Oligarkët e shantazhuar duan t’ia falin Serbisë dëmet e luftës

  • 19 December 2018 - 07:54
Oligarkët e shantazhuar duan t’ia falin Serbisë dëmet e luftës

Bislimi: Kjo klasë politike, edhe as pas dy dekadash, nuk ndërmori asgjë për paditë e qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës, si dhe drejtësia kosovare, e dirigjuar nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve

“Presidenti Thaçi, edhe kësaj radhe, hezitoi t'i vërë kushte Serbisë gjakatare para vazhdimit të dialogut, siç po e quan ai final, duke anashkaluar kërkesën që Serbia të kompensojë dëmet e luftës, të cilat llogariten të jenë mbi 22 miliardë euro..., sikurse që hezitoi t'i bëjë të qartë Vuçiqit edhe dy gjëra shumë të rëndësishme, se statusi Kosovës dhe kufijtë e shtetit janë të panegociueshëm në dialogun e Brukselit. Më të rëndësishme ishin këto dy gjëra për t’ia thënë në fytyrë Vuçiqit para përfaqësuesve të KS të OKB-së sesa shprehja e patriotizmit folklorik dhe ankesat për kritikat e gazetarëve kosovarë. Ngjashëm sikurse presidenti Thaçi, as kryeministri Haradinaj nuk e kushtëzoi dialogun me kompensimin e dëmeve të luftës pas votimit të Ekipit negociator në Kuvendin e Kosovës. Kjo e dëshmon se pushtetarët kosovarë ia kanë “falur” ose janë të gatshëm t’ia falin dëmet e luftës Serbisë, në këmbim të ruajtjes së lëkurës së tyre nga (pa) drejtësia ndërkombëtare, pasi për vete janë bërë miliarderë në kurriz të popullit, ndërkaq nuk ia kërkojnë Serbisë të paguajë për dëmet që ua ka shkaktuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë”, thotë analisti  Florim Zeqa për “Kosova Sot”

 

Analistët politikë, deputetë nga opozita, por edhe qytetarët, vazhdojnë t’i akuzojnë krerët e shtetit, presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, sepse as kësaj radhe në Bruksel nuk u kërkua që Serbia të kompensojë dëmet e luftës. Edhe pse dëmet e luftës, që Serbia ka shkaktuar në Kosovë, përllogariten mbi 22 miliardë euro, pushtetarët në krye me Hashim Thaçin, sikur po duan t`ia falin Serbisë ato. Edhe më i rëndë është fakti se si u përkujdes kjo klasë politike e pasluftës të ndikojë në drejtësi, që edhe pas dy dekadash drejtësia kosovare nuk ndërmori asgjë për paditë e qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës. Analistët theksojnë se drejtësia kosovare, e dirigjuar nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve, përfshirë edhe shtypshkronjën dhe gazetën “Kosova Sot”, nga regjimi gjenocidial serb, por edhe të gjithë të tjerëve që ngritën padi në gjykatë, duke mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste që na dogji, na vrau e shkatërroi në masë, të cilës Serbi, presidenti Hashim Thaçi & Co po insistojnë t`ia falin edhe 1/3 e territorit të Kosovës, por në paketë bashkë edhe me dëmet e luftës. Analisti Florim Zeqa thotë se edhe mbledhja e KS të OKB-së shpërfaqi edhe një herë lojën teatrale dhe paraqitjet false të dy presidentëve, Vuçiq e Thaçi, ku sipas tij,  përderisa i pari, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e luajti rolin e viktimës, presidenti ynë, Hashim Thaçi e luajti me krenari rolin e "fitimtarit" në betejat ushtarake e politike kundër regjimit të Milosheviqit.

 Zeqa: Thaçi, edhe kësaj radhe, anashkaloi kërkesën që Serbia të kompensojë dëmet e luftës

