Arabia Saudite e kundërshton ndërhyrjen e Senatit amerikan për rastin e Ghashoggit

  • 17 December 2018 - 10:31
Arabia Saudite e kundërshton ndërhyrjen e Senatit amerikan për rastin e Ghashoggit

Arabia Saudite ka reaguar ashpër ndaj Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e kundërshtuar rezolutën që e fajëson princin saudit për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Ata e kanë quajtur këtë rezolutë ndërhyrje në punët e brendshme të Arabisë Saudite.

Ky reagim paraqet shenjën më të re të tensionimit të marrëdhënieve mes gjykatës mbretërore saudite dhe Kongresit, dy muaj pas vrasjes së gazetarit saudit nga agjentët sekretë të Arabisë Saudite brenda konsullatës së këtij vendi në Stamboll. Është raportuar se vrasësit e gazetarit kanë lidhje me princin Bin Salman.

Të enjten e kaluar, senatorët amerikanë e votuan një rezolutë që e fajëson princin Salman për vrasjen e gazetarit. Ata e votuan edhe rezolutën që bën thirrje për ndërprerje të ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Arabinë Saudite në luftën e Jemenit. Në reagimin e Arabisë Saudite, të publikuar sot në mëngjes, thuhet se rezoluta e votuar nga Senati paraqet ndërhyrje të qartë në punët e një shteti tjetër.

“Mbretëria e refuzon kategorikisht çdo ndërhyrje në punët e saj të brendshme, i kundërshton të gjitha akuzat që e fyejnë udhëheqësinë e saj dhe që e cenojnë sovranitetin e saj”, thuhet në reagim, shkruan “The Guardian”.

 

(Kosova Sot)