Demaskimi i PSD-së, krah i Thaçit në pazarin e dhimbshëm me Serbinë

  • 17 December 2018 - 18:20
Demaskimi i PSD-së, krah i Thaçit në pazarin e dhimbshëm me Serbinë

Sipas analistit politik Ramiz Bojaj, PSD-ja me mandate të vjedhura u bë patericë e një pushteti kriminal e të shantazhuar.

"Duke mos 'duruar' Albin Kurtin,klika e PSD-së tashmë duron Kadri Veselin,Hashim Thaçin e Ramush Haradinajn,për të vazhduar rrugën e kompromiseve të dhimbshme me Serbinë. Ngutja e koalicionit qeverisës për dialog me Serbinë,duke apostrofuar njerëz pa kredibilitet,por edhe pa legjitimitet politik (me mandate të vjedhura),është tendencë për kamuflim të planit për ndarjen e Kosovës. PSD-ja dëshmoi se nuk është opozitë,por është pozicionuar rreth pazarit të Hashim Thaçit për territor. Vetë presidenti Thaçi e dëshmoi këtë,pas miratimit të rezolutës së PSD-së,duke thënë se "në këtë fazë kam besim se do t'ia dalim me sukses dhe do të përmbyllim kapitullin e errët të gjenocidit serb në Kosovë".

Image
Ramiz Bojaj

“Kjo është ikje nga realiteti dhe tendencë për zgjerimin e fajësisë së Thaçit (bisedimet për kufijtë) tek koalicioni i shantazhuar e jolegjitim.Krahu i Shpend Jahtit me 'minibusin' e deputetëve të PSD-së tregoi dyfytyrësi dhe ambicie të sëmurë për pushtet, duke thyer çdo rregull,etikë dhe parim. Janë po këta deputetë që dikur kundërshtonin ndarjen,duke hedhur gaz lotsjellës në Kuvend. Dhe kjo kundërshti,edhe pse në dukje jodemokratike,ishte e domosdoshme.Ishin patericat tjera që bënë që Kosova të humbasë mbi 8200 ha tokë në kufirin me Malin e zi. Ndërsa sot pozicionimi nën krahët e kundërt të të njëjtëve 'grabitqarë' është vetëm demaskim i marionetës meskine e ambicieve të sëmura. Ndërkaq,aneksi i rezolutës mbi të cilën thirret PSD-ja dhe koalicioni i dështuar se "Sovraniteti shtetëror,integriteti territorial,karakteri unitar i Republikës janë të pacenueshme e të patjetërsueshme",ofrohen vetëm maskë që mbulon qëllimin. Mbi këto principe edhe Hashim Thaçi nënshkroi marrëveshje antikushtetuese (marrëveshja për asociacionin AKS),mandej bisedimet për ndarjen e Kosovës etj. Motot se Kosova nuk po zvogëlohet, nuk po ndahet,nuk po bosnjëzohet...ishin vetëm mashtrime meskine, përderisa Kushtetuta,sovraniteti dhe integriteti territorial ishin gjithmonë në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi",theksoi analisti Ramiz Bojaj për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)