Gjykatat vazhdojnë t'i shpallin të gjithë të pafajshëm, përfitojnë nga kjo amnisti edhe krerët e Telekomit

  • 18 December 2018 - 15:33
Gjykatat vazhdojnë t'i shpallin të gjithë të pafajshëm, përfitojnë nga kjo amnisti edhe krerët e Telekomit

Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë akuzën ndaj dy ish shefave ekzekutivë të Telekomit, Agron Mustafa dhe Ejup Qerimit, si dhe ish-udhëheqësit të Bordit, Rexhë Gjonabalaj.

Artan Qerkini, avokat i Agron Mustafës, ka thënë  se Gjykata Themelore ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj tre udhëheqësve të Telekomit.  

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën ndaj Mustafës, Qerimit e Gjonbalajt për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.

Në dhjetor në vitit 2016, Gjykata e Arbitrazhit vendosi në favor të Z-Mobilet kundër Telekomit, për shkak se u konstatua se kompania publike nuk i ka përmbushur obligimet e marrëveshjes që ka me Z-Mobile prej vitit 2009.

Prokuroria nisi hetimet ndaj udhëheqësve të Telekomit, pasi asnjëherë nuk u sqarua pse nuk përmbush marrëveshja me operatorin mobil Z-Mobile, që çoi deri në dënimin e kompanisë publike me 30 milionë euro nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit.

Sipas aktakuzës që tashmë është hedhur poshtë, Ejup Qerimi gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërsa, Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri në momentin kur më datë 24.05.2017, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër, duke iu referuar Z-Mobile.

Z-Mobile, ligjërisht, doli të jetë e dëmtuar nga e gjithë historia 10-vjecare e marrëveshjeve me Telekomin. Ndërkaq nga kjo marrëveshje, është kompania publike ajo që është vënë afër falimentimit.

(Kosova Sot)