Haradinaj: Gjermania partner shumë i rëndësishëm i Kosovës

  • 18 December 2018 - 16:59
Haradinaj: Gjermania partner shumë i rëndësishëm i Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim, Stephan Mayer, sekretar parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

Sipas një njoftimi, gjatë takimit, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, si dhe përkrahjen e Gjermanisë për Kosovën.

Me këtë rast, thuhet më tej, kryeministri Haradinaj e njoftoi z. Mayer për progresin në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, proceset eurointegruese dhe fuqizimin e tërësishëm të shtetit.

“Kryeministri Haradinaj ka përmendur gjithashtu faktin që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian, në procesin e liberalizimit të vizave. Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj e ka falënderuar z. Mayer për përkrahjen e madhe të Gjermanisë për shtetin e Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit në shumë drejtime”, thuhet në njoftim.

“Gjermania është partner shumë i rëndësishëm i Kosovës duke qenë mbështetëse e zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës”, citohet kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, në fund të njoftimit thuhet se në këtë takim u bisedua edhe për çështjet tjera të rëndësishme për Kosovën, dialogun Kosovë – Serbi, për proceset politike brenda Kosovës si dhe për perspektivën eurointegruese. 

 

(Kosova Sot)