Një tjetër aferë korruptive fshihet pas projektit të Unazës së madhe

  • 16 December 2018 - 23:53
Një tjetër aferë korruptive fshihet pas projektit të Unazës së madhe

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri akuza të forta mbrëmjen e së dielës në protestën e banorëve të Unazës së Madhe. 

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erjon Veliaj se kanë ndryshuar Planin Urbanistik për të favorizuar eksponentët e krimit që të pastrojnë paratë.

“Këtu tek Unaza e re është konsumuar një krim i tretë që përfshin drejtpërdrejt Erjon Veliajn dhe Edi Ramën. Është manipuluar plani urbanistik i qytetit të Tiranës, për t’i hapur rrugë një skeme kriminale e cila mbi gërmadhat apo rrënojat e shtëpive që donin të prishnin këtu do ndërtonin pallate shumëkatëshe me paratë e krimit të organizuar. Me paratë e krimit të organizuar, të njerëzve që kanë bërë drogën dhe krimin e organizuar në Shqipëri” – tha Basha.

“Ne po mbledhim të dhëna zyrtare për këtë aferë kriminale, e cila për nga vlera financiare tejkalon 40 milion eurot e shqiptarëve që po vidhen nga buxheti i shtetit. Pra, këtu po vidhet dyfish, apo plani është të vidhet dyfish: 40 milion euro nga buxheti dhe dhjetëra milion euro të tjera me ndërtime mbi këto banesa që duan t’i prishin pa ligj, ku do të pastrohen paratë e drogës.

Për këtë Edi Rama dhe Erion Veliaj së bashku kanë ndryshuar planin urbanistik të qytetit, në mënyrë që eksponentët e krimit të organizuar të pastrojnë paratë e drogës dhe natyrisht ti ndajnë ato me Edi Ramën dhe shpurën e tij të korruptuar”, – deklaroi Basha.

 

(Kosova Sot)