Mendonte se kishte burrë perfekt, e ai kishte tri gra të tjera

  • 18 December 2018 - 16:46
Mendonte se kishte burrë perfekt, e ai kishte tri gra të tjera

Kemi të bëjmë me një rrëfim mahnitës të rrenave dhe mashtrimeve, rreth një gruaje, e cila zbuloi se burri i saj 'spiun' kishte edhe tri gra të tjera. Mary Turner Thomson nga Edinburgu, ishte e bindur se kishte një martesë të përkryer me një njeri, i cili thoshte se ishte agjent i CIA-s amerikane. William Allen Jordan kishte 13 fëmijë, me gjashtë gra të ndryshme. Ai ishte një baba i kujdesshëm ndaj dy fëmijëve, që i kishte me Mary-n dhe, gjatë kohës sa ishte i martuar me të, kishte edhe një grua tjetër. Në vitin 2014 ai ishte burgosur për shkak të bigamisë, dmth se kishte pasur edhe dy gra të tjera. 

Mashtrimi me sterilitetin

Turner Thomson thotë se me Williamin ishte takuar online, derisa ishte grua pa burrë, nënë e një bebeje nëntë muajsh. Ai ishte shumë sharmant dhe kishin këmbyer disa emaila midis tyre. "Filluam të takoheshim dhe, vetëm pas dy javësh, ai më kërkoi që të martoheshim. E refuzova, por më pas u fejuam dhe u martuam, duke qëndruar në martesë për katër vjet. Pas gjashtë muajsh nga fillimi i lidhjes tonë, ngela shtatzënë, gjë që më befasoi, meqë ai më kishte thënë se, për shkak të sëmundjes së shytave, kur kishte qenë i ri, kishte mbetur steril.

E kishte keqpërdorur Mary-n edhe financiarisht

Jordan i thoshte gruas se ishte agjent sekret i CIA-s, i deleguar në MI5. Ai arsyetohej se duhej të punonte, por në fakt, ai shkonte për të parë familjet e tij të tjera. Ai e kishte keqpërdorë Mary-n edhe financiarisht, duke ia marrë gati 200,000 funte, gjoja për të paguar njerëzit që kërcënonin se do t'ua rrëmbenin fëmijët. Për t'i siguruar këto para, gruaja kishte shitur çdo gjë që kishte poseduar, shtëpinë, veturën, sigurimin jetësor, çdo gjë. Ndoshta Mary nuk do ta kuptonte kurrë të vërtetën sikur, në vitin 2006, të mos i telefononte një grua e quajtur Mischele Lewis, e cila i kishte treguar se edhe ajo ishte e martuar me Jordanin. Jordan u akuzua për bigami, për mashtrim dhe posedim ilegal të armëve. Pasi u lirua nga burgu, u përzu për në SHBA. 

 

(Kosova Sot)