Oferta e Mogherinit, ja çfarë duhet t’i paguaj Serbia Kosovës

  • 18 December 2018 - 17:01
Oferta e Mogherinit, ja çfarë duhet t’i paguaj Serbia Kosovës

Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se oferta e zonjës Mogherini jo vetëm se tingëllon tepër skandaloze deri në ofendim,por edhe qenka çdo gjë tjetër përpos ofertë e njëmendtë.

"Ajo as nuk e paska turp të kërkojë nga Kosova suspendimin e taksës 100%,në mënyrë që si kundërshpërblim BE-ja të "avancojë" Kosovën nga nofka e tejkaluar UNMIK në Kosovo*,sërish të nënçmuar,por tanimë me fusnotën e Hashimit! Fatkeqësisht kjo dëshmon më së miri se sa rëndë e ka degraduar pozitën e Kosovës zyrtare në Bruksel kjo klasë politike tërësisht e kriminalizuar,saqë edhe Brukseli vetë të mos na marr seriozisht si shtet dhe të na bëjë hesap si të retarduar mentalë,përderisa ne edhe pas afro dy dekadash të çlirimit lejojmë që politikanë të tillë këmbë e krye të inkriminuar ta udhëheqin shtetin tonë të brishtë",u shpreh ai.

Image
Gani Qarri

 

"Për aq më keq,është fakt se përderisa në pushtet të kemi politikanë kaq të inkriminuar dhe të shantazhuar deri në fund,asnjë vend në botë nuk do të na marr as të na trajtojë seriozisht,si njerëz dhe shtet i njëmendtë.Vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohet edhe nxitimi evropian për të adresuar me aq urgjencë një temë që ka prekur interesat biznesore vetëm të Serbisë dhe hezitimi i BE-së,për të trajtuar seriozisht izolimin e vendit tonë,një qasje kjo tërësisht diskriminuese e Brukselit ndaj Kosovës.Por,përkundër të gjithave që po ndodhin kohët e fundit kundër vendit tonë,duke pasur parasysh se nga çfarë politikanësh të llojit të kriminalizuar udhëhiqet Kosova,përgjegjësinë assesi nuk mund t'ua lëmë vetëm zyrtarëve të BE-së,por pikësëpari,ne vetë është e udhës që llogari të kërkojmë nga të zgjedhurit tanë,të cilët për gati dy dekada me radhë tallen në vijimësi me popullin e Kosovës",vijoi më tej Qarri.

"Ndaj kurrsesi nuk duhet lejuar që as para kërkesave denigruese të BE-së të hiqet taksa 100% pa e njohur përfundimisht Serbia Kosovën si shtet të pavarur dhe pa paguar të gjitha demet e luftës të shkaktuara nga soldateska kriminale e Serbisë në Kosovë,dënuar në mënyrë meritore në bazë të ligjeve ndërkombëtare për dhjetëra mijëra përdhunimet e kryera dhe kthyer në atdhe trupat e më se 1600 të kidnapuarve",tha Qarri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)