Oferta e shefes së BE-së për taksën, injorim për aspiratat evropiane

  • 18 December 2018 - 07:55
Oferta e shefes së BE-së për taksën, injorim për aspiratat evropiane

 Aliu: Kurrsesi nuk duhet lejuar që të hiqet taksa 100% pa e njohur Serbia Kosovën dhe pa i paguar të gjitha dëmet e luftës

 “Ajo as nuk paska turp të kërkojë nga Kosova suspendimin e taksës 100%, në mënyrë që si kundërshpërblim BE-ja ta "avancojë" Kosovën nga nofka e tejkaluar UNMIK në Kosovo*, sërish të nënçmuar, por tanimë me fusnotën e Hashimit! Fatkeqësisht kjo dëshmon më së miri se sa rëndë e ka degraduar pozitën e Kosovës zyrtare në Bruksel kjo klasë politike tërësisht e kriminalizuar, saqë edhe Brukseli vetë të mos na merr seriozisht si shtet dhe të na bëjë hesap, si të retarduar mentalë, përderisa ne edhe pas afro dy dekadash të çlirimit lejojmë që politikanë të tillë, këmbë e krye të inkriminuar, ta udhëheqin ende shtetin tonë të brishtë. Ndaj kurrsesi nuk duhet lejuar që as para kërkesave denigruese të BE-së të hiqet taksa 100% pa e njohur përfundimisht Serbia Kosovën si shtet të pavarur dhe pa paguar të gjitha demet e luftës të shkaktuara nga soldateska kriminale e Serbisë në Kosovë, dënuar në mënyrë meritore në bazë të ligjeve ndërkombëtare për dhjetëra mijëra përdhunimet e kryera dhe kthyer në atdhe trupat e më se 1600 të kidnapuarve”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”

Analistët politikë dhe përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë vlerësuar se  oferta e shefes për diplomacinë evropiane, Federica Mogherini, është çdo gjë tjetër përpos ofertë që shkon në funksion të interesit të shtetit të Kosovës dhe normalizimit të raporteve Kosovë Serbi, ku ajo kërkoi suspendimin e taksës 100%, dhe si kundërshpërblim BE-ja e ‘avancojë’ Kosovën nga UNMIK në Kosovo*. Njohësit e  zhvillimeve politike, opozitarët dhe qytetarët, vlerësojnë se ky nënçmim i shtetit të Kosovës nga BE-ja, pasi vetë e  kanë degraduar pozitën e Prishtinës zyrtare në Bruksel kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar, saqë Brukseli nuk na bën hesap, përderisa lejojmë që politikanë të inkriminuar na udhëheqin shtetin. Kjo ndodh sepse në krye të shtetit, edhe në bisedime, vazhdojnë të jenë politikanë të inkriminuar dhe të shantazhuar, që asnjë shtet në botë nuk do t’i marrë seriozisht. Tani edhe  nxitimi evropian për të adresuar me urgjencë një temë që ka prekur interesat biznesore të Serbisë dhe hezitimi për të trajtuar seriozisht izolimin e vendit tonë vlerësohet se është qasje diskriminuese e Brukselit karshi Kosovës,  por pse përgjegjësinë nuk mund t'ua lëmë vetëm zyrtarëve të BE-së, sepse së pari llogari duhet të kërkojmë nga të zgjedhurit tanë që tallen me popullin. Megjithatë, është një qëndrim tani i pjekur dhe i pranuar nga opinioni, sipas të cilit kurrsesi nuk duhet lejuar që të hiqet taksa 100% pa e njohur Serbia Kosovën dhe pa i paguar të gjitha dëmet e luftës.

