Amerika të izolojë politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar

  • 17 December 2018 - 07:50
Amerika të izolojë politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar

Miftari: Nëse do të jesh i paprekur duhet të bëhesh kriminel i madh, i lidhur me politikanët e korruptuar, që dy gurë nuk i lënë bashkë pa i vjedhur!

"S'ka fjalë, s'ka tryeza e sondazhe koti. Veprim konkret dhe urgjent. Prokurorëve, hetuesve policorë dhe të gjithë hetuesve tjerë, duhet t'u hyhet me këta kamionët e mëdhenj që përdoren për pastrimin e borës. Pastrim dhe largim së pari nga procesi e pastaj përgjegjësia për mospunën që e kanë bërë. Në të gjitha shtetet, nga Singapori, Hong-Kongu, e deri te Kroacia, rastet e para të ndërmarra nga prokurorët e "pastruar" kanë qenë pikërisht prokurorët, hetuesit, avokatët e gjyqtarët", thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni për gazetën "Kosova Sot

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit e kanë vlerësuar si alarm serioz gjendjen në drejtësinë e Kosovës, dështimin e madh në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, mesazhin e parë të ambasadorit të ri amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili e tha qartë se shkelësit e ligjit duhet të shkojnë në burg; se duhet të bëhet edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe afate konkrete kohore për ndryshime. Ai e tha qartë se ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet, prandaj, duke u bazuar në këtë konstatim njohësit e fushës së drejtësisë konsiderojnë se Kosova i ka punët shumë keq në fushën e sundimit të ligjit.

Burjani: Pushtetarët e paprekshëm e plaçkitën shtetin Edhe profesori i së drejtës, Blerim Burjani, thotë për "Kosova Sot" se nuk mund të ketë shtet ligjor derisa janë të paprekshëm milionerët e ngritur duke vjedhur e plaçkitur shtetin."Unë mendoj se Kosova i ka të gjitha ligjet e nevojshme perfekt. Por mungon vetëm edhe vetting-u, por me rëndësi është që të zbatohen ligjet. Prandaj, pa konfiskim të pasurive të fituara pa bazë, që nuk mund të arsyetohet mënyra e ligjshme e fitimit të tyre, askush nuk do të besojë në këto institucione të drejtësisë. KGJ-ja dhe KPKja duhet të veprojnë të pavarura, duhet të marrin iniciativa për reformim të brendshëm, të veprojnë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën", është shprehur ai. Shton se pa konfiskim të plotë të pasurive të fituara pa bazë nuk ka drejtësi. Kelmendi: Drejtësia, e kapur dhe e kontrolluar Edhe analisti tjetër dhe publicisti Naim Kelmendi thotë për "Kosova Sot" se defakto deklarata e ambasadorit amerikan, Kosnett, dëshmon që Kosova nuk i ka punët mirë me sundim të rendit e ligjit, pasi që drejtësia kosovare është e kapur dhe e kontrolluar nga mafio-politika dhe nëntoka e krimit. Pastrimi i kësaj strukture kriminale nga drejtësia, sipas Kelmendit, realizohet vetëm me ligjin VETTING.

"Prandaj, me korrupsionin galopant e të nivelit të lartë institucional vjen pengesa e madhe e zhvillimit dhe investimeve nga jashtë dhe për këtë fakt ambasadori amerikan, Kosnett, e kishte si kryefjalë që me ardhjen e tij në Kosovë luftën ndaj korrupsionit dhe shkelësve të ligjit. Ai ka kërkuar që në fillim të komunikimit me opinionin publik e politik të Kosovës, që të përgjigjen para drejtësisë, qoftë edhe me burg njerëzit e korruptuar, politikanët e nivelit të lartë, por po duket që edhe me këtë qeveri aktuale dhe me këtë Kuvend të stërkequr si asnjëherë më parë, nuk ka gjasa të ketë VETTING e vetëpastrim të pushteteve nga krimi e korrupsioni. Po e them këtë sepse edhe qeveritarët edhe deputetët e shumtë aktualë po shohin vetëm se si të pasurohen e të mos preken nga drejtësia "as ata dhe as njerëzit e tyre në të tri pushtetet", e jo të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, kur ata mund t'i nxjerrë si humbës", theksoi analisti Naim Kelmendi për "Kosova Sot". As prokuroria, gjyqësori e policia nuk janë përgjigjur në pyetjet se si i presin deklaratat e ambasadorit amerikan

