Ish-kreu i AKK-së “godet” gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës

  • 17 December 2018 - 19:59
Ish-kreu i AKK-së “godet” gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës

Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, nuk beson që zyrtarët e inkriminuar e të korruptuar do të kenë guximin ta lënë drejtësinë e pavarur dhe ajo të funksionojë ashtu si e kërkojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.

"Këta zyrtarë kanë vetëm mungesë guximi, mungesë kuraje dhe mungesë patriotizmi. Foli ambasadori amerikan,folën të gjithë ambasadorët e Quintit,u mbajt "Java antikorrupsion" dhe asgjë nuk shkoi përpara, rezultati zero. Nuk po shihet drita në fund të tunelit. Mbahesh në paraburgim e dënohesh për vjedhje bagëtie,për dëmtim pylli,e madje edhe për të bërit sehire, e nuk paraburgosesh as për korrupsion,as për krim të organizuar e besa as për drogë. Nëse zihesh me drogë largohet nga puna sinjalizuesi,e nëse zihesh me shumë drogë lirohesh në procedurë të rregullt. Sa më shumë lekë për gjyqtarë e prokurorë,aq më pak punë e më shumë favore", theksoi analisti Preteni për Kosova Sot.

Madje ai konstaton se edhe si komb jemi mësuar të gëzohemi dhe të jemi krenare një herë në 10 vjet, 2008 për pavarësi e 2018 për ushtri,e kjo koha ndërmjet tmerr e pakënaqësi,sepse shpresat e qytetarit po i humb politika e korruptuar,që ka kapur të gjitha institucionet e shtetit.

"Kjo kastë politike me këtë qasje ndaj pushtetit të tretë është e patolerueshme. Ambasadorë e popull duhet lëvizur në këtë drejtim. S'ka fjalë,s'ka tryeza e sondazhe koti. Veprim konkret dhe urgjent. Prokurorëve,hetuesve policorë dhe të gjithë hetuesve tjerë,duhet t'u hyhet me këta kamionët e mëdhenj që përdoren për pastrimin e borës. Pastrim dhe largim së pari nga procesi e pastaj përgjegjësia për mospunën që e kanë bërë. Në të gjitha shtetet, nga Singapori,Hong-Kongu,e deri te Kroacia,rastet e para të ndërmarra nga prokurorët e "pastruar" kanë qenë pikërisht prokurorët, hetuesit, avokatët e gjyqtarët",theksoi Hasan Preteni për gazetën Kosova Sot.

(Kosova Sot)