Milionerët e krimit t’i nënshtrohen VETTING-ut

  • 19 December 2018 - 07:46
Milionerët e krimit t’i nënshtrohen VETTING-ut

 

Populli t’i rrëzojë të korruptuarit nga pushteti

 “Kjo kategori e politikanëve tanë doemos se do të duhej t'i nënshtrohej një Vetting-u të mirëfilltë, pasi grupet mafioze kanë arritur të marrin pushtetin. Pushtetarët tanë brenda natës u bënë milionerë. Prandaj, kjo Kosovë duhet që të pastrohet nga këta keqpërdorues, ngase ky popull i mjerë duhet që ta gjejë rrugën e vet”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”

Njohës të rrethanave politike dhe specialistë të kësaj fushe thonë se këta politikanë, që janë në krye të Republikës dhe të komunave për dy dekada, janë përgjegjës për degradimin e skajshëm që ka ndodhur gjatë dy dekadave që prej përfundimit të luftës. Sipas tyre, kjo kategori do të duhej që t’i nënshtrohej një VETTING-u të mirëfilltë, pasi që grupet mafioze kanë arritur që të marrin pushtetin, të shtrijnë ndikimin në vendimmarrjen politike dhe institucionale, duke i bërë të këqija të jashtëzakonshme perspektivës së vendit. Analistët thonë se ikja nga vendi nuk është zgjidhje dhe pse nuk ka të ardhme me këtë lidership të inkriminuar, që të vret natën e të qan ditën. Sipas tyre, është koha për qytetari aktive dhe reflektim të thellë shoqëror, për të ndalur të ligën e madhe që po i kanoset Republikës për të dalë nga ky qorrsokak ku na katandisën mafio-oligarkët e inkriminuar. E keqja është se në këta 19 vjet lirie, mjerisht, sovrani nuk e ka treguar asnjëherë fuqinë e tij kundrejt pushtetit, prandaj edhe kemi pasur degradim të vazhdueshëm në qeverisje, deri në shndërrim të shtetit në oazë të krimit të organizuar. Të gjitha partitë pa dallim, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, e gënjyen popullin.

 Kriminalizimi i çdo sektori

Analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot” thotë se evropianët duke parë se kjo elitë politike është e ngarkuar me korrupsion e krim të organizuar, kanë marrë qëndrim që t'i dënojnë të gjithë qytetarët e Kosovës pa të drejtë dhe dënimi i tyre është me mosliberalizimin e vizave.”Kjo elitë politike, të ashtuquajtur 'funksionarë', janë shumë fajtorë për degradimin e shumë fushave të ndryshme në jetën e përditshme, por edhe me urbanizmin. Vetëm ndërtohet përditë, por nuk e dimë nga vijnë ato mjete. Degradime kemi edhe në natyrë, jashtë vendeve urbane. Bie fjala, nëpër disa lugina të lumenjve dhe përrenjve, e kanë gërryer tokën krejt… Degradim është edhe nepotizmi në praktikë. Humbje e besimit në institucionet, të cilat i udhëheqin këta njerëz. Degradim është edhe rrena e përditshme për përfitime votash. Si duket kjo është harxhuar, tashmë duhet të gjejnë një parullë tjetër. Degradimi është edhe më i madh në sytë e botës, kur flet si personalitet në emër të shtetit e nuk e di, a duhet të flitet fare ashtu, si bie fjala ‘Kosova veriore është e pasur, këtë e ndajmë gjysma për Serbinë e gjysma për ne’ etj.”, u shpreh Shkodra.  

 

 Reforma, sfida kryesore

Njohësi i rrethanave ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën  “Kosova Sot”, thotë se Vetting-u është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publikë me ndikimin në vendimmarrjen politike dhe institucionale, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. "Vetting-u është çështja kryesore në vëmendjen e politikës vendase nga qytetarët dhe ndërkombëtarët. Rregullimi i projektligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është kërkesa më emergjente e zyrtarëve. Të dhënat e rreme në këtë drejtim mund të çojnë në ndjekje penale. Në Kosovë, procesi i Vetting-ut është si thelbësor në zbatimin e reformës në drejtësi, për shkak se një sistem drejtësie, i pavarur dhe i paanshëm, që ndikon në vendosjen e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vend, sepse sistemin kosovar e kanë katandisur oligarkët dhe klasa e despotizmit të inkriminuar që e po degradojnë shtetin dhe qytetarin”, u shpreh ai.

