Njohës të sigurisë e quajnë qesharake ofertën e Mogherinit

  • 18 December 2018 - 16:55
Njohës të sigurisë e quajnë qesharake ofertën e Mogherinit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon t’i qëndrojë stoikisht vendimit për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe që vijnë në Kosovë.

Ai nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij as pas letrës që mori ditë më parë nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogerini, e cila kishte ofruar lëvizje të statusit nga UNMIK-u në Kosovë*.

Haradinaj nuk u zmbraps as pas takimit të djeshëm që pati me delegacionin e BE-së në Bruksel. Këtë vendosmëri të kryeministrit po e arsyetojnë edhe ekspertë të fushës së sigurisë, të cilët e quajnë qesharake dhe shumë të vonuar propozimin e kryediplomates evropiane.

E kryeministri nuk ka hezituar të mbrojë edhe sot qëndrimin e tij karshi Serbisë.  “Kosova më nuk mund të jetë në mëshirë të të tjerëve. Kosova vendimet e veta, punët e veta  do t’i paraqet vet. Unë besoj që do të binden të gjithë  që kjo puna e taksës  jo vetëm që nuk ka me u heq, por çdo herë ka me u konsoliduar si qëndrim i Kosovës. Pa marrë parasysh se kush është ministër, apo kryeministër  apo dikush tjetër, por nuk ka me u ndryshuar deri  në njohje”, ka thënë ai.

E njohësit e fushës së sigurisë tregojnë me çfarë kushti duhet të pranojë Qeveria ofertën e Mogherinit. Ata thonë se kjo situatë do të sjellë avantazhet e saj për Kosovën.

Eksperti i fushës së sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për KosovaPress se kjo situatë nuk është e mirë, pasi që Mogherinit dhe Bashkimit Evropian do të ishte dashur t’iu kujtohej më herët ky propozim. Madje ai thotë se për fusnotën njëherë është thënë se do të hiqet, por kjo nuk ka ndodhur, andaj fton Qeverinë të jetë konsistente në vendimet e saj. Ai thekson se në çdo marrëveshje duhet të ketë kompromise. Teksa shton se është mirë që Kosova dëshmoi se nuk e ka të rastësishme taksën 100 për qind pasi që deri më tash, është pikërisht Kosova që ka lëshuar rrugë.  Vendosja e taksës ndaj mallrave serbe, sipas tij, do të ofrojë një perspektivë tjetër edhe në dialogun me Serbinë.

Ndërsa analisti Agon Maliqi, e quan përpjekje të fundit të BE-s për t’i dhënë shtysë idesë se taksa po e pengon dialogun, ofertën për heqjen e tarifës ndaj Serbisë, në këmbim të lëvizjes së statusit nga UNMIK-u në Kosovë*. Ai konsideron se një ofertë e tillë nga Kosova do të mund të pranohej vetëm para 5 apo 6 vitesh.

Ndërsa Donika Emini nga QKSS thotë se kjo ofertë nuk duhet të merret në konsiderim, pasi CEFTA nuk i ka sjellë vendit tonë përfitime, pasi Moldavia me Kosovën nuk kanë marrëveshje, derisa njëkohësisht Kosova është bllokuar vazhdimisht nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Sipas saj, tarifa është shumë e madhe për të hyrë në pazar për liberalizim të vizave ose për një status prej UNMIK-ut në Kosovo*, platformë kjo e cila sipas saj, nuk po mund të kontrollohet nga BE-ja. Emini thotë se për momentin nuk mund të ketë lëvizje të mëdha brenda BE-së pasi në maj atje mbahen zgjedhjet. Prandaj, ajo thotë se Kosova duhet të përfitojë shumë nga kjo kohë, në mënyrë që të ristrukturojë qasjen e saj ndaj BE-së dhe Serbisë ashtu që të nxjerrë benefite sa më të mëdha nga ky proces.

 

(Kosova Sot)