Analisti Florim Zeqa thekson se lidhur me dialogun e Brukselit, presidenti serb nuk i fshehu ambiciet territoriale të Serbisë përmes deklaratës së tij. "Nëse në dialog nuk flasim për kufij dhe territorin, atëherë ne nuk dialogojmë se ku do të lozin fëmijët, në cilën fushë..."! Kësaj deklarate skandaloze të Vuçiqit, presidenti ynë iu përgjigj me përkushtimin maksimal për arritjen e marrëveshjeve të kompromisit në dialogun final mes Kosovës e Serbisë në Bruksel. Përveç kësaj, presidenti Thaçi, edhe kësaj radhe, hezitoi t'i vërë kushte Serbisë gjakatare para vazhdimit të dialogut, siç po e quan ai final, duke anashkaluar kërkesën që Serbia të kompensojë dëmet e luftës, të cilat llogariten të jenë mbi 22 miliardë euro,...sikurse që hezitoi t'i bëjë të qartë  Vuçiqit edhe dy gjëra shumë të rëndësishme; se statusi Kosovës dhe kufijtë e shtetit janë të panegociueshme në dialogun e Brukselit. Më të rëndësishme ishin këto dy gjëra për t’ia thënë në fytyrë Vuçiqit para përfaqësuesve të KS të OKB-së, sesa shprehja e patriotizmit folklorik dhe ankesat për kritikat e gazetarëve kosovarë”, u shpreh ai. “Ngjashëm sikurse presidenti Thaçi, as kryeministri Haradinaj nuk e kushtëzoi dialogun me kompensimin e dëmeve të luftës pas votimit të Ekipit negociator në Kuvendin e Kosovës. Kjo e dëshmon se pushtetarët kosovarë ia kanë “falur” ose janë të gatshëm t’ia falin dëmet e luftës Serbisë në këmbim të ruajtjes së lëkurës së tyre nga (pa) drejtësia ndërkombëtare, pasi për vete janë bërë miliarderë në kurriz të popullit, ndërkaq nuk ia kërkojnë Serbisë të paguajë për dëmet që ua ka shkaktuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë. Drejtësia kosovare, e dirigjuar nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresoje çështjen e kompensimit të dëmeve të pallogaritshme që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve, përfshirë edhe shtypshkronjën dhe gazetën “Kosova Sot”, nga regjimi gjenocidial serb, por edhe të gjithë të tjerëve që ngritën padi në gjykatë, duke mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste që na dogji, na vrau e shkatërroi në masë, të cilës Serbi, presidenti Hashim Thaçi & Co po insistojnë t`ia falin edhe 1/3 e territorit te Kosovës, por në paketë bashkë edhe me dëmet e luftës”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

  Kelmendi: Me Kosovën u tregua se mund të shkatërrosh infrastrukturën, bazën e jetës, ndërsa nuk ka kompensim

Prof. Muhamet Kelmendi konsideron se çështja e përgjegjësisë penale për krimet e bëra në Kosovë dhe për gjenocide, si dhe e përgjegjësisë deliktore civile, janë dy përgjegjësitë më themelore që i ka shteti serb dhe kriminelët ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar, por që nuk po adresohen akoma dhe kjo është sa e turpshme, aq e pafalshme. “Përgjegjësia penale është kjo.  Shteti serb ka kryer një gjenocid të intensitetit të lartë në Kosovë dhe fare nuk ka përgjegjësi. Për këtë lloj përgjegjësie nuk është krijuar asnjë gjykatë e veçantë dhe kompetente. Turpi nuk ka të ndalur. Edhe në Kosove ka dështuar sistemi juridik. Nuk është pranuar asnjë padi. Nuk kemi asnjë rast të kriminelëve serbë të dënuar. Edhe ata që u akuzuan, u liruan nga gjykatat e UNMIK-ut dhe të EULEX-it, ndërsa gjykatat e shtetit të Kosovës, në çfarëdo niveli nuk u morën fare me këtë krim. Përkundrazi! U akuzuan shqiptarët dhe u dënuan. Po kështu nuk kemi asnjë gjykim lidhur me dëmet materiale dhe morale. U vranë mbi 23,700 shqiptarë dhe nuk u dënua askush. U shkatërrua mbi gjysma e infrastrukturës së Kosovës. Dëmi i kalon 28 miliardë euro. Po nuk ka kompensim. Nuk ka asnjë dëmshpërblim as për përdhunimet, torturat, masakrat dhe dëbimet e vrasjet masovike. Turpi i sistemit juridik i kalon caqet juridike dhe ka marrë dimensione të paprecedent. Me Kosovën është treguar se mund të vrasësh dhe s’ka  përgjegjësi penale. U tregua se mund të përdhunosh dhe nuk ka përgjegjësi. U tregua se mund të shkatërrosh infrastrukturë, bazën e jetës, ndërsa nuk ka kompensim. Këto janë dëmet jo vetëm për politikën e brendshme, por edhe për atë ndërkombëtare. Dhe në fakt, edhe tash po bëhen krime të rënda, ndërsa subjektet e së drejtës nuk po merren me përgjegjësi. Është abnormal çdo pajtim politik me marrëveshje me shtetin serb, edhe nëse kemi njohje, nëse nuk kemi përgjegjësi penale  civile ndaj shqiptarëve në Kosovë. Nuk duhet lejuar marrëveshje pa përgjegjësi penale për krimet dhe për gjenocid”, tha  Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Badallaj: Banda, në krye me Hashimin e Brojës, kurrë nuk kërkoi që fashizmi serb t´i paguajë dëmet e luftës

