Burgoset përkrahësi i ISIS-it që e kishte nxitur të dashurën t’ua hiqte kokën prindërve

  • 18 December 2018 - 16:24
Burgoset përkrahësi i ISIS-it që e kishte nxitur të dashurën t’ua hiqte kokën prindërve

Një i ri 18-vjeçar, Sudesh Amman, i cili është përkrahës i ISIS-it, është burgosur nga policia britanike. Ai kishte deklaruar se dëshiron të kryejë sulm terrorist dhe për këtë qëllim kishte mbledhur një thikë lufte, një pushkë dhe një flamur të zi në shtëpinë e tij në Londër.

Ai u dënua me tri vjet e katër muaj burgim për shpërndarje të materialeve terroriste dhe mbledhje të informatave të nevojshme për sulme terroriste, pasi policia paraprakisht ia kishte gjetur një grumbull dokumentesh udhëzuese për montim të bombave. Pasi u dënua nga gjykata, i riu buzëqeshi dhe i përshëndeti të pranishmit.

Në bisedat e zhvilluara në mënyrë elektronike, ai i kishte thënë të dashurës së tij dhe një shoku se i urren njerëzit pabesimtarë dhe madje e kishte nxitur të dashurën që t’ua hiqte kokën prindërve të saj, të cilët, sipas tij, janë njerëz pabesimtarë.

Specialistët e forenzikës ia gjetën atij rreth 350 mijë dosje të dhënash në laptop, telefon dhe pajisje tjera elektronike, në mesin e të cilave kishte materiale udhëzuese për teknikat e luftës, luftimin me thikë dhe montimin e bombave.

“Dëshira e tij për të vdekur në emër të terrorizmit ishte e qartë dhe këtë e zbuluam në pajisjen elektronike të tij. Ky ishte qëllimi i tij kryesor dhe për të vdekja si martir ishte më e rëndësishme se jeta me familjen”, tha hetuesi policor, Alexis Boon, shkruan “Independent”.

 

(Kosova Sot)