Gjenden të vdekura dy turiste skandinave në Marok

  • 18 December 2018 - 14:46
Gjenden të vdekura dy turiste skandinave në Marok

Ministri i brendshëm i Marokut ka njoftuar se dy turiste skandinave janë gjetur të vdekura dhe me prerje në qafë. Të dy trupat u gjetën afër qytetit Imlil në vargun e maleve të larta të njohura si Atlase. Zyrtarët e Danimarkës dhe Norvegjisë, nga të cilat vende ishin turistet, kanë konfirmuar se familjet e viktimave janë njoftuar për rastin.

Sipas autoriteteve marokene, një person i dyshuar në lidhje me këtë rast është arrestuar në qytetin e Marrakeshit. Ai po mbahet në ndalim policor për ta zbuluar motivin e krimit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar dhe pritet të arrestohet edhe disa persona tjerë që janë identifikuar si të dyshuar për pjesëmarrje në këtë krim. Kështu ka deklaruar zyra qëndrore e hetimit të krimeve.

Dy gratë kanë qenë duke qëndruar në një tendë dhjetë kilometra nga Imlili, ndërsa trupat e tyre janë gjendur brenda tendës afër pikës më të lartë mbidetare të Afrikës Veriore. Njëra nga gratë ishte një 28-vjeçare nga Norvegjia, ndërsa tjetra është nga Danimarka, por policia daneze nuk e ka bërë të ditur identitetin e saj, shkruan “BBC”

(Kosova Sot)