Sipas analistit politik Reshat Badallaj, bisedimet që kanë ndodhur deri më tani në Bruksel, më tepër kanë qenë shou se në fakt çka është dashur biseduar me gjakësorët serbianë. “Marrë në tërësi dhe shikuar realisht, kanë qenë vetëm humbje kohe dhe jo kërkesa serioze  që janë sa një mal. Fjalë,fjalë dhe vetëm fjalë dhe shëtitje duke harxhuar buxhetin e shtetit. Kurrë nuk u kërkua me këmbëngulje që Serbia fashiste t´i kërkojë falje Kosovës publikisht, për vrasjet në tokën e tyre, për të pagjeturit, për dhunimet dhe për dëmet e luftës,  që dogji e shkatërroi dhe përvëloi çdo gjë të gjallë. Dëmet e luftës që fashizmi serb i shkaktoi në Kosovë janë marramendëse,  diku thuhet se janë 30 miliardë e diku thuhet 25 miliardë, por sido që të jetë, banda që bisedonte në krye me Hashimin e Brojës kurrë nuk kërkoi që fashizmi serb t´i paguajë, por e la në heshtje si të mos ketë ndodhur gjë, që kjo i bie se si t´ia falësh. Çuditërisht edhe gjyqësia kosovare u tregua e padenjë dhe e painteresuar fare dhe me ca arsyetime të kota, apo ishin të ndikuar nga politika mafioze se deri ku duhet të shkohet. Pra, nuk bëri asgjë në këtë drejtim, por heshti për afro 20 vjet”, theksoi Badallaj.

Qarri: Edhe drejtësia e dirigjuar nga politika e inkriminuar vendore ka refuzuar publikisht ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të luftës 

Edhe analisti Gani Qarri po ashtu thotë se është e papranueshme se si zyrtarët e zgjedhur të shtetit të Kosovës  po e lënë anash këtë temë serioze. “Për fat të keq, siç u pa edhe në medie publike dhe ato të shkruara, as kësaj radhe nuk u dëgjua të jetë kërkuar nga pala kosovare në Bruksel, që përfundimisht, Serbia të kompensojë dëmet e luftës, të cilat ajo me soldateskën e saj kriminele i ka shkaktuar sistematikisht me vetëdije dhe në mënyrë të organizuar në Kosovë. Madje, megjithëse ato llogariten në mbi 22 miliardë euro, pushtetarët e inkriminuar vendorë, në krye me Hashim Thaçin, duan që pa dhënien e asnjë përgjegjësie a kompensimi, ta amnistojnë Serbinë dhe t’ia falin asaj edhe dëmet e luftës.  Për aq më keq, klasa e kriminalizuar politike e pasluftës u përkujdes në vazhdimësi qe edhe pas dy dekadash në liri, as drejtësia kosovare të mos guxojë të ndërmarrë asgjë, qoftë edhe për paditë private të qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës kundër Serbisë, të paktën lidhur me dëmet e luftës”, u shpreh ai. “Madje, për çudi edhe vetë drejtësia e dirigjuar e shtetit të Kosovës, nga politika e inkriminuar vendore, ka refuzuar publikisht ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta të luftës që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë, përfshirë edhe shtypshkronjën dhe gazetën kombëtare “Kosova Sot”, nga regjimi gjenocidial serb, duke ia mbajtur krahun Serbisë fashiste që na dogji, vrau e shkatërroi në masë. Po kësaj Serbie, e cila ende përpiqet me të gjitha mjetet e mundësitë shtetërore dhe diplomatike, që t`ia mbyllë të gjitha rrugët Kosovës, edhe për integrim në institucionet ndërkombëtare, presidenti Hashim Thaçi & Co, ende insistojnë me këmbëngulje që t`ia falin edhe 1/3 e territorit të Kosovës, në një paketë bashkë me dëmet e luftës.  Për aq më tepër, as në letrën e gjatë të kryeministrit Ramush Haradinaj, mbushur me plot argumente dhe të lexuar me shumë kujdes në Bruksel, nuk u dëgjua të jetë kushtëzuar dialogu me kompensimin e dëmeve të luftës nga Serbia, ndaj për qytetarët e Kosovës vazhdon të mbetet enigmë, fakti se mos vallë pushtetarët e inkriminuar të Kosovës, pasi në kurriz të popullit, ata për vete ka kohë që janë bërë miliarderë”, tha Qarri për “Kosova Sot”.