 Zeqa: Politikanët e inkriminuar e kanë pranuar një situatë të tillë nënçmuese të Kosovës në takimet ndërkombëtare

Sipas analistit politik Florim Zeqa, u bë shkas taksa 100 % ndaj produkteve serbe dhe tani i ranë maskat edhe Federica Mogherinit dhe BE-së! “Sikurse ish-ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Lamberto Dini, në vitin 1998 që ndihmonte Serbinë e Milosheviqit, ngjashëm është duke vepruar edhe diplomatja italiane, Federica Mogherini, e cila është duke e ndihmuar Serbinë e Aleksandër Vuçiqit. Sikurse Evropa e 1913-s, që copëtoi territoret shqiptare, ashtu është duke vepruar dhe BE-ja e sotme, e cila haptas është duke e ndihmuar Serbinë gjakatare për gllabërimin e territorit të Kosovës së sotme. Për më tepër se kaq, oferta skandaloze e Mogherinit për ‘avancimin’ e Kosovës nga UNMIK në Kosovo* nxori në sipërfaqe edhe trajtimin tepër diskriminues të Kosovës nga BE-ja, e cila nuk e njeh as fusnotën për Kosovën, por vetëm përfaqësimin e Kosovës përmes UNMIK-ut! Kjo bëhet edhe më tepër skandaloze për faktin se si liderët tanë shtetërorë e kanë mohuar deri më tani këtë realitet të hidhur për vendin tonë. Ky është edhe një tregues se sa keq e ka degraduar pozitën e Prishtinës zyrtare në Bruksel kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar, saqë Brukseli na bën hesap si për të retarduar mentalë. Për këtë situatë diskriminuese të Kosovës, përgjegjësinë nuk mund t'ua lëmë vetëm zyrtarëve të BE-së, për shkak se politikanët e inkriminuar deri më tani e kanë pranuar një situatë të tillë poshtëruese dhe nënçmuese të Kosovës në takimet ndërkombëtare,...prandaj së pari llogari duhet të kërkojmë nga të zgjedhurit tanë që u tallën dhe mashtruan popullin kinse për pozitën e avancuar të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në rrethanat e krijuara, edhe përkundër presionit të madh ndërkombëtar, jo vetëm që nuk duhet lejuar që të hiqet taksa 100% pa e njohur Serbia Kosovën, por duhet vendosur edhe masa tjera shtesë, siç janë zbardhja e fatit të të pagjeturve, pagimi i dëmeve të luftës, kthimi i pasurive të grabitura, kthimi i artefakteve dhe librave kadastralë, kthimi i pensioneve dhe shumëçka tjetër”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

 Aliu: Serbia ta njohë Kosovën

Bislim Aliu konstaton se pa asnjë mëdyshje oferta e shefes për diplomacinë evropiane, Frederica Mogherini, është çdo gjë tjetër përpos ofertë, ku ajo kërkoi suspendimin e taksës 100%, në mënyrë që si kundërshpërblim BE-ja të avancojë Kosovën nga UNMIK në Kosovo* dhe kjo është shpërfaqje diskriminuese që vjen si pasojë e vetë klasës së papërgjegjshme, që deri më tani ka qeverisur vendin. “Kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar e ka degraduar Prishtinën zyrtare në Bruksel, saqë ajo na bën hesap si të padijshëm, përderisa lejojnë që politikanë të inkriminuar të na udhëheqin shtetin.  Përderisa në pushtet t'i kemi këta politikanë të inkriminuar, asnjë shtet në botë nuk do të na marrë seriozisht. Andaj, për këtë përgjegjësinë nuk mund tua lëmë vetëm zyrtarëve të BE-së, sepse së pari llogari duhet të kërkojmë më tepër nga të zgjedhurit tanë, që vazhdimisht tallen me popullin. Mendoj se kurrsesi nuk duhet lejuar që të hiqet taksa 100% pa e njohur Serbia Kosovën dhe pa i paguar të gjitha dëmet e luftës”, tha  Bislim Aliu për “Kosova Sot”.

