Takimi me shumë tensione në Bruksel, dalin detajet e përplasjes Haradinaj-Mogherini

  • 17 December 2018 - 14:12
Takimi me shumë tensione në Bruksel, dalin detajet e përplasjes Haradinaj-Mogherini

(E plotësuar) - BE kërkon heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut

Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit nga Kosova gjithashtu kishin një shkëmbim mendimesh në lidhje me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Këshilli i Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbajti takimin e tij të tretë, në të cilin u shqyrtuan zhvillimet e fundit kryesore lidhur me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e MSA-së.

Lidhur me marrëdhëniet në kuadër të procesit të Stabilizim-Asociimit, pjesëmarrësit diskutuan në veçanti kriteret politike, ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, thuhet në një deklaratë për media të BE-së.

Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit nga Kosova gjithashtu kishin një shkëmbim mendimesh në lidhje me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është thelbi i marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Ajo i ofron Kosovës një mundësi për përparim dhe afrim të qëndrueshëm me BE-në, në përputhje me perspektivën evropiane të rajonit dhe krijon mundësi tregtie dhe investimi”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesit e BE-së në këtë takim nënvizuan rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe efektiv të MSA-së, si dhe detyrimet kontraktuale, duke përfshirë në fushën e tregtisë dhe doganave.

BE ka shprehur keqardhje për rritjen e tarifave, siç thuhet, të njëanshme të qeverisë së Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, si dhe imponimin e barrierave jo-tarifore dhe insiston në heqjen e tyre të menjëhershme.

“Futja e këtyre tarifave dëmton interesat ekonomike të Kosovës dhe popullit të saj, duke zvogëluar rrjedhën e tregtisë dhe duke ulur atraktivitetin e Kosovës si një vend për investime dhe biznes. Çdo pengesë për tregtinë duhet të zgjidhet brenda forumeve dhe mekanizmave të përshtatshme, me pjesëmarrjen konstruktive të të gjitha palëve të interesuara, në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet më tej në deklaratë.

Bashkimi Evropian nënvizoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, duke përshpejtuar dhe intensifikuar punën me mirëbesim në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë.

“Të gjitha marrëveshjet e dialogut të dakorduara tashmë duhet të zbatohen plotësisht pa ndonjë vonesë të mëtejshme, në veçanti marrëveshjen 2015 për asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratë.

Në takimin e sotëm u diskutuan edhe prioritetet e reformave në fushat që përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektin për të drejtat themelore, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe punësimin.

Në takim BE njohu progresin e bërë në zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformës dhe bëri thirrje për zbatimin e shpejtë të masave të pazgjidhura. Sa i përket liberalizimit të vizave, BE përkujton se Komisioni Evropian miratoi një raport në korrik 2018 mbi përmbushjen e standardeve të mbetura, ndërkohë që vendimi mbi propozimin e Komisionit aktualisht është duke u shqyrtuar në Këshill dhe Parlamentin Evropian.

Tensione shumë të ashpra me Mogherinin, zbulohet se çka i tha Haradinaj zyrtarëve të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në takimin që delegacioni i Qeverisë së Kosovës mbajti sot me zyrtarë të BE-së në kuadër të Këshillit të MSA-së.

Kosova Sot sjell fjalimin e plotë të kryeministrit Haradinaj, i cili në mbledhjen e Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në Bruksel u shpreh se qytetarët e Kosovës pavarësisht se janë të izoluar dhe nuk mund të bëjnë tregti të lirë, “po arrijnë suksese në botë”.

Fjala e plotë e Kryeministri Haradinaj në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit:

Republika e Kosovës mirëpret Këshillin e Tretë të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me qëllim të rishikimit të progresit dhe sfidave në rrugën tonë europiane.

Përkundër neglizhencës dhe mungesës së qartësisë për perspektivën tonë europiane nga ana e BE-së, Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë obligimet e kontratës sonë të përbashkët.

Qëndroj këtu sot si kryeministër i një shteti sovran. Unë përfaqësoj popullin tim që ka vuajtur për besimin e tij në liri - dhe vazhdon të vuajë edhe sot.

Me bindje të plotë mund të them se nuk ka vend në Europë më të përkushtuar ndaj idealeve të Bashkimit Europian se sa Kosova. Vlerat tona janë vlerat tuaja, shpresat tona për fëmijët tanë janë të njëjta me shpresat tuaja për fëmijët tuaj.

Kosova është shoqëri dinamike, që ka rini edhe më dinamike. Ata nuk i gëzojnë liritë që për ju janë normale. Ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm, nuk mund të tregtojnë lirshëm, nuk mund të luajnë lirshëm dhe nuk mund të jenë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë në komunitetin e kombeve të lira. Përkundër këtij fakti fatkeq, ata thyejnë barriera, edhe pa pasur viza, duke arritur rezultate të nivelit botëror në sport, muzikë, arsim, inovacion. Dhe kjo shumë lehtë mund të ketë qenë arritje e Europës.

Edhe pse Kosova zbatoi të gjitha 95 kriteret e paracaktuara, siç është konfirmuar nga Komisioni në muajin maj, përgjigja që marrim nga BE, është gjysmake dhe e pashpresë.

Edhe përkundër angazhimit të plotë në Agjendën e Reformës Europiane(ERA), dhe reformave të fuqishme të ndërmarra për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe institucionet e tij, Kosova ndjehet e tradhtuar dhe e zhgënjyer nga BE. Njerëzit tanë sprovohen përtej asaj që është e arsyeshme dhe e drejtë. Koha nuk është miku ynë. Duhet të shohim progres konkret.