KAPITI: KORRUPSIONI NË KOSOVË E KA KAPUR SISTEMIN! Një gjë të tillë e pohoi për "Kosova Sot" edhe njohësi i kësaj fushe, Skënder Kapiti."Kur ambasadori amerikan në Kosovë, Kosnett, si fjalë të parë e ka fjalën korrupsion, mua nga Durrësi më vijnë ndër mend edhe fjalët e ambasadorit dhe të diplomacisë së SHBA-së në Shqipëri, si: 'luftoni korrupsionin dhe krimin e organizuar', 'veproni tani', 'mos i votoni politikanët me rekorde kriminale' etj. Pra, edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinw, duke iu referuar korrupsionit, ka parasysh faktin se korrupsioni në Kosovë e ka kapur sistemin. Krimi i korrupsionit është krimi prej të cilit gjenerojnë krimet e tjera, si ai politik, krimi gjyqësor, krimi demokratik, krimi ekonomik, ai ordiner dhe deri edhe krimi i tradhtisë. Kur ambasadori amerikan në Prishtinë deklarohet "shkelësit e ligjit në burg", mua më kujtohet një deklarim i ambasadorit amerikan në Tiranë në tetor 2017: "Ne, amerikanët, duam veprime vendimtare kundër peshqve të mëdhenj të krimit... këta gangsterë të futen në burg".Pra, politika amerikane dhe shteti amerikan si aleat strategjik dhe miku me besnik i shqiptarëve, është i interesuar që si Shqipëria dhe Kosova të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, të ndërtojnë shtetin ligjor në mënyrë që si Shqipëria ashtu edhe Kosova të integrohen për në BE", theksoi analisti Kapiti për "Kosova Sot". Por, sipas Kapitit, tashmë dihet se politika dështake dhe kundër interesave kombëtare e politikanëve shqiptare janë shkaktarët kryesorë prej të cilëve vjen edhe mossundimi i ligjit, dështimi i ndërtimit të shtetit ligjor, dështimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe mos integrimi evropian."Duke iu referuar fakteve dhe arritjeve më të mëdha kombëtare të Kosovës si: liria, pavarësia dhe shtetësia e Kosovës, ngritja e shtetit, njohjet ndërkombëtare prej shumicës së shteteve të botës dhe vendeve demokratike më të fuqishme të saj dhe së fundi formimi i Ushtrisë së Kosovës ,për të cilat rolin vendimtar e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe reformimi i drejtësisë, edhe ndërtimi dhe funksionimi i shtetit ligjor në Kosovë do të vijnë prej SHBA-së, te të cilat është respekti, besimi dhe shpresa e shqiptareve", theksoi Kapiti për "Kosova Sot".

