Buxheti i luksit qeveritar ngarkohet me mbipunësime nepotike

  • 17 December 2018 - 08:00
Buxheti i luksit qeveritar ngarkohet me mbipunësime nepotike

Grapci: Kabineti "Haradinaj", kampion në rritjen e shpenzimeve të luksit

Që kur e mori pushtetin, qeveria "Haradinaj" e ka ngarkuar së tepërmi buxhetin e Kosovës me mbipunësimet në kabinetin e tij, por edhe në institucionet tjera publike. Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, Haradinaj e ka vazhduar traditën e qeverive të tjera, ngase çdo qeveri e pasluftës që ka ardhur në pushtet në Kosovë e ka rritur në mënyrë enorme numrin e të punësuarve në mënyrë militanteske, klienteliste e nepotiste. Sipas deputetëve të opozitës dhe analistëve të ekonomisë, pikërisht kjo edhe është arsyeja, se për shkak kësaj qeverie që ka rritur shpenzimet e luksit edhe po zhyten qytetarët e Kosovës dhe në të njëjtën kohë po rritet edhe borxhi publik i Kosovës. Ndryshe, zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, për "Kosova Sot" ka thënë se në fund të muajit maj 2018 gjendja e borxhit shtetëror të Kosovës shënoi vlerën 1 miliard e 54 milionë euro. Kjo njëherësh paraqet 16.54 për qind të produktit të përgjithshëm bruto. "Huamarrja e borxhit është në pajtim me Ligjin e Buxhetit 2018 dhe se parashikimet janë brenda kufijve të paracaktuar", është shprehur ai. Istogu: Mbingarkesa e administratës e rëndon jashtëzakonisht shumë buxhetin Analisti i ekonomisë, Zekim Istogu, për gazetën "Kosova Sot" thotë se punësimet nepotiste po rriten në vazhdimësi, gjithashtu punësimet militanteske, sidomos para dhe pas fushatave elektorale.

"Gjithë kjo mbingarkesë e administratës e rëndon jashtëzakonisht shumë buxhetin e vendit. Problemi nuk qëndron vetëm te shpenzimi i kotë i parasë publike për paga dhe mëditje. Kosto shumë të madhe kërkon edhe krijimi i hapësirës për akomodimin e militantëve politikë. Shkencërisht është vërtetuar se mbingarkimi me staf pa pasur nevojë dhe pa projekte pune e ul produktivitetin në punë. Një tjetër problem është edhe fakti se shumë nga militantët e punësuar luajnë rolin e "të fortit" në vendin dhe nuk i respektojnë rregulloret e brendshme të punës, duke krijuar barriera për stafin profesional. Duke qenë të privilegjuar, si të afërm me politikën, shumë nga këta personel ndjekin rrugët joligjore për t'u dhënë favoret grupeve të caktuara biznesore, kulturore, sportive, apo personave privatë, në këtë mënyrë krijojnë kanale korruptive brenda institucioneve", është shprehur ai. Sipas Istogut, të këqijat e punësuarve në mënyrë militanteske dhe klienteliste e nepotiste janë shumëdimensionale: shpenzojnë kot buxhetin, pengojnë në punë stafin profesional, politizojnë administratën, ulin kualitetin e punës, pasi nuk aplikohen kriteret profesionale në punësim dhe krijojnë platforma korruptive brenda institucioneve. Maxhuni: Nuk menaxhohen mirë financat publike Eksperti i ekonomisë, Nehat Maxhuni, për gazetën "Kosova Sot", thotë se kryeministri në radhë të parë ia dyfishon vetes dhe kabinetit qeveritar pagën dhe e bën një kabinet qeveritar që nuk e ka aq të madh as Kina.

"Shumë nga projektet e paparapara në buxhet kanë mbetur të parealizuara, pasi që Qeveria e Kosovës dhe agjencitë buxhetore nuk janë të gatshme të heqin dorë nga shpenzimet e luksit. Derisa në shumë shteteve të rajonit dhe atyre evropiane, për shkak të krizës financiare viteve të fundit kanë reduktuar shpenzimet, në Kosovë me këtë qeveri po na ndodh e kundërta. Qeveria e Kosovës ka pasur ngritje enorme të shpenzimeve në mallra dhe shërbime dhe në këtë kategori kanë hyrë dreka zyrtare, blerje të veturave dhe udhëtime jashtë vendit. Prandaj, edhe nga mosmenaxhimi i mirë i financave publike Kosovën mund ta fusë në borxh publik dhe ekziston rreziku që në rastet kur Qeveria nuk arrin t'i realizojë të hyrat, gjen forma shtesë të të hyrave, duke rritur kështu taksat në fusha të ndryshme", është shprehur ai. Sipas Maxhunit, askush brenda institucioneve të Kosovës nuk ka të drejtë të shpenzojë më shumë sesa mundësitë që i lejon Ligji i Buxhetit."Kam parë raportin 6-mujor të shpenzimeve dhe kam vërejtur se ka shpenzime me një dinamikë më të madhe sesa e lejon dinamika periodike e shpenzimeve dhe parasë publike. Andaj, kjo është shqetësuese nëse kanë qenë më dinamike sesa që e lejon dinamika periodike".

