Mogherini jep shpresë: Çështja e vizave për Kosovën po shqyrtohet

  • 17 December 2018 - 17:31
Mogherini jep shpresë: Çështja e vizave për Kosovën po shqyrtohet

Këshilli për Stabilizim dhe Asociim mes BE-së dhe Kosovës mbajti takimin e tretë në Bruksel.

Shefja e Politikës së Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se në këtë takim, MSA-ja është çështja kyçe e marrëdhënies mes BE-së dhe Kosovës.

Sipas saj, kjo i ofron Kosovës një mundësi për përparim dhe afrim të qëndrueshëm me Bashkimin Evropian, në përputhje me perspektivën evropiane të rajonit dhe krijon mundësi tregtie dhe investimi.

Mogherini ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke thënë se kjo çështje është duke u shqyrtuar ende.

“Për sa i përket liberalizmit të vizave, Komisioni Evropian miratoi një raport korrikun e vitit 2018 mbi përmbushjen e standardeve të mbetura. Vendimi mbi propozimin e Komisionit aktualisht është duke u shqyrtuar në Këshill dhe në Parlamentin Evropian”, thuhet në njoftimin për media.

Në takimin e sotëm, thuhet në komunikatën për media të Këshillit të Evropës, u shqyrtuan zhvillimet e fundit kyçe në lidhje me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen aktuale në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e MSA-së.

“Bashkimi Evropian nënvizoi rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe efektiv të MSA-së, si dhe obligimet kontraktuale përfshirë zonën e tregtisë dhe të doganës. BE-ja ka shprehur keqardhje të thellë për ngritjen e njëanshme qeveritare të taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si dhe imponimin e barrierave jotarifore dhe insistoi në heqjen e tyre të menjëhershme. Futja në fuqi e këtyre tarifave dëmton interesat ekonomike të Kosovës dhe popullit të saj, duke ulur rrjedhën tregtare dhe dëmton atraktivitetin e Kosovës si vend për investime dhe biznes. Çdo pengesë për tregtinë duhet të zgjidhet brenda forumeve dhe mekanizmave të përshtatshme, me pjesëmarrjen konstruktive të të gjitha palëve të interesuara, në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet në komunikatën e zyrës së Mogherinit.

Bashkimi Evropian nënvizoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, duke përshpejtuar dhe intensifikuar punën me mirëbesim në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë.

Të gjitha marrëveshjet e Dialogut duhet të zbatohen plotësisht pa asnjë vonesë të mëtejme, në veçanti marrëveshja e vitit 2015 për “Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe”.

“Në takimin e sotëm u diskutuan edhe prioritetet e reformave në fushat që përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektin për të drejtat themelore, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe punësimin. Takimi njohu progresin e bërë në zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformës dhe bëri thirrje për zbatimin e shpejtë të masave të pazgjidhura”.

Ky takim u kryesua nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ndërkaq Komisioni Evropian u përfaqësua nga komisionari për Zgjerim,

Johannes Hahn.

Delegacioni i Kosovës u kryesua nga kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli, ministrja Dhurata Hoxha dhe ministri Abelard Tahiri.

(Kosova Sot)