Neziraj: KEK-u, një kompani e inkriminuar

  • 18 December 2018 - 15:06
Neziraj: KEK-u, një kompani e inkriminuar

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot", tha se problemi kryesor në ekonominë e vendit është ndërprerja e shpeshtë dhe pa paralajmërim e energjisë elektrike, e cila edhe sot e kësaj dite është duke ndodhur. "Kjo tregon se pas lufte Korporata Energjetike është menaxhuar shumë keq, si nga vendorët ashtu edhe ndërkombëtarët, dhe sot edhe pas shitjes së kësaj korporate po vazhdon avazi i vjetër", u shpreh ai.

"Korporata Energjetike për tërë këto vjet pas lufte vetëm ka shërbyer për punësim të disa militanteve të partive të caktuara dhe është pasuruar një grup i caktuar i njerëzve që kanë menaxhuar me këtë ndërmarrje publike. Andaj, na kujtohet fort mirë kur edhe një ndërkombëtar, Joe Trachler, akuzohej se vodhi me miliona euro donacione në emër të Korporatës Energjetike të Kosovës", theksoi Neziraj.

"Kjo ndërmarrje pas lufte vite me radhë ka marrë edhe mjete financiare nga buxheti i vendit, që e ka pasur për obligim t'i kthejnë këto mjete, por jo vetëm që nuk i ka kthyer kurrë këto para të taksave të qytetarëve të vendit, por ne jemi ngarkuar edhe me tarifat shtesë për energji të pashpenzuar, siç është rasti me pagesën e faturave për Veriun e Kosovës", vijoi më tutje ai.

"Nuk duhet të çuditemi fare se nuk do të ketë investitorë seriozë dhe investitorë të mëdhenj derisa ta kemi një korporatë të tillë energjetike ku nuk është në gjendje që të prodhojë dhe të furnizojë qytetarët tanë me energji as për amvisëri, e lëre më për biznese.

Së këndejmi, Qeveria jonë duhet që të ndërmarrë masa të shpejta për investime më të shpejta për kapacitete të reja energjetike me qëllim që të kemi energji të mjaftueshme për vendin tonë. Është për brengosje se ne flemë mbi thëngjill dhe kemi rezervat më të mëdha ne Evropën Juglindore dhe ne madje edhe sot, 20 vjet pas lufte po ballafaqohemi me mungesë të rrymës", ka thënë Neziraj.

 

Lexo edhe këtë: Flemë mbi thëngjill, 300 milionë dëme në biznes

 

(Kosova Sot)