikur ajo që përshkruhet nga George Orwell. Mbështetësit e privatësisë thonë se, duke përdorë njohjen e fytyrës në zilet e mençura të derës, "Amazon" mund të ofrojë pajisjen perfekte për një mbikëqyrje ekstreme. "Amazon" e bleu kompaninë amerikane "Ring" në fillim të vitit. Kompania e zileve të derës më parë kishte dorëzuar kërkesën për patentim, për të përdorë njohjen e fytyrës në produktet e saj. 

Fotot e dyshimta

Mendohet se kjo teknologji mund të skanojë fytyrat e njerëzve kalimtarë, duke krijuar një databazë të gjerë të emrave dhe njerëzve të pafajshëm. Unioni amerikan i të drejtave qytetare (ACLU) ka kritikuar përfshirjen e njohjes së fytyrës në këto pajisje, duke e quajtur atë 'shqetësues'. Poseduesit e pajisjeve me këtë teknologji do të jenë në gjendje që të shikojnë fotot dhe të shtojnë fotot e kujtdo që duan në databazën e fotove të dyshimta. Nëse njihet fytyra e ndonjë vizitori të padëshiruar, atëherë do të alarmohet policia, e cila pritet të arrijë në vendin e ngjarjes brenda pak minutave. Mbrojtësit e të drejtave qytetare thonë se kjo ndikon në krijimin e një të ardhmeje autoritare.

Në telashe të mëdha

Në shtator ishte bërë e ditur se më shumë se 450 punëtorë të kompanisë "Amazon" kishin kërkuar nga shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Jeff Bezos, që të hiqte dorë nga shitja e kësaj teknologjie kontroverse policisë. Në samitin "Wired25", Bezos, personi më i pasur në botë, mbrojti përfshirjen e kompanisë së tij në kontrata qeveritare, duke thënë se do të gjendemi në telashe të mëdha nëse kompanitë teknologjike ia kthejnë shpinën Pentagonit. Bezos me këtë rast shtoi: 'Ky është një vend i mrekullueshëm që ka nevojë të mbrohet", duke aluduar në SHBA-në.  

 

(Kosova Sot)