Dy dekada të humbura

Edhe sipas analistes Liridona Bislimi është papërgjegjësi e të gjithë atyre që kanë pranuar bisedime me Serbinë në Bruksel dhe nuk e kanë parë të arsyeshme të trajtohet çështja e kompensimit të dëmeve të luftës, ashtu sikur që nuk kanë lejuar as drejtësinë vendore që të merret me gjykimin e  këtyre rasteve dhe të marrë vendimet sipas ligjeve të vendit.“Mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit (1990-1999). Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë futur në fazën finale të dialogut, në të cilën është paralajmëruar edhe arritja e një marrëveshjeje finale që do të nënkuptonte normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, ndërsa kjo klasë politike e pasluftës, edhe as pas dy dekadash nuk ndërmori asgjë për paditë e qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës, si dhe drejtësia kosovare, e dirigjuar nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve të cilës Serbi, presidenti Hashim Thaçi & Co po insistojnë t`ia falin edhe 1/3 e territorit të Kosovës, por në paketë bashkë edhe me dëmet e luftës. Gjithashtu, as kryeministri Haradinaj nuk e kushtëzoi dialogun me kompensimin e dëmeve të luftës. Duket se pushtetarët kosovarë ia kanë “falur” dëmet e luftës Serbisë, pasi për vete janë bërë miliarderë në kurriz të popullit, ndërkaq nuk ia kërkojnë Serbisë të paguajë për dëmet që ia ka shkaktuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë”, u shpreh ajo. Sipas deputetit të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi, kjo temë jo vetëm që nuk po diskutohet në Bruksel, por për më keq, as drejtësia kosovare nuk po e kryen punën e vet sipas ligjeve dhe Kushtetutës.“Unë pajtohem me konstatimet tuaja në lidhje me sjelljen, qëndrimin dhe veprimet e kundërligjshme të sistemit të „drejtësisë“ në Kosovë. Kjo kastë, apo si e quani dhe ju “klike politike” kurrë nuk ka pasur interesim dhe nuk ka vepruar në këtë drejtim. Edhe VV-ja, por edhe unë personalisht kam ngritur çështje të tilla më shumë se njëherë edhe në Kuvend, edhe në takime të ndryshme formale e institucionale. Dhe, pikërisht kjo situatë na ka shtyrë që të propozojmë plotësimin e Kodit të Procedurës Penale të Kosove për „gjykimin në mungesë” të kriminelëve të luftës”, tha Kurteshi për “Kosova Sot”.

 Aliu: Pushtetarët, në krye me Hashim Thaçin, duan t'ia falin Serbisë edhe dëmet e luftës

Sipas analistit Bislim Aliu, ka qenë rasti ideal që së paku  kësaj radhe në Bruksel të kërkohet që Serbia të kompensojë dëmet e luftës, por kjo temë u la anash edhe nga Haradinaj.“Edhe pse dëmet e luftës, që Serbia i ka shkaktuar në Kosovë, llogariten mbi 22 miliardë euro, pushtetarët në krye me Hashim Thaçin, duan t'ia falin Serbisë edhe dëmet e luftës?! Dhe, për këtë, u përkujdes kjo klasë politike e pasluftës, që edhe pas dy dekadave, drejtësia kosovare nuk ndërmori asgjë për paditë e  qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës. Andaj, drejtësia kosovare, e dirigjuar tërësisht nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta, që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve, përfshirë edhe shtypshkronjën dhe gazetën "Kosova Sot" nga regjimi gjenocidial serb, por edhe të gjithë të tjerëve, që ngritën padi në gjykata, duke mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste, që na dogji, na vrau e shkatërroi gjithçka, të cilën Hashim Thaçi po insiston t'ia falë edhe 1/3 e territorit të Kosovës, por në paketë bashkë edhe me dëmet e luftës. Në këtë drejtim, as kryeministri Haradinaj nuk e kushtëzoi dialogun me kompensimin e dëmeve të luftës dhe ky është një gabim i madh politik e shtetëror”, vlerësoi Aliu për “Kosova Sot”.