Badallaj: Bandës në pushtet ia pamë sherrin

Analisti Reshat Badallaj thotë se Bashkësia Evropiane nuk është pa faj, ajo shihet edhe nga naivët se më shumë e përkëdhel Serbinë fashiste se Kosovën, por Bashkësia Evropiane është me shumë faj, edhe pse nuk ua merr vizat këtyre politikanëve që unë gjithmonë i quaj banditë, bile banditë shkuar banditëve. “Pra, kësaj kopeje banditësh nuk duhet dhënë fare vizat, që të bredhin sallamadi dhe bile e harxhojnë për së tepërmi edhe fondin e buxhetit të shtetit dhe jo të lejohet të pësojë shumë keq një popull i tërë, i pafajshëm për këta hajna, matrapazë dhe mafio-oligarkë të kanaleve të nëntokës kriminale. Pra, jo vetëm Evropa, por shumë shtete nuk po na bëjnë hesap krejt me fajin e këtyre politikanëve të paaftë dhe të papjekur dhe kryekëput si mangupë, dhe mu për këtë e bëjnë këtë pazar joserioz, sepse u kanë rënë në sy se janë bandë që në krye të Kosovës kanë ardhur me vota të vjedhura dhe të blera dhe ata i hetojnë, se këta nuk kanë kapacitete dhe për asgjë ua zënë bishtin me derë”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

Injorimi i Brukselit

Sipas analistes Liridona Bislimi, presioni është i padrejtë që vjen nga BE-ja, pasi që përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politika të sigurisë, Federica Mogherini, ka thënë vazhdimisht se Qeveria e Kosovës duhet të revokojë menjëherë vendimin për rritjen e taksës në 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake dhe sipas saj ky veprim është në kundërshtim me “frymën” e MSA-së, e ndërsa si duket ajo ka harruar kërkesën tonë që 5 muaj drejtuar Mogherinit, që të prononcohet kundër ndarjes së Kosovës, që të reagojë kundër Serbisë që po punon në mënyrë agresive kundër Kosovës, duke e shkelur “frymën” e normalizimit të marrëdhënieve dhe të na lejohet e drejta si shtet që BE-ja t’i përmbushë obligimet e saj ndaj Republikës së Kosovës. Mirëpo, fajin e bartë edhe klasa jonë politike.“Çuditërisht ajo vetëm ka heshtur, mos të themi që i ka injoruar këto kërkesa. Kështu Mogherini ka humbur përfundimisht gjithë kredibilitetin e saj, duke e shndërruar veten si një person aspak të pëlqyer nga qytetarët tanë. Vështirë se dikush mund ta imagjinonte se pas një dekade që kur edhe u shpall pavarësia shteti i Kosovës do të ishte në një gjendje kaq të rëndë. Askush nuk e kishte imagjinuar se Kosova, për shkak të kësaj klase politike tërësisht të inkriminuar, do të izolohet ndërkombëtarisht, do të ketë mafinë kriminale që udhëheq shtetin në të gjitha nivelet e qeverisjes, që nuk do të ketë sundim të ligjit, që do ta kemi arsimin më të dobëtin në rajon e më gjerë, me shëndetësinë më të keqe jo vetëm në rajon, por edhe më keq se vendet afrikane, pa zhvillim ekonomik dhe shteti do të dorëzohet në duart e mafio-oligarkëve, të cilët e kanë degraduar pozitën e Prishtinës zyrtare në Bruksel, saqë Brukseli na bën hesap si për të retarduar mentalë, përderisa lejojmë që politikanë të inkriminuar të na udhëheqin shtetin, asnjë shtet në botë nuk do të na marrë seriozisht”, vlerësoi ai.“Kosova dhe qytetarët e saj kanë mbetur peng i një grushti individësh të inkriminuar, të cilët për interesa personale e të një grupi të ngushtë po e çojnë këtë vend drejt shkatërrimit dhe falimentimit. Prandaj, politika kosovare dhe shoqëria në tërësi duhet që sa më parë të lirohen nga këta njerëz, në mënyrë që të ecet përpara me njerëz normalë dhe të shkojmë në zhvillime të përgjithshme ekonomike, por edhe në rrugën tonë integruese që e presin Kosovën”, potencoi Bislimi për “Kosova Sot”.

Qarri: Serbia të paguajë të gjitha dëmet e luftës!

