Nesër shpallet vendimi për Ramadan Mujën dhe të tjerët

  • 18 December 2018 - 23:52
Nesër shpallet vendimi për Ramadan Mujën dhe të tjerët

Nesër në Gjykatën Themelore të Gjilanit pritet të shpallet verdikti ndaj ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, dhe ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj Komune, të akuzuar bashkë me të për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Ramadan Muja dhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast në seancën e kaluar duke dhënë fjalën përfundimare, kishin kërkuar nga trupi gjykues lirimin nga akuza, raporton Kallxo.com.

Muja për katër pikat e aktakuzës në gjykimin e parë ishte dënuar me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale. Si dhe të mos ushtrojë funksione publike për 18 muaj.
Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me nga 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Ndaj Kadri Ukimerit tani është pushuar procedura penale pasi që i njëjti tashmë është i ndjerë.
Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.
Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

 

(Kosova Sot)