Sipas Maxhunit, Qeveria 'Haradinaj' duhet të jetë e kujdesshme që këto mjete që janë marrë borxh të shpenzohen në mënyrë efikase dhe efektive, të jetë më e kujdesshme në krijimin e kushteve për realizimin e projekteve që janë paraparë të realizohen me këto mjete. Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot" thotë se investimi i paarsyeshëm i borxhit publik mund të shkaktojë probleme buxhetore. "Qeveria duhet të shtojë kujdesin lidhur me shtimin e borxhit. Edhe pse borxhi publik i Kosovës është ende në suaza të kërkesave ndërkombëtare financiare, Qeveria duhet të shtojë kujdesin për shkak të rritjes graduale të borxhit", është shprehur ai."Prandaj këshilla ime është se mbipunësimi në institucionet publike mund ta ngarkojë së tepërmi buxhetin e Kosovës", është shprehur ai

GRAPCI: HARADINAJ PO E RRIT NË MËNYRË ENORME NUMRIN E TË PUNËSUARVE Analisti Dardan Grapci për gazetën "Kosova Sot" thotë se as kjo qeveri nuk ka dallim nga qeveritë paraardhëse që ishin në pushtet pas luftës , sepse edhe z. Ramush Haradinaj që kur erdhi në pushtet, që nga dita e parë e punës, e ka ngarkuar së tepërmi buxhetin e Kosovës, duke bërë mbipunësime, qoftë atë që e ka bërë në kabineti i tij, qoftë nëpër institucionet publike."Me një fjalë edhe z. Haradinaj e ka vazhduar traditën e qeverive të pasluftës, që kanë ardhur në pushtet në Kosovë, ngase edhe qeveria e tij po e rrit në mënyrë enorme numrin e të punësuarve në mënyrë militanteske dhe klienteliste e nepotiste. Mendoj se e keqja më e madhe e kësaj qeverie është se kabineti 'Haradinaj' është kampion me rritjen e shpenzimeve të luksit, edhe që po i zhyt qytetarët e Kosovës në borxhe të reja dhe në të njëjtën kohë po rritet edhe borxhi publik i Kosovës", është shprehur Grapci.

SALIHU: NGRITJE ENORME E SHPENZIMEVE TË LUKSIT QEVERITAR Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se që kur e mori mandatin e saj, Qeveria e z. Ramush Haradinaj, pas vendimit të turpshëm të rritjes së pagave të tyre, që nga ajo kohë e deri më sot, në kontinuitet, ka pasur ngritje enorme të shpenzimeve, ku kanë hyrë dreka zyrtare, blerje të veturave dhe udhëtime jashtë vendit."Prandaj, bazuar në këtë trend, mosmenaxhimi i mirë i financave publike Kosovës vetëm sa po ia shton borxhin publik dhe ekziston rreziku që në rastet kur Qeveria nuk arrin t'i realizojë të hyrat, gjen forma shtesë të të hyrave, duke rritur kështu taksat në fusha të ndryshme", është shprehur ai. Sipas Salihut, borxhi publik i Kosovës çdo vit po shënon rritje dhe sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të majit të këtij viti, ky borxh ka arritur në 1 miliard e 54 milionë euro."Pra, llogaritur pjesëmarrjen e secilit qytetar në borxhin publik, del se çdo banor në Kosovë detyrohet me rreth 600 euro. Ndaj e them lirshëm se pikërisht për shkak të kësaj qeverie që ka rritur shpenzimet e luksit edhe është arsyeja se përse po zhytën qytetarët e Kosovës dhe po rritet borxhi publik", është shprehur ai. Sipas Salihut, e veçanta tjetër e kësaj qeverie është se kabineti z. Haradinaj me numrin rekord të ministrave e zëvendësministrave vetëm se e ka ngarkuar buxhetin e Kosovës më mbipunësimin që po e bën ky koalicion nëpër institucionet publike."Edhe kjo qeveri, sikurse edhe qeveritë paraprake të deritashme, e ka rritur së tepërmi dhe në mënyrë enorme numrin e të punësuarve, veçanërisht me punësimet militanteske dhe klienteliste e nepotiste që i ka bërë në institucionet e të dyja niveleve", është shprehur deputeti Salihu.

(Kosova Sot)