Salivan: Rusia dëshiron ta minojë Marrëveshjen e Prespës, SHBA-ja qëndron pas Maqedonisë

  • 18 December 2018 - 15:13
Salivan: Rusia dëshiron ta minojë Marrëveshjen e Prespës, SHBA-ja qëndron pas Maqedonisë

Rusia dëshiron ta minojë Marrëveshjen e Prespës që e arritën Maqedonia dhe Greqia dhe do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për ta penguar anëtarësimin në NATO, deklaroi sot zëvendës-ndihmës sekretari amerikan John...

Rusia dëshiron ta minojë Marrëveshjen e Prespës që e arritën Maqedonia dhe Greqia dhe do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për ta penguar anëtarësimin në NATO, deklaroi sot zëvendës-ndihmës sekretari amerikan John Sullivan në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për ndikimin rus në rajon.

“Jam krenar që qëndroj këtu në emër të SHBA-ve për të dhënë mbështetje për atë që liderët politik dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë e dëshirojnë dhe ajo është hyrja në NATO dhe në BE. Nuk jam këtu që të inicioj diçka, por për ta mbështetur vendimin që u soll nën udhëheqje të guximshme të kryeministrit për anëtarësimin e vendit në BE dhe në NATO”, tha Sullivan.

Theksoi se nuk është sekret se Rusia është kundër Marrëveshjes së Prespës dhe askush nuk dyshon se do të bëjë gjithçka që mundet në interes personal kundrejt interesit të qytetarëve të Maqedonisë, për ta minuar procesin e zbatimit të marrëveshjes.

“SHBA-të megjithatë, e mbështesin dhe qëndrojnë pas Maqedonisë dhe nuk na befason ndikimi rus i rrugës që vendi e ka përzgjedhur . Ndikimi rus është i dukshëm edhe në vendet tjera të botës, pra edhe përzierja e tyre në zgjedhjet në SHBA në vitin 2016 tani më është e njohur”, shtoi zëvendës-sekretari amerikan i shtetit.

Ai theksoi se SHBA-të kanë për qëllim t’u ndihmojë edhe qeverive tjera në zbulimin e të gjitha aktiviteteve që Rusia i ka ndërmarrë me qëllim që t’i minojë proceset legjitime dhe demokratike në shtetet.

Në pyetjen cilat janë rreziqet që Marrëveshja e Prespës të mos ratifikohet në Parlamentin grek, Sullivan tha se kjo është marrëveshje e arritur nga ana e dy liderëve të guximshëm dhe dy vendeve dhe SHBA-të beson fuqishëm në zbatimin e marrëveshjes.

Sullivan përkujtoi se sekretari shtetëror i SHBA-ve, Micke Pompeo para disa ditësh u takua me delegacionin grek, në kuadër të partneritetit strategjik midis SHBA-ve dhe Greqisë, me ç’rast e theksoi rëndësinë nga zbatimi i Marrëveshjes për dy vendet, si për Maqedoninë ashtu edhe për Greqinë.

“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është i rëndësishëm për prosperitetin e dy vendeve, për Greqinë dhe për Maqedoninë. Dy kryeministrat treguan udhëheqje të guximshme dhe SHBA-të krenohet me një marrëveshje të tillë që është arritur midis dy vendeve. Edhe më tej do të vazhdojnë ta mbështesim zbatimin e marrëveshjes dhe kjo është një prej arsyeve për vizitën time në Shkup”, tha Sullivan.

Lidhur me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe nëse ka edhe rrezik minimal që të mos ketë sukses ai proces, kryeministri I Maqedonisë Zoran Zaev tha se garancia më serioze për suksesin e procesit është inkluziviteti i tij, përmes të cilit në mënyrë aktive marrin pjesë një numër i madh i deputetëve, e jo vetëm tetë deputetët nga grupi i ri i deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

“Kjo u konfirmua që nga vetë debati për konfirmimin e punës për hapjen e ndryshimeve kushtetuese, ku u  futën sugjerimet e tetë deputetëve, në fazën e dytë gjithashtu kur u fol për projekt-amendamentet dhe në fazën e tretë dolëm me amendamente në të cilat tekstualisht është futur gjithçka që ishte në frymën e marrëveshjes, që u propozua edhe nga partitë e Maqedonisë dhe nga partitë politike shqiptare. Kjo është garancia më serioze për implementimin e marrëveshjes”, tha Zaevi.

Kryeministri theksoi se përfundimi i suksesshëm i këtij procesi në Kuvend është bileta e Maqedonisë për hyrje në NATO.

“Paralelisht me këtë proces, neve na mbetet të vazhdojmë me reformat në gjyqësi, shërbimet e sigurimit dhe administratën publike. Duhet të jemi të sigurt se deri në mes të vitit të ardhshëm, në Komisionin Evropian në Bruksel do të dorëzojmë rezultatet kredibile që të konfirmohet vendimi i KE-së”, tha Zaevi.

Paraprakisht, në konferencën e përbashkët për shtyp me Zaevin, Sullivan tha se SHBA-të fuqishëm e mbështesin Marrëveshjen e Prespës që e hap rrugën e Maqedonisë për ta marrë vendin e merituar në BE dhe në NATO.

“SHBA-të angazhohen për një Evropë Juglindore stabile dhe të sigurt, ndërsa Maqedonia është faktor kyç në rajon për arritjen e këtij qëllimi”, porositi Sullivan.

Ai shprehu lëvdata për kryeministrin Zaev dhe për shefin e diplomacisë Nikolla Dimitrov, si dhe për deputetët të cilët i mbështetën ndryshimet kushtetuese. U bëri thirrje edhe deputetëve tjerë për të dhënë mbështetje dhe t’i largojnë mënjanë synimet e ngushta partiake dhe t’i ndjekin interesat kombëtare.

“Votat tuaja e vendosën vendin tuaj në rrugën e një të ardhme të sigurt dhe me prosperitet. Siç vazhdon procesi në Kuvend, ashtu i inkurajojmë më shumë deputetët për t’i lënë mënjanë interesat partiake dhe të mbesin të fokusuar në qëllimet e përbashkëta strategjike. Nuk ka alternativë tjetër, shpresat për një të ardhme më të ndritshme për vendin tuaj janë të arritshme”, theksoi Sullivan.

Kryeministri Zaev vlerësoi se vizita e zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit është edhe një dëshmi për mbështetje të vazhdueshme të SHBA-ve për Republikën e Maqedonisë.

Zaevi theksoi se synimet kryesore strategjike të Maqedonisë mbesin anëtarësimi në BE dhe në NATO. Porositi se Maqedonia është e përkushtuar në bashkëpunimin rajonal dhe angazhohet për Ballkan të fuqishëm dhe stabil me mbështetje të BE-së dhe SHBA-ve.

“Në Republikën e Maqedonisë krijuam kushte për ambient politik që do ta mundësojë realizimin e Marrëveshjes nga Prespa në tërësi dhe se rreziqet i ulim në minimum, ndërsa përfundimi i suksesshëm në Kuvend është bileta jonë për të hyrë në NATO”, tha Zaevi.

Ai shtoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në reformat që të dorëzohen rezultate kredibile dhe të konfirmohet vendimi për hapjen enegociatave për anëtarësimin e Maqedoninë në BE.

(Kosova Sot)