“Kosova nuk ka perspektivë të qartë euroatlantike”

  • 17 December 2018 - 12:08
“Kosova nuk ka perspektivë të qartë euroatlantike”

Politika e jashtme e Kosovës varet plotësisht nga rezultatet e dialogut me Serbinë. Serbët kanë listuar Kosovën si fitimtare të dialogut, ndërsa shqiptarët Serbinë.

Kështu u tha në konferencën “Dekonstruktimi i perceptimeve publike: Politika e Jashtme e Kosovës dhe Dialogu me Serbinë”, të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ku u tha se fërkimet mes elitës politike në Kosovë, tensionet dhe frika nga përshkallëzimi i mundshëm i situatës në pjesën veriore të vendit, janë renditur si shqetësimet kryesore nga të anketuarit.

Donika Emini, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë tha se Kosova këtë vit përveç që nuk ka arritur të ketë njohje të reja, për herë të parë është ballafaquar me tërheqjen e njohjeve.

Ajo adresoi si problematikë faktin se deri më tani askush nuk ka folur për raportet e Bosnjës me Kosovën, se pse Bosnja nuk e njeh Kosovën gjë që sipas saj ka reflektuar edhe për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Sipas saj, influenca e Serbisë në Kosovë është parë si shumë e rrezikshme, sidomos përmes Listës serbe, dhe vet fakti që ata janë takuar në Beograd për të marrë vendime të rëndësishme për Kosovën ka dhënë perceptimin se ata mund të vendosin në Kuvend.

Emini bëri të ditur edhe rezultatet e anketimit lidhur me atë se si e shohin qytetarët dialogun Kosovë -Serbi.

 

(Kosova Sot)