Ndërprerjet e rrymës, Qeveria paralajmëron ashpër KEDS'in

  • 16 December 2018 - 19:24
Ndërprerjet e rrymës, Qeveria paralajmëron ashpër KEDS'in

Avni Arifi, shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Qeveria e vendit më nuk do të pajtohet me arsyetimet nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS) për ndërprerjen e energjisë elektrike në vend.

Deklarata e tij vjen pasi në komunën e Fushë Kosovës dhe të Suharekës sot kishte ndërprerje të gjatë të energjisë elektrike.

Arifi ka theksuar se në mënyrë të pakompromis do t’i vihet fundi, siç është shprehur ai, praktikave të marra të papërgjegjshmërisë e në të cilat viktimë janë qytetarët.

“Sot ka qenë vështirë të jesh qytetarë i Fushë Kosovës dhe Therandës. Në ditë të ftoftë gati Siberike me orë të tëra pa energji elektrike në vitin 2018 është e patolerueshme dhe e padurueshme", është shprehur ai, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, në internet.

"Është arritë nivel ku Qeveria nuk do të pajtohet më me raporte të arsyetimeve të kota për rënie blloqesh, mbingarkime apo renovime të “planifikuara” në pikë të dimrit", ka deklaruar Arifi.

"Në mënyrë të pakompromis do të i vihet fundi praktikave të marra të papërgjegjshmërisë e në të cilat viktimë janë qytetarët. Mjaft është Mjaft”, përfundon shkrimi i Arifit.

 

(Kosova Sot)