Salihu flet për ngritjen enorme të shpenzimeve të luksit qeveritar

  • 17 December 2018 - 16:25
Salihu flet për ngritjen enorme të shpenzimeve të luksit qeveritar

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se që kur e mori mandatin e saj, Qeveria e z. Ramush Haradinaj, pas vendimit të turpshëm të rritjes së pagave të tyre, që nga ajo kohë e deri më sot, në kontinuitet, ka pasur ngritje enorme të shpenzimeve, ku kanë hyrë dreka zyrtare, blerje të veturave dhe udhëtime jashtë vendit."Prandaj, bazuar në këtë trend, mosmenaxhimi i mirë i financave publike Kosovës vetëm sa po ia shton borxhin publik dhe ekziston rreziku që në rastet kur Qeveria nuk arrin t'i realizojë të hyrat, gjen forma shtesë të të hyrave, duke rritur kështu taksat në fusha të ndryshme", është shprehur ai. Sipas Salihut, borxhi publik i Kosovës çdo vit po shënon rritje dhe sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të majit të këtij viti, ky borxh ka arritur në 1 miliard e 54 milionë euro."Pra, llogaritur pjesëmarrjen e secilit qytetar në borxhin publik, del se çdo banor në Kosovë detyrohet me rreth 600 euro. Ndaj e them lirshëm se pikërisht për shkak të kësaj qeverie që ka rritur shpenzimet e luksit edhe është arsyeja se përse po zhytën qytetarët e Kosovës dhe po rritet borxhi publik", është shprehur ai. Sipas Salihut, e veçanta tjetër e kësaj qeverie është se kabineti z. Haradinaj me numrin rekord të ministrave e zëvendësministrave vetëm se e ka ngarkuar buxhetin e Kosovës më mbipunësimin që po e bën ky koalicion nëpër institucionet publike."Edhe kjo qeveri, sikurse edhe qeveritë paraprake të deritashme, e ka rritur së tepërmi dhe në mënyrë enorme numrin e të punësuarve, veçanërisht me punësimet militanteske dhe klienteliste e nepotiste që i ka bërë në institucionet e të dyja niveleve", është shprehur deputeti Salihu.

(Kosova Sot)