PRETENI: MBAHESH NË PARABURGIM E DËNOHESH PËR TË BËRIT SEHIRE, E NUK PARABURGOSESH AS PËR KORRUPSION, AS PËR KRIM TË ORGANIZUAR E BESA AS PËR DROGË! Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, nuk beson që këta zyrtarë të inkriminuar e të korruptuar do të kenë guximin ta lënë drejtësinë e pavarur dhe ajo të funksionojë ashtu si e kërkojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë."Këta zyrtarë kanë vetëm mungesë guximi, mungesë kuraje dhe mungesë patriotizmi. Foli ambasadori amerikan, folën të gjithë ambasadorët e Quintit, u mbajt "Java antikorrupsion" dhe asgjë nuk shkoi përpara, rezultati zero. Nuk po shihet drita në fund të tunelit. Mbahesh në paraburgim e dënohesh për vjedhje bagëtie, për dëmtim pylli, e madje edhe për të bërit sehire, e nuk paraburgosesh as për korrupsion, as për krim të organizuar e besa as për drogë. Nëse zihesh me drogë largohet nga puna sinjalizuesi, e nëse zihesh me shumë drogë lirohesh në procedurë të rregullt. Sa më shumë lekë për gjyqtarë e prokurorë, aq më pak punë e më shumë favore", theksoi analisti Preteni për "Kosova Sot". Madje ai konstaton se edhe si komb jemi mësuar të gëzohemi dhe të jemi krenare një herë në 10 vjet, 2008 për pavarësi e 2018 për ushtri, e kjo koha ndërmjet tmerr e pakënaqësi, sepse shpresat e qytetarit po i humb politika e korruptuar, që ka kapur të gjitha institucionet e shtetit."Kjo kastë politike me këtë qasje ndaj pushtetit të tretë është e patolerueshme. Ambasadorë e popull duhet lëvizur në këtë drejtim. S'ka fjalë, s'ka tryeza e sondazhe koti. Veprim konkret dhe urgjent. Prokurorëve, hetuesve policorë dhe të gjithë hetuesve tjerë, duhet t'u hyhet me këta kamionët e mëdhenj që përdoren për pastrimin e borës. Pastrim dhe largim së pari nga procesi e pastaj përgjegjësia për mospunën që e kanë bërë. Në të gjitha shtetet, nga Singapori, Hong-Kongu, e deri te Kroacia, rastet e para të ndërmarra nga prokurorët e "pastruar" kanë qenë pikërisht prokurorët, hetuesit, avokatët e gjyqtarët", theksoi Hasan Preteni për gazetën.

MIFTARI: BOSËT E KRIMIT MBESIN TË PANDËSHKUAR Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, theksoi për "Kosova Sot" se me atë adresim të parë ambasadori Kosnett ka thënë vetëm një të vërtetë thelbësore, e ajo është se në vendin tonë nuk luftohet korrupsioni, sidomos korrupsioni politik dhe institucional."Ambasada amerikane e di shumë mirë, siç e dimë ne, shumica e qytetarëve, se korrupsioni në vendin tonë është në nivel alarmant dhe se politikanët tanë në pushtet shumica janë të korruptuar dhe sundimi i ligjit është nën nivelin e lejuar, pasi bosët e krimit mbesin të pandëshkuar. Edhe plus arsyetohen se kinse mungesa e ligjeve është pasojë, por kjo nuk është e vërtetë. Nuk ka qenë kurrë problem çështja e ligjeve, por fakti pse nuk është praktikuar si duhet zbatimi i ligjeve, ato asnjëherë nuk kanë qenë në mungesë. Mungesa ka qenë vetën tek njerëzit adekuatë, tek zyrtarët e guximshëm, që është dashur t'i zbatojnë ato ligje me përpikëri, pa marrë parasysh se kush bie ndesh me ligjin", theksoi analisti Naim Miftari për "Kosova Sot"."Kur janë në pyetje interesat e peshqve të mëdhenj, pa marrë parasysh se janë zënë edhe me 100 kilogramë heroinë, pas ca ditësh lëshohen në liri nga "Drejtësia" e mafisë politike të Kosovës, pra në Kosovë nuk ia vlen me qenë kriminel ose vjedhës i vogël, sepse të ndëshkon ligji, nëse do të jesh i paprekur duhet të bëhesh kriminel i madh i lidhur me politikanët e korruptuar që dy gurë nuk i lënë bashkë pa i vjedhur. Prandaj, e kam thënë dhe po e përsëris se pa një VETTING gjithëpërfshirës, të fuqishëm, të kontrolluar nga FBI-ja amerikane, në drejtësi, në polici, në AKI, e kudo tjetër, nuk do të ketë rregull kurrë në vendin tonë sa i përket sundimit të ligjit", theksoi analisti Naim Miftari për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)