Qytetarët, të mllefosur në pushtetin neglizhues

Edhe qytetarët e anketuar rreth kësaj çështje ndihen tepër të zhgënjyer me drejtuesit e institucioneve të shtetit, njësoj sikurse me drejtësinë e ndikuar nga politika, që po i lënë t’i mbulojë pluhuri të gjitha dosjet e krimeve të luftës. Ata theksojnë se është e pafalshme që nuk është bërë temë kushtëzimi për bisedimet me Serbinë, si pikë e parë, çështja e dëmeve dhe krimeve të luftës, e cila do të duhej gjykuar edhe nga drejtësia kosovare. Qytetari Malë Imeri, nga fshati Ponoshec i komunës së Gjakovës, tha për “Kosova Sot” se  me këtë temë janë vonuar edhe drejtësia, edhe politika e Kosovës, sepse fillimisht është dashur të gjykohen këto krime dhe pastaj edhe t’i faturohen Serbisë për t’u bërë temë e bisedimeve.“Për mendimin tim, këtu pikësëpari kanë dështuar institucionet e drejtësisë, që nuk po merren fare me këtë problem. Së dyti, unë mendoj që në bisedimet e Brukselit kjo temë është dashur të jetë objekt kushtëzimi për fillimin e çfarëdo teme të bisedimeve, është dashur që fillimisht të nxirret si kusht zbardhja e fatit të pagjeturve, të adresohet përgjegjësia për masakrat e shumta që janë bërë dhe të gjitha dëmet e luftës, dhe e gjithë kjo është dashur të kushtëzohet me një kërkimfalje nga ana e Serbisë për viktimat që janë shkaktuar në luftën e Kosovës. Ne aq sa  jemi të informuar, ka dalë në disa hulumtime dhe analiza që  më shumë se 40% të shtëpive të banimit në Kosovë  kanë mbetur të djegura pas përfundimit të luftës dhe mijëra viktima në njerëz të pafajshëm, e shumë prej tyre akoma nuk u dihet fati se ku janë varrosur nëpër varrezat masive në Serbi”, u shpreh Imeri. Edhe Mehmet Breznica thotë se dështimi i gjykimit të krimeve të luftës nga institucionet e drejtësisë kosovare dhe mosfutja e temës  së krimeve në këto bisedime të deritanishme në Bruksel është shkelje e rëndë mbi gjakun e atyre që kanë rënë për këtë shtet dhe për këtë liri.“Drejtësia kosovare është dashur t’i gjykojë të gjitha rastet e denoncuara dhe të argumentuara për krime dhe dëme që janë paraqitur për të gjitha këto vite. Po ashtu, Serbia është dashur të paditet edhe prej organeve të Qeverisë sonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime dhe gjenocid kundër shqiptarëve, madje  jo vetëm për të kaluarën e afërt, nga viti 1997-1999, por  që prej vitit 1878 e deri te viti 1999...Dihet që Serbia ka krijuar edhe krematoriume brenda territorit të vet, ku ka djegur edhe eshtrat e viktimave shqiptare, sikur që janë të njohura krematoriumet e Maçkaticës, e që janë të ndaluara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Serbia ka bërë edhe trafikim organesh të shqiptarëve, sepse të gjithë ata që Serbia i ka vrarë këtu, së pari ua ka nxjerrë organet, e së dyti nga frika e ndonjë komisioni ndërkombëtar të mjekësisë  ligjore i ka tërhequr në Serbi dhe i ka djegur në krematoriumin e Maçkaticës, për të mos lënë asnjë gjurmë të trafikimit të organeve dhe tani pikërisht për këtë metodë të krimit kthehet dhe i akuzon shqiptarët, na akuzon neve”, ka thënë Breznica për “Kosova Sot”. Sipas tij, lidershipi shqiptar dhe Qeveria e Kosovës është dashur ta akuzojnë Serbinë para Gjykatës ndërkombëtare për krime dhe gjenocid dhe trafikim organesh të qytetarëve  shqiptarë të Kosovës, dhe ta kushtëzojë Serbinë në bisedime edhe me kompensimin e të gjitha krimeve e dëmeve.

(Kosova Sot)