Kapiti: Deklaratën e ministrit të drejtësisë nuk e beson ndokush

  • 18 December 2018 - 15:03
Kapiti: Deklaratën e ministrit të drejtësisë nuk e beson ndokush

Njohësi i kësaj fushe, Skënder Kapiti, mendon se edhe nëse kjo qasje e paralajmëruar e ministrit Tahiri provon të jetë dhe bëhet serioze, ajo nuk do të lejohet të vihet në zbatim nga grupet kriminale, pasi që ato akoma janë më të fuqishme se drejtësia dhe se vullneti politik i ndonjë individi, në këtë rast edhe vullneti personal që mund të ketë ministri Abelard Tahiri. Prandaj Kapiti thotë se pa VETTING nuk beson që mund të realizohet ky zotim.

"Deklaratën e ministrit të Drejtësisë z. Tahiri, se në vitin 2019 do të fillojë konfiskimi i pasurive të zyrtarëve të lartë dhe do të shkatërrohen grupet kriminale , nuk e beson ndokush. Atëherë pyesim se përderisa Ju i njihni dhe i dini se kush janë këta individë të pozitës së lartë, të cilëve u duhen konfiskuar pasuritë e fituara në mënyre të paligjshme, kush ju paska penguar Ju, institucionin tuaj dhe paraardhësit tuaj që t'i kallëzoni ata në prokurori dhe t'i padisni në gjykatë?! Ju nuk mund t'ua konfiskoni askujt pasuritë pa vendimmarrje gjyqësore.

Kjo tregon se gjykata dhe prokuroria pritkan urdhrat tuaj, të politikës dhe të pushtetit për të vepruar, pasi dhe përderisa politika dhe pushteti e paska të sajën edhe drejtësinë. Pyetje tjetër mosbesimi që i bëhet këtij ministri është edhe kjo: Edhe nëse ministri e ka seriozisht angazhimin dhe vullnetin për konfiskimin e pasurive dhe të luftimit të grupeve kriminale, a janë në një linjë me të drejtësia, gjyqtarët dhe prokurorët e sotëm", u shpreh ai.

"Pra, nëse ka krim, korrupsion, padrejtësi dhe grupe kriminale, kush i ka penguar këta gjyqtarë dhe prokurorë për hetimin dhe ndëshkimin e tyre deri më tani. Përgjigjja është e lehtë, se drejtësinë në Kosovë për të vepruar dhe për të funksionuar e ka penguar politika, politikanët qeveritarët dhe prokurorët e gjyqtarët, të cilët vetë ata janë problemi dhe antiligji.

Shprehja dhe deklarimi i ministrit janë tipike si një premtim verbal politik elektoral dhe asgjë më shumë. Duhet tjetër gjë të bëhet i besueshëm ministri, të paktën pse ai si ministër bashkë me deputetët e grupit të tij parlamentar të subjektit politik prej të cilit ai ka marrë postin e ministrit, madje edhe po qe se mund të ishte deputet i pavarur, ai pse nuk e merr angazhimin për miratimin në Parlament të VETTING-ut, i cili do ta bënte të mundur reformimin dhe pastrimin e drejtësisë prej këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët e kanë kapur drejtësinë dhe nuk e zbatojnë ligjin. Nëse dëshiron me të vërtetë konfiskimin e pasurive të pushtetarëve të lartë, të atyre që e kanë bërë pasurinë në rrugë të paligjshme, e pyesim përsëri ministrin se kush do t'ua konfiskojë pasuritë edhe të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, të cilët e kanë fituar edhe shumë nga ata me korrupsion dhe duke abuzuar me ligjin?!

Pra, lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk bëhet me deklarata e premtime politike sa për t'u dukur dhe për konsum publik, por duhet një ndërmarrje e thellë dhe rrënjësore për të çmontuar krimin dhe korrupsionin nga sistemi. Dhe këtë e bën vetëm VETTING-u, ashtu si në Shqipëri, ku fillimisht llogaridhënie po japin gjyqtarët dhe prokurorët për pasuritë e tyre", vlerësoi Kapiti për "Kosova Sot".

 

Lexo edhe këtë: Pa VETTING nuk ka konfiskim të pasurive të paligjshme

 

(Kosova Sot)