Te shtëpia e Donjeta Pajazitajt dhe kushëririt të akuzuar si vrasës

  • 18 December 2018 - 12:14
Te shtëpia e Donjeta Pajazitajt dhe kushëririt të akuzuar si vrasës

Pas vendimit për rigjykimin e rastit të Donjeta Pajazitajt, gjykata ka vendosur dje që të dilet në vend të ngjarjes, në fshatin Strellc.

Gjykata e Pejës ka dalë sot për inspektim te shtëpia e Donjeta Pajazitajt, por te vendi ku u gjet e vdekur, në malet e Strellcit ishte e pamundur të shkohet për shkak të motit të keq, raporton Express nga vendi i ngjarjes.

Donjeta Pajazitaj është vrarë në vitin 2015, e trupi i saj është gjetur në malet e Strallcit, gjashtë javë pasi që familjarët e raportuan të zhdukur.

Naser Pajazitaj ishte akuzuar për vrasjen e saj, por Gjykata e ka shpallur të pafajshëm për shkak të mungesës sa provave të pretenduara nga Prokuroria.

Media ka njoftuar dje se Gjykata ka vendosur ta inspektojë vendin e ngjarjes.

Ky rast është gjykuar njëherë dhe pas dy vitesh gjykim, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn.

Me vendimin e Gjykatës në Pejë nuk është pajtuar Gjykata e Apelit, e cila pas vlerësimit të ankesës së Prokurorisë, ka vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim. Kolegji i Apelit ka vlerësuar se Gjykata e Pejës e ka vlerësuar gabimisht të vërtetën.

Për këtë vrasje ai ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues, duke u betuar se nuk ka të bëjë me vrasjen e kushërirës së tij.

(Kosova Sot)