Të nderuara shtete anëtare të BE-së, kjo është thirrja ime për ju:

Duhet të përshpejtojmë dhe konkretizojmë proceset e integrimit. Caku përfundimtar i rrugëtimit është i qartë - por ende, nuk është i prekshëm për ne.

Kemi nevojë për një sinjal të qartë nga ju se i respektoni arritjet tona dhe se kemi mbështetjen tuaj, në mënyrë aktive, veçanërsiht në realizimin e lëvizjës së lirë për qytetarët e Kosovës.

Qeveria dhe unë, asnjëherë, nuk e kemi vënë në pikëpyetje rëndësinë e dialogut. Kjo është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë, që të bëhemi anëtarë të barabartë të familjes europiane.

Megjithatë, njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësisë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalur krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet.

Më lejoni të theksoj edhe një herë, unë si Kryeministër dhe Qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendim tim, është armiku ynë.

Si Kryeministër, ndodhem këtu për t'iu ballafaquar me të vërtetën, realitetin dhe orientimin e vendit tim, jo çfarë doni ju të dëgjoni, ose për çka jeni njoftuar nga dikush tjetër. Realiteti është se ne jemi shtet sovran, demokratik dhe multi-etnik, dhe bazuar në këtë të vërtetë të padiskutueshme, ne duam të arrijmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Prandaj, si Kryeministër, unë kam ecur përpara dhe kam paraqitur një draft Marrëveshje Gjithëpërfshirëse që e keni parë, si hap fillestar drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të ecim përpara. Përveç kësaj, më 15 dhjetor Parlamenti i Kosovës votoi delegacionin e Kosovës për dialog. Delegacioni do të bashkëkryesohet nga Zëvendëskryeministri Limaj dhe kreu i Partisë Social Demokratike të partisë opozitare Shpend Ahmeti. Është delegacion gjithëpërfshirës me synimin që të përfshihen edhe palë të tjera. Ky është hap madhor në demokracinë tonë dhe i përgëzoj të gjithë deputetët e Kosovës që votuan delegacionin.

Marrëveshja përfundimtare synon të sjellë paqe afatgjatë dhe të sigurojë të ardhme prosperuese europiane për të dy shtetet. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen e dialogut është kyç, përderisa BE-ja ofron garanci, për të mbushur hendekun e mundshëm midis dy vendeve. Le të jemi të sinqertë, të hapur dhe të drejtpërdrejt në këtë mision.

Të nderuara shtete anëtare,

Jemi shumë mirënjohës për ndihmën tuaj përgjatë dekadave. Ju erdhët për të na ndihmuar në kohë të vështira. Ju na ndihmuat të ndërtojmë atë që kemi sot.

Por tani ka ardhur koha për të ecur përpara me vendosmëri dhe me shpejtësi - si partnerë. Dhe ne duhet të veprojmë tani!

Ju faleminderit për organizimin e Këshillit të Tretë të MSA-së ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës. Kosova pret që në javët dhe muajt e ardhshëm të thellojmë dhe forcojmë marrëdhënien tonë kontraktuale.

Faleminderit!

Anulohet konferenca Haradinaj-Mogherini

Në takimin, në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka pasur përpalsje të ashpër.

Haradinaj ka insistuar që nuk do ta heqë taksen 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina edhe pas presionit të BE-së.

Kjo ishte edhe arsyeja e anulimit të konferencës për media të kryeministrit Ramush Haradinaj me zyrtarët e lartë të BE-së, shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisionerin Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn.

Image

Është mbajtur takimi i Kosovës me Bashkimin Evropian në kuadër të Këshillit të Stabilizim Asociimit (MSA) në Bruksel. 

Takimi ka nisur në orën 13:00 ndërsa delegacionin e Kosovës e ka kryesuar kryeministri Ramush Haradinaj kurse atë të BE-së, Federica Mogherini.

Ishte paraparë që pas këtij takimi të mbahet konferencë për media, mirëpo ajo në çastet e fundit është anuluar për arsyeje ende të panjohura.

Mediat kishin raportuar sot gjatë ditës se në takim përveç MSA-se, do të diskutohet edhe për taksën e vendosur ndaj Serbisë.

Fillon takimi në Bruksel, Haradinaj përballë BE-së për taksën

Ka nisur takimi i Kosovës me BE’në në kuadër të Këshillit të Stabilizim Asociimit(MSA), i cili po mbahet në Bruksel nga ora 13:00.

Haradinaj do ta kryesojë këtë takim ku, ndër të tjera, pritet të diskutohet edhe tema jashtë rendit të zakonshëm të këtij Këshilli.

Se takimi nis në orën 13:00 e pati konfirmuar mbrëmë, zëdhënësja Donjeta Gashi, e cila nuk ka folur lidhur me temat e tjera që priten të jenë temë diskutimi.

E, siç raportuan mediat, Haradinaj do të përballet me BE’në edhe për taksën e vendosur ndaj Serbisë. Aty është raportuar të jenë zyrtarja e Lartë e BE’së, Federica Mogherini si dhe komisionari Johannes Hahn.

Pikërisht këta dy përfaqësues të BE’së edhe dje kishin hedhur firmën në një letër për Haradinajn, ku kërkohej heqja e taksës ndaj Serbisë, në këmbim të largimit të emërimit “UNMIK” për Kosovën në CEFTA.

Qeveria Haradinaj kishte refuzuar të jepte ndonjë qëndrim më të detajuar lidhur me këtë letër, por kishin përsëritur se taksa qëndron dhe qëndrimet e Qeverisë janë ato të deritashmet.

Sidoqoftë, edhe Serbia do të zhvillojë takimin e njëjtë me BE’në për MSA’në. Takimi i Ana Brnabic me BE’në do të mbahet nesër.

(Kosova Sot)