Tradhtia e madhe, Shpend Ahmeti drejt vetëvrasjes politike

  • 17 December 2018 - 13:16
Tradhtia e madhe, Shpend Ahmeti drejt vetëvrasjes politike

Të ashtuquajturin fluturim të Shpend Ahmeti me Dardan Sejdiun&Co tani edhe formalisht, direkt në prehrin e Hashim Thaçit, e kanë gjykuar edhe qytetarët, sipas të cilëve tani kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, po i kthen shpinën komunës, duke u shitur për t'u bërë pjese e grupit të Hashim Thaçit për ta ndarë Kosovën.

Madje qytetarët po mendojnë se Shpend Ahmeti që nga fillimi ka qenë dhe po mbetet edhe tani vetëm një karrierist i ndytë, i cili dështoi tërësisht si kryetar i Prishtinës.

Qytetari Avni Kadriu mendon se tani Shpend Ahmeti duhet të lirojë rrugë edhe nga mbajtja e pozitës së kryetarit të Prishtinës, ngase derisa ka dështuar tërësisht në këtë pozitë të vetme, duke u angazhuar në ekipin e bisedimeve, ai do të jetë tërësisht jashtë funksionit të kryetarit dhe krejtësisht shpërfillës i votës qytetare.

"Mendimi im është që zgjedhja e Shpend Ahmetit për të bashkëkryesuar ekipin për bisedime nuk është zgjedhje e duhur, ka pasur mjaft përfaqësues të tjerë të cilët kanë mundur të shkojnë në ato bisedime, prej cilësdo parti politike, qoftë edhe opozitare. Unë jam shumë i sigurt që ai këtë pozitë e ka pranuar vetëm për karrierë politike, mirëpo unë mendoj që angazhimi i tij në këtë proces do të jetë një minus akoma më i madh për të ardhmen e tij në politikë", theksoi qytetari Avni Kadriu për "Kosova Sot".

Tradhti ndaj votës dhe premtimeve të dhëna për qytetarët, por edhe vetëvrasje politike, duke ëndërruar ndërtim të karrierës përmes këtyre bisedimeve, e vlerëson angazhimin e Shpend Ahmetit në këtë ekip bisedimesh edhe Mehmet Breznica.

"Mua ma merr mendja së pari që ai nuk është fare kuadër, që të marrë pjesë në këto bisedime, ai nuk ka njohuritë as përgatitjen meritore për të qenë pjesë e këtyre bisedimeve dhe unë mendoj që edhe qeveria jonë po bën prapë një gabim të madh, duke angazhuar njerëz të tillë të papërgjegjshëm dhe të papërgatitur, që të jenë në nivel të atyre bisedimeve. Serbia, nëse e marrim shembull, gjatë bisedimeve të Vjenës i ka pasur 14 dr. të shkencave. E këta mendoj unë që së pari duhet të jenë ekspertë të gjeografisë politike, ekspertë të diplomacisë dhe të historisë, përndryshe përgatitja e Shpend Ahmetit është zero që të marrë pjesë në këto bisedime", është shprehur ai. "Unë mendoj që Shpend Ahmeti nuk ka qenë as në nivel të qeverisjes në komunën e Prishtinës dhe nuk do të jetë as këtu në këtë ekip", theksoi Mehmet Breznica.

(Kosova Sot)