Analisti Gani Qarri tha për “Kosova Sot” se oferta e zonjës Mogherini jo vetëm se tingëllon tepër skandaloze deri në ofendim, por edhe qenka çdo gjë tjetër përpos ofertë e njëmendtë. “Ajo as nuk e paska turp të kërkojë nga Kosova suspendimin e taksës 100%, në mënyrë që si kundërshpërblim BE-ja të "avancojë" Kosovën nga nofka e tejkaluar UNMIK në Kosovo*, sërish të nënçmuar, por tanimë me fusnotën e Hashimit! Fatkeqësisht kjo dëshmon më së miri se sa rëndë e ka degraduar pozitën e Kosovës zyrtare në Bruksel kjo klasë politike tërësisht e kriminalizuar, saqë edhe Brukseli vetë të mos na marr seriozisht si shtet dhe të na bëjë hesap si të retarduar mentalë, përderisa ne edhe pas afro dy dekadash të çlirimit lejojmë që politikanë të tillë këmbë e krye të inkriminuar ta udhëheqin shtetin tonë të brishtë”, u shpreh ai.“Për aq më keq, është fakt se përderisa në pushtet të kemi politikanë kaq të inkriminuar dhe të shantazhuar deri në fund, asnjë vend në botë nuk do të na marr as të na trajtojë seriozisht, si njerëz dhe shtet i njëmendtë. Vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohet edhe nxitimi evropian për të adresuar me aq urgjencë një temë që ka prekur interesat biznesore vetëm të Serbisë dhe hezitimi i BE-së, për të trajtuar seriozisht izolimin e vendit tonë, një qasje kjo tërësisht diskriminuese e Brukselit ndaj Kosovës. Por, përkundër të gjithave që po ndodhin kohët e fundit kundër vendit tonë, duke pasur parasysh se nga çfarë politikanësh të llojit të kriminalizuar udhëhiqet Kosova, përgjegjësinë assesi nuk mund t'ua lëmë vetëm zyrtarëve të BE-së, por pikësëpari, ne vetë është e udhës që llogari të kërkojmë nga të zgjedhurit tanë, të cilët për gati dy dekada me radhë tallen në vijimësi me popullin e Kosovës”, vijoi më tej Qarri.“Ndaj kurrsesi nuk duhet lejuar që as para kërkesave denigruese të BE-së të hiqet taksa 100% pa e njohur përfundimisht Serbia Kosovën si shtet të pavarur dhe pa paguar të gjitha demet e luftës të shkaktuara nga soldateska kriminale e Serbisë në Kosovë, dënuar në mënyrë meritore në bazë të ligjeve ndërkombëtare për dhjetëra mijëra përdhunimet e kryera dhe kthyer në atdhe trupat e më se 1600 të kidnapuarve”, tha Qarri për “Kosova Sot”.

