Ja çfarë thuhet në letrën e Mogherinit për Haradinajn pas përplasjes në Bruksel

  • 18 December 2018 - 11:31
Ja çfarë thuhet në letrën e Mogherinit për Haradinajn pas përplasjes në Bruksel

Ka vazhduar këmbimi i letrave mes tre anëtarëve të Komisionit Evropian dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Përfaqësueja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, komisionerja për Tregti, Cecilia Malstrom, dhe komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, të hënën i kanë dërguar edhe një letër kryeministrit të Kosovës.

Në atë letër ata shprehin keqardhjen e tyre të thellë për faktin se Kosova “nuk e ka marrë në kosideratë” ofertën që ka bërë BE-ja për të adresuar heqjen e taksave për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si një shenjë e vullnetit të mirë, dhe nuk ka emëruar personat për pjesëmarrje në bisedimet përgatitore tregtare me Serbinë me lehtësimin e Komisionit Evropian.

Por duket se kjo letër më shumë ka qëllim që të bëjë presion për t’i dhënë mbështetje presidentit Thaçi që të arrijë një marrëveshje me presidentin e Serbisë, Vuçiq, duke mos përjashtuar as idenë e ndryshimit të kufijve, ide e cila ka shkaktuar ndarje në Kosovë, por edhe në BE.

“Ne shprehim mospajtim të thellë me vlerësimin tuaj se dialogu është i bllokuar. Krejt e kundërta, dialogu i zhvilluar nga dy presidentët ishte duke bërë progres të dukshëm. Ne kemi ndarë këtë vlerësim me liderët e BE-së në Këshillin Evropian të dhjetorit dhe kemi marrë mbështetje inkurajuese” thuhet në këtë letër.

Në fakt, duke u bazuar në burimet diplomatike, në takimin në fjalë të Këshillit Evropian nuk ka folur askush, pos presidentit të Qipros, Anastasidis, dhe përfaqësueses së lartë Mogherini. Presidenti Qipriot, shtet i cili krahas Spanjës më së fuqishmi kundërshton trajtimin e Kosovës me elemente shtetërore, kishte pranuar që këtë çështje po e shtron me kërkesë të presidentit të Serbisë, Vuçiq.

Në po të njëjtin takim Mogherini, pos që kishte qortuar Kosovën, kishte thënë edhe se “Marrëveshja gjithëpërfshirëse është e kapshme”, por si problem ajo kishte përmendur “pengesat politike brenda Kosovës”, duke menduar në mospajtimet mes kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi.

Prandaj edhe në këtë letër Mogherini ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës që, duke shfrytëzuar edhe krijimin e ekipit të unitetit për dialog, të mbështesë përpjekjet e presidentit Thaçi. “Është tash esenciale që ju me gjithë peshën tuaj të mbështesni përpjekjet e Presidentit në dialog”.

Këta tre pjesëtarë të Komisionit Evropian kanë thënë se e kanë “marrë në dijeni” propozimin e Kosovës për Marrëveshjen Kornizë, që është miratuar me 13 dhjetorë. Ata e kanë quajtur këtë si një input të mirë për qëndrimin e Kosovës. “Ne e mirëpresim atë dhe e konsiderojmë si një input të qëndrimit të Kosovës, i cili do të prezantohet nga Presidenti në dialogun e tanishëm, i cili për BE-në është e vetmja kornizë reale për të adresuar normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Nesër në Bruksel përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini pret në një drekë pune liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit. Nga Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i zi ajo ka ftuar presidentët, ndërsa nga Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegvovina ka ftuar kryeministrat.

(Kosova Sot)