Dënohet çifti që e emërtoi foshnjën e tyre Adolf, ishin anëtarë të një grupi neo-nazist

  • 18 December 2018 - 15:12
Dënohet çifti që e emërtoi foshnjën e tyre Adolf, ishin anëtarë të një grupi neo-nazist

Çifti që fëmijës së tyre ia kishin lënë emrin Adolf, sipas ish-diktatorit famëkeq, Adolf Hitler dhe që ishin pjesë e një grupi neo-nazist, janë dënuar me burgim të përgjithshëm prej 11 viteve e gjysmë nga një gjykatë në Britani.

Adam Thomas, 22-vjeçar, u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim, ndërsa Claudia Patatas, 38-vjeçare, u dënua me pesë vjet burgim nga Gjykata e Birminghamit pasi trupi gjykues i shpalli ata fajtorë për faktin se kanë qenë anëtarë të grupit “Veprimi Kombëtar”, i cili ishte ndaluar me ligj në Britani në vitin 2016.

Gjatë procesit gjyqësor, gjyqtarët thanë se Thomas dhe Patatas ia kanë lënë fëmijës emrin e mesëm Adolf, ndërsa në disa fotografi familjare shihet babai i fëmijës i veshur si anëtarët e grupit ekstrem “Ku Klux Klan”. Ai kishte aplikuar dy herë për t’u bërë pjesë e ushtrisë britanike, por kishte dështuar të pranohej.

Në anën tjetër, gruaja e tij, Patatas, më herët kishte punuar si fotografe e dasmave. Ajo i kishte thënë një anëtari tjetër të grupit se të gjithë hebrenjtë duhet të vdesin dhe se ajo dëshiron që t’i rikthejë kampet naziste të vdekjes, shkruan “CNN”.

 

(Kosova Sot)