 Mafia e kapi shtetin

Analisti Ragip Guraziu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se Kosova ka nevojë imediate për një Vetting  të domosdoshëm për politikanët të Republikës dhe të komunave.“Kjo ngase janë këta politikanë që janë në krye të Republikës dhe të komunave për dy dekada, që janë përgjegjësit kryesorë për degradimin e skajshëm që ka ndodhur që prej përfundimit të luftës. Prandaj edhe kjo është arsyeja përse kjo kategori do të duhej t’i nënshtrohej një Vetting-u të mirëfilltë, pasi që grupet mafioze kanë arritur të marrin pushtetin, të shtrijnë ndikimin në vendimmarrjen politike dhe institucionale, duke i bërë të këqija të jashtëzakonshme perspektivës së vendit”, u shpreh ai.“Nuk është e rastësishme që sot shumica e të rinjve mezi po presin që të emigrojnë sapo të ndodhë liberalizimi i vizave. Mirëpo të rinjve tanë duhet thënë troç, sepse ikja nuk është zgjidhje, edhe pse qytetarët tanë tashmë e kanë kuptuar se nuk ka të ardhme me këtë lidership të inkriminuar, që të vret natën e të qan ditën. Prandaj, mu tash edhe është koha për qytetari aktive dhe reflektim të thellë shoqëror, për të ndalur të ligën e madhe që po i kanoset Republikës dhe për të dalë nga ky qorrsokak ku na katandisën mafio-oligarkët e inkriminuar. Kur sovrani e tregon fuqinë e tij, mesazhin e marrin edhe ata që aspirojnë të vijnë në pushtet”, potencoi Guraziu.“Mjerisht në këto 19 vjet, sovrani nuk e ka treguar asnjëherë fuqinë e tij kundrejt pushtetit, prandaj edhe kemi pasur degradim të vazhdueshëm në qeverisje, deri në shndërrim të shtetit në një oaze të krimit të organizuar. Ngase popullin e gënjyen të gjitha partitë politike pa dallim, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror”, vijoi më tej ai. 

 Qytetarët duan pastrim të skenës politike

Edhe qytetarët e anketuar kanë bërë një sërë akuzash në adresë të politikanëve, duke i akuzuar ata se janë përgjegjës për të gjitha të këqijat që i ndodhën Kosovës së pasluftës. Qemajl Bajra, nga Malisheva, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se pushtetarët tanë të pasluftës, qoftë ata më të lartit në nivel të Republikës, apo pushtetarët që janë nëpër komunat tona, nuk kanë punuar sa duhet dhe ata janë përgjegjës për gjendjen që mbretëron sot në Kosovë.“Për t’i hequr këto dilema se kush nga ta është i korruptuar, në Kosovë është më se i nevojshëm Vetting-u edhe në skenën politike, në mënyrë që të largohen nga skena politike politikanët tanë të korruptuar dhe në vend të tyre duhet që të vijnë në pushtet njerëzit e ndershëm e të shkolluar, sepse për një Kosovë të lirë e demokratike e pa hajna në pushtet e kanë dhënë jetën dëshmorët tanë”, u shpreh ai. Ndërsa qytetari nga Gjakova, Jeton Lamabegu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se koha po tregon se në të gjitha shtyllat kryesore të shtetit nga politika gjyqësore shëndetësia, arsimi duhet që të bëhet Vetting-u apo pastrimi i organeve nga figurat e korruptuara. “Një pjesë të këtij faji e mbajnë edhe qytetarët tanë, që po heshtin, sepse po shtrenjtohet energjia dhe derivatet e naftës dhe ata po heshtin. Kurse në Francë vetëm se për disa centë u shtrenjtuan derivatet tash e një muaj kanë nisur protesta që nuk dinë që të ndalen derisa qytetarët tanë po flenë e kanë rënë në gjumin dimëror”, thekson ai. Sipas qytetarit Lamabegu, e kemi këtë gjendje në Republikën tonë, por edhe nëpër komunat tona, sepse politikanët që janë në krye të Republikës dhe të komunave për dy dekada janë përgjegjës për degradimin e skajshëm që ka ndodhur gjatë dy dekadave, që prej përfundimit të luftës.

(Kosova Sot)