Kapiti: Korrupsioni në Kosovë e ka kapur sistemin!

  • 17 December 2018 - 14:02
Kapiti: Korrupsioni në Kosovë e ka kapur sistemin!

Një gjë të tillë e pohoi për "Kosova Sot" edhe njohësi i kësaj fushe, Skënder Kapiti."Kur ambasadori amerikan në Kosovë, Kosnett, si fjalë të parë e ka fjalën korrupsion, mua nga Durrësi më vijnë ndër mend edhe fjalët e ambasadorit dhe të diplomacisë së SHBA-së në Shqipëri, si: 'luftoni korrupsionin dhe krimin e organizuar', 'veproni tani', 'mos i votoni politikanët me rekorde kriminale' etj.

Pra, edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinw, duke iu referuar korrupsionit, ka parasysh faktin se korrupsioni në Kosovë e ka kapur sistemin. Krimi i korrupsionit është krimi prej të cilit gjenerojnë krimet e tjera, si ai politik, krimi gjyqësor, krimi demokratik, krimi ekonomik, ai ordiner dhe deri edhe krimi i tradhtisë.

Kur ambasadori amerikan në Prishtinë deklarohet "shkelësit e ligjit në burg", mua më kujtohet një deklarim i ambasadorit amerikan në Tiranë në tetor 2017: "Ne, amerikanët, duam veprime vendimtare kundër peshqve të mëdhenj të krimit... këta gangsterë të futen në burg".Pra, politika amerikane dhe shteti amerikan si aleat strategjik dhe miku me besnik i shqiptarëve, është i interesuar që si Shqipëria dhe Kosova të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, të ndërtojnë shtetin ligjor në mënyrë që si Shqipëria ashtu edhe Kosova të integrohen për në BE", theksoi analisti Kapiti për "Kosova Sot".

Por, sipas Kapitit, tashmë dihet se politika dështake dhe kundër interesave kombëtare e politikanëve shqiptare janë shkaktarët kryesorë prej të cilëve vjen edhe mossundimi i ligjit, dështimi i ndërtimit të shtetit ligjor, dështimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe mos integrimi evropian.

"Duke iu referuar fakteve dhe arritjeve më të mëdha kombëtare të Kosovës si: liria, pavarësia dhe shtetësia e Kosovës, ngritja e shtetit, njohjet ndërkombëtare prej shumicës së shteteve të botës dhe vendeve demokratike më të fuqishme të saj dhe së fundi formimi i Ushtrisë së Kosovës ,për të cilat rolin vendimtar e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe reformimi i drejtësisë, edhe ndërtimi dhe funksionimi i shtetit ligjor në Kosovë do të vijnë prej SHBA-së, te të cilat është respekti, besimi dhe shpresa e shqiptareve", theksoi Kapiti për "Kosova Sot".

 

Lexo edhe këtë: Amerika të izolojë politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar

(Kosova Sot)