 Propozimi joserioz

Prof. Muhamet Kelmendi po ashtu konsideron se oferta e Frederica Mogherinit, nëse mund të quhet ashtu, nuk ka karakter serioz dhe si e tillë nuk është ofertë. “Heqja e UNMIK nga CEFTA fare nuk ka rëndësi. Atë mund ta bëjë Kosova kur të dojë. Kosova është shtet dhe si i tillë duhet të sillet. Në fakt Mogherini i ka dëmtuar shumë sovranitetin dhe shtetin e Kosovës. Ajo ka dëmtuar tërë pavarësinë e shtetit dhe gradualisht e ka rikthyer shtetin te vartësia e shtetit serb, gjë që edhe me këtë ofertë mu këtë pikësynim e ka. Ajo e detyroi qeverinë Mustafa-Thaçi të nënshkruajë marrëveshje pas marrëveshjeve. Me ato u kufizua shtetësia dhe gradualisht e humbi Kosova pavarësinë. Kështu u ndërtua veriu i Kosovës. Komunat serbe morën shumë kompetenca, u aprovuan Gjykata Speciale dhe Marrëveshja mbi asociacionin serb. Tërë këto veprime e kufizuan shtetin tonë. Tash doli kjo zonjë edhe me ndryshimin e kufijve të Kosovës në llogari të shtetit serb”, u shpreh ai.“Faktet flasin se këtë zonjë,  Federica Morgherinin, nuk duhet dëgjuar. BE-ja çdo shtet veç e veç duhet sqaruar se nën kryesinë e saj nuk ka bisedime të suksesshme me shtetin serb; nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje e kapshme dhe domethënëse. Z. Mogherini në Bruksel duhet t’i refuzohen idetë e saja për Kosovën në raport me Serbinë. Z. Ramush Haradinaj duhet qartë dhe prerë të tregojë shkaqet dhe faktet e kundërshtimit”, theksoi Kelmendi. Ndërsa, deputeti Ali Lajçi nga VV-ja thotë se është i mendimit se nuk duhet lëkundur përballë presionit për heqjen e taksës, sado që  mendon që ky lloj presioni ka për prapaskenë vazhdimin e  agjendave të tjera në bisedime, që ndërlidhen me bisedimet për kompromis dhe ndarjen e sovranitetit me serbët lokalë të kontrolluar nga Serbia në veri të Kosovës. “Kjo oferta e fundit e Mogherinit është vetëm një model i atyre negociatave të atij avazi të vjetër edhe nuk mund të paraqesë diçka të re dhe pozitive për Kosovën, vetëm nëse kjo tenton që procesi të hyjë drejt legjitimimit të një asociacioni, me ato kompetencat ekzekutive. Atëherë akoma më shumë mund të na nxjerrin probleme neve dhe ajo prapë duhet të ritheksohet si diçka e papranueshme,  duhet të mbetet e dështuar dhe të mos lejohen kompromise të tilla”, tha Lajçi për “Kosova Sot”.

 Qytetarët, kundër shfuqizimit të taksës

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta konsiderojnë se nuk duhet të ketë tërheqje mbrapa, sepse kjo do të turpëronte akoma më shumë shtetin e Kosovës, politikën dhe vetë qytetarët. Qytetari Hetem Maqedonci tha se është koha që tani të mendohet edhe nga politika tek ajo kërkesa e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu për bashkimin e thuprave, që kjo politikë më në fund të jetë unike dhe e pathyeshme. “Skënderbeu ka thënë që 7 thupra duhet të bashkohen dhe kjo kur të krahasohet me faktin që për formimin e ushtrisë arritëm t’i kemi si klasë politike 107 vota në Parlament, mendoj që edhe në temat tjera kështu duhet të jetë politika e bashkuar, edhe pse për këtë temë të Ushtrisë presidenti do të shkojë në KS të OKB-së, ku mundë t’ia tërheqin veshin e ne të mos e dimë, por vetë fakti po tregon që kur politika është e bashkuar, si thuprat e Skënderbeut, po hallakaten edhe BE-ja edhe Serbia, prandaj ne nuk duhet të lejojmë që dikush ta shfrytëzojë një dobësi tonën si Kosovë, që të na hakmerret për të na nënshtruar. Në fakt janë në skenën politike dhjetëra parti politike, por kur është fjala për shtet duhet të jenë të gjithë unike, sikur që u treguan së fundi. Edhe për këtë kërkesën e kompromisit që ofron zonja Mogherini mendoj se edhe këtu Kuvendi duhet ta japë qëndrimin e vet, sepse ata janë përfaqësues të popullit, janë zëri i popullit, e zëri i popullit është fjala e popullit”, vlerësoi Maqedonci. Kundër çfarëdo tërheqje mbrapa është edhe qytetari tjetër, Sokol Plakolli.“Unë mendoj që duhet të vazhdohet me këtë veprim dhe nëse këta e heqin taksën, kjo tregon që ose janë të shantazhuar ose nuk e kanë pasur përnjëmend që në fillim, ose nuk kanë forcë për ta quar deri në fund. Unë mendoj që këtu nuk është dhe nuk duhet të jetë Evropa vendimmarrëse, ne jemi vendimmarrës”, u shpreh ai. Sipas tij, vendosja e kësaj takse e bëri një kthesë dhe tani kjo duhet të mbahet, të mbrohet dhe të mos tërhiqet.

(Kosova Sot)