Tomë Gashi zbulon detajet e fundit nga Haga: Të ftuar të Speciales njerëz të profilit të lartë

  • 18 December 2018 - 16:49
Tomë Gashi zbulon detajet e fundit nga Haga: Të ftuar të Speciales njerëz të profilit të lartë

Avokati i njohur, Tomë Gashi, në një bisedë për gazetën Kosova Sot, ka dhënë detaje të reja lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga Specialja që ftesa për klientët e tij të jetë zyrtare, e jo përmes telefonit.

“Unë në raste të Gjykatës Speciale punoj me dy avokat amerikan, Gregor GUY Smith dhe Colleen Rohan dhe me staf përcjellës. Ne kemi klient për të cilët jemi duke punuar aktivisht dhe jemi duke e pritur ftesën zyrtare pasi kam refuzuar qysh para 10 ditëve që ftesa për klient të bëhet përmes thirrjes telefonike dhe këtë e ka kuptuar fare mirë edhe prokurori në Hagë i Gjykatës Speciale”, ka thënë ai për Kosova Sot.

Më tej, Gashi ka treguar të ftuar të Speciales do të jenë edhe njerëz të profilit të lartë.

“Ne kemi kërkuar ftesa të jetë me shkrim dhe që ftesës t’i bashkëngjitet materiale përcjellëse i prokurorisë që të kemi kohë të mjaftueshme të përgatisim mbrojtjen e klientëve. Klientët tanë janë të profilit të lartë, por ne asnjë variant nuk e bëjmë publike identitetin e tyre pa e pas në formë të shkruar materialin  e kërkuar. Tanimë kemi kontaktet të shkruara me Prokurorin e çështjes në Hagë dhe është çështje e prokurorisë se kur do të jenë në gjendje të përmbushin kërkesat tona si avokatë që të mundë t’i ofrojmë klientëve tanë mbrojtje sa më efektive në Gjykatë Speciale në Hagë/Holandë”, shprehet Gashi për Kosova Sot.

Ai deklaron se numri i rasteve që do të shqyrtojë Gjykata Speciale do të jetë shumë më i madh, se sa ajo që është përfolur në Kosovë.

“Numri i atyre që do të ftohen duket se mund të jetë jashtëzakonisht i madh dhe shumë e më shumë se që është përfolur se mund të jenë vetëm 10 raste. Ndoshta edhe mund të jenë vetëm 10 raste por do të ketë mbi 100 te ftuar për intervistim pastaj do të ketë selektim kush do të akuzohet e kush jo”, nënvizon avokati.

Për fund, Gashi për Kosova Sot, thotë se viti 2019 do të jetë vit i Gjykatës Speciale.

“Sido të jetë viti i ri 2019 do të jetë tepër i nxehtë për ata që akuzohen dhe do të jetë viti i Gjyaktes Speciale dhe në Gjykatën Speciale gjithçka ama bash gjithçka është speciale”, përfundon avokati, Tomë Gashi.

(Kosova Sot)