Dashuria e 'ngujuar' nën dry te 'Ura e Lanetit'

  • 18 December 2018 - 16:27
Dashuria e 'ngujuar' nën dry te 'Ura e Lanetit'

Prizreni, buzë Lumëbardhit ka mbi 27 ura, me material të fortë, pa numëruar ato të konstruksioneve të hekurta, të ndërtuara rishtas. Këto ura secila në vete ka nga një histori. Shënimet e një studiuesi të vjetër, H. Kalleshi, flasin se në shekullin XVII mbi Lumëbardhë kishte 9 ura, por nuk dihet vendi i tyre, sepse atëbotë Lumëbardhi kishte tjetër rrjedhë dhe kalonte pranë secilës shtëpi në formë jazi. Secila nga këto ura ka nga një histori më vete dhe secila ka një arsye të kësaj historie. Ura e Gurit është njëra ndër karakteristikat se ky qytet dikur ishe kasaba, siç ishin edhe Shkupi e Vushtrria. Tani së fundi edhe 'Ura e Lanetit', 'Ura e Kaltër', u shndërruan me idenë e një aktiviste të shoqërisë civile, Doruntina Ukimeri, në një urë dashurie. 'Ura e Lanetit' thuhet se ishte ura që më së shpeshti rrëzohej dhe merrte formën e Urës së Rozafës. 

E vetmja në Kosovë

Mirëpo, në vitin 1908 kjo urë u vërshua dhe u rrënua. Reisi i Prizrenit, Haxhi Rifati, tha se kjo urë i përket 'djallit'. Nga ajo ditë edhe morri emrin "Ura e Lanetit". Po kështu secila nga urat ka nga një histori më të "butë", apo me të dhembshme. Vetë simbolika e urave thuhet në këtë qytet ka shumë rëndësi, sepse bashkonte dy brigje, bashkonte një trup si tërësi. Ura e vjetër e re Kërkbunarëve, Ura e Manastirit të Kryeengjëjve, Ura e hidrocentralit 'Prizrenasja", tani dy urat e para, e KFOR-it, e dyta e TMK-së, ajo e Jabllanicës, Ura e mullirit të Dehirëve,Ura e Mirashit, Ura e Lidhjes, Ura e Therandës, që dikur ishte Ura e Arastës, Ura e Vjetër e Gurit, Ura e Lanetit, Ura e rinisë, Ura e Beledies, Ura e Sozi Çelebisë, ndër më të vjetrat e këtij qyteti, Ura e Drurit, Ura e Kaçanikut, Ura e Buzagillëkut, që në popull quhet Ura e Vjetave. Prof. Dr. Mejdi Elezi, historian, shpjegon se Ura e Suzi Çelebiut pa dyshim është në mesin e projekteve të lashta të urave që konsideronin si kryevepër dhe thuhet se ajo urë u ndërtua nga një pasha i lartë që deshi t'ia kthejë borxhin këtij poeti të madh që kishte bërë shumë për Prizrenin. Në gjuhën e kohës e quanin poeti i madh nga Zerreni, Nehari e bëhej fjalë për Soziun, pasi që ai kishte ngritur një bibliotekë të parën në Ballkan si shenjë nderimi atij iu ngrit ura si dhuratë, pasi që ajo lidhte lagjen e traditës. Në Prizren tani më shumë të rinj ia mësyjnë "Urës së Dashurisë", që është e vetmja në Kosovë. Këtu të rinj pas miratimit të dashurive vendosin të vijnë këtu, që atë dashuri ta mbyllin përgjithmonë bashkë. Ne takuam të rinj nga Gjakova, Peja, Gjilani, Ferizaj e nga Prishtina, bile edhe nga Shqipëria, që kishin ardhur dhe vendosën drynin e dashurisë. Ata me këtë rast përdorin një lutje të përbashkët, "Si ky dry që mbyllet e nuk hapet, ashtu e përbashkojmë dashurinë tonë. Pastaj mbyllim drynin dhe çelësin e drurit e hedhin larg në Lumbardhë, që ta marrë ujë e që jeta e këtyre të jetë e rrjedhshme". 

Të rinjtë nga Berati duan një urë me emër të njëjtë në qytetin e tyre

Agnesa dhe Burim Gashi, të ardhur nga një fshat i Gjakovës, u shprehën për "Kosova Sot" se kanë ardhur këtu sepse ka një javë që janë fejuar. "Erdhëm këtu sepse këtu dëgjuam se nëse vendosim një dry, ky dry do të mbyllë mundësitë që dikush të bëjë edhe sehire. Prandaj, erdhëm këtu sepse fejesa jonë ishte me mjaft kundërshtime", theksoi Agnesa për gazetën. Edhe të rinjtë nga Tirana i takuam te "Ura e Dashurisë". Bruna dhe Altin Keso, dy të rinj të dashuruar, thanë: 'Po e vendosim këtë dry këtu duke shpresuar se dashuria jonë do të rrjedhë si ky ujë nën këtë urë. Jemi shumë të dashuruar dhe duam që dashuria jonë të ketë rrjedhshmëri pa fund". Kjo urë tashmë është bërë edhe një pikë e rëndësishme për të gjithë vizitorët. Prizreni, me të gjithë këto veçanti, domosdo se po bëhet një qytet i dashur dhe i këndshëm, thonë shumë vizitorë. Por, ata nga Shqipëria tashmë po mbeten shumë të kënaqur me ato që shohin në këtë qytet historik. Ata theksojnë se gjëra të këtilla kanë parë në Gjermani e Francë, por jo diku tjetër dhe mbesin të fascinuar. Dy të rijë nga Berati Alisa dhe Marku thanë se do të nisin iniciativën që një urë të këtillë ta emërojnë edhe në qytetin e Beratit.

 

(Kosova Sot)