Hashim Thaçi i dërgon shokët e tij te “kasapi”

  • 18 December 2018 - 14:38
Hashim Thaçi i dërgon shokët e tij te “kasapi”

“Refreni i kreut të shtetit se "Luftëtarët tanë të lirisë, çdoherë kanë qenë shembull, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë" - është një kushtrim qe të gjithë luftëtarët duhet të shkojnë lehtas tek kasapi. E më këtë Thaçi kërkon lehtësime për vete”, shprehet Bojaj.

Analisti politik dhe ish gazetari, Ramiz Bojaj, në një prononcim për gazetën Kosova Sot, ka folur lidhur me ftesat nga Gjykata Speciale dhe thirrjen e Thaçit që ish komandantët dhe ushtarët e UCK-së të dorëzohen në Speciale.

“Presidenti Hashim Thaçi duke kërkuar qe të gjithë luftëtarët e lirisë të ftuar nga Gjykata Speciale, të dorëzohen pa asnjë kundërshti, është vetëm edhe një lajkë qe ky njeri i bën testimit të 'drejtësisë' nga një gjykatë e padrejtë, e njëanshme dhe diskriminuese ndërkombëtare.  Gjykata Speciale është produkt i vet presidentit dhe klaneve 'pronto' të cilët shkatërruar sistemin e drejtësisë në Kosovë. Themelimi i kësaj gjykate ndërkombëtare erdhi, pikërisht për shkak të vrasjes së drejtësisë nga pushtetarët e kriminalizuar e të korruptuar të Kosovës, që nga paslufta”, ka thënë Bojaj.

Më tej, sipas tij klani “Pronto” është fajtori kryesor i dyshimit të drejtësisë në Kosovë.

“Klani 'Pronto" jo vetëm qe ka lënduar procesin e shtetndërtimit të Kosovës, por është kontribuesi kryesor i ndikimit dhe dështimit të sistemit gjyqësor edhe të UNMIK-ut, të Tribunalit të Hagës dhe të EULEX-it. Kjo për faktin se manovrimet e kësaj klike politike e kriminale ishin kapja dhe monopolizimi i të gjitha segmenteve të drejtësisë, ndërsa bashkëpunimi me ndërkombëtarët u bë me të vetmin kusht; që 'peshqit' e mëdhenj të mos ndiqen nga drejtësia, duke u fshehur pas luftës së Kosovës, pas lirisë, drejtësisë, paqes, shtetndërtimit etj. Në fakt të gjitha segmentet e shtetit u vunë në pazar (duke përfshirë edhe sovranitetin e integritetin territorial) vetëm që të 'mëdhenjtë' të amnistohen nga gjahu i drejtësisë”, shprehet Bojaj për Kosova Sot.

Image
Ramiz Bojaj

Ai shtoi se Themelimi i Dhomave të Specializuara është shantazh dhe presion për të akuzuarit e kësaj gjykate.

“Sidomos për pushtetarët e apostrofuar, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë 'peshqit' më të vegjël, për të shpëtuar veten. Refreni i kreut të shtetit se "Luftëtarët tanë të lirisë, çdoherë kanë qenë shembull, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë" - është një kushtrim qe të gjithë luftëtarët duhet të shkojnë lehtas tek kasapi. E më këtë Thaçi kërkon lehtësime për vete. Kosova në rrugën e saj për integrimet evropiane e euro-atlantike dhe në NATO, duhet të pastrohet nga pengu e shantazhit për 'fajësinë' e shpikur”, deklaron ai.

Për fund, Bojaj deklaron se nëse Specialja dështon të zbardhë vrasjet politike në Kosovë, atëherë dëshmon se ajo është patericë e segmenteve politike të aleancave antishqiptare

“Në fund të fundit, Gjykata Speciale do të trajtojë faktet dhe dëshmitarët dhe nëse këto mungojnë atëherë nuk ka pse të trembët askush. Kosova u lëndua edhe nga brenda. Aktivitetet kriminale të pasluftës siq janë: vrasjet politike, atentatet, shantazhet .... të ndodhura brenda Kosovës mund të qojë në zbardhjen e këtyre rasteve. Dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë edhe Gjykata Speciale dëshmon se është patericë e segmenteve politike të aleancave antishqiptare. Kosova nuk duhet të tentojë të maskojë asnjë njeri, sepse lufta jonë ishte për liri në përballje me agresionin e fashizmit të Sllobodan Milloshviqit. Ata qe kanë devijuar nga kjo vijë duhen të demaskohen herët a vonë, pavarësisht se në cilën shkallë apo në instancë mund të ndodh.  E dhimbshme kjo në dukje të parë, por e domosdoshme. Në Kosovë u vranë, u shantazhuan e u masakruan dhjetëra intelektualë e atdhetarë shqiptarë, por qe dorasit, organizatorët, nxitësit..... ende mbesin të lirë, e ndoshta edhe posedojnë poste të larta politike. Me drejtësi të kapur e më një klasë politike të shantazhuar Kosova nuk mund të ecë përpara, andaj edhe me këtë rast, duhet ta dëshmojmë pafajësinë tonë si shtet dhe si shoqëri”, përfundon ish gazetari dhe analisti politik, Ramiz Bojaj.

(Kosova Sot)