Ambasadori britanik shqetësohet se korrupsioni mund të bëhet kulturë në Kosovë

  • 19 December 2018 - 13:20
Ambasadori britanik shqetësohet se korrupsioni mund të bëhet kulturë në Kosovë

Ambasada Britanike në Prishtinë ka vazhduar mbajtjen e serisë së saj “Brit Talks”, që ka në fokus diskutimet për luftën kundër korrupsionit në Kosovë. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, tha se korrupsioni është një çështje që minon të drejtat dhe të ardhmen e qytetarëve, por që, sipas tij, kjo dukuri duhet të luftohet nga vetë qytetarët.

“Në shumicën e rasteve vendimet merren për interesa personale. Ky është definimi i korrupsionit, pasi është krijuar kultura që çdo shkelje nuk është skandal, por e natyrshme. Asnjë shkelje nuk mund të pranohet. Edhe një shkelje e vogël nga zyrtarët publik në qoftë se pranohet, i bie se krijohet kultura për shkelje të mëdha”, tha O’Connell.

Megjithatë, ambasadori britanik shtoi se është optimist në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.

“Jam optimist, pasi që 8 vjet jetoj këtu dhe i njoh kosovarët. Guximi i tyre më jep optimizëm që njerëzit këtu duhet dhe mund të jenë zgjidhja e problemit. Ka njerëz të mirë brenda sistemit. Si qytetarë duhet të jemi pak më të mençur, vigjilentë dhe të mos pranojmë asnjë shkelje si dhe të mos hiqet vëmendja ndaj korrupsionit”, tha ambasadori O’Connell.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit për Luftimin e Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion, Blerim Kelmendi në ‘Brit Talks’, tha se fakti që korrupsioni është shpërndarë nëpër Kosovë e tregon gjendja e qytetarëve në vend dhe pasojat që po i lë pas ky fenomen.

“Numrat e korrupsionit flasin për shpërndarjen e korrupsionit në shoqërinë tonë. Këtë vit kemi pasur 500 raportime nën dyshimin për korrupsion, konflikt interesi, mos deklarim dhe deklarim të rrejshëm të pasurisë e të tjera”, tha Kelmendi.

Sipas tij, këtë vit nga 250 raste, 60 prej tyre kanë pasur elemente për vepra penale.
“Këto 60 raste i kemi proceduar në prokurori. Ndërsa në  më shume se 10 raste kemi pasur gjetje për shkelje administrative”, tha ai, duke theksuar se korrupsioni në Kosovë ka shtrirje endemike.

Në anën tjetër, Arton Demhasaj, drejtor i organizatës Çohu ka kritikuar legjislacionin në Kosovë, pasi sipas tij shumica dërmuese e ligjeve kanë kundërshtime ndërmjet vete dhe kësisoj e vështirojnë luftën kundër korrupsionit.

“Në vazhdimësi kemi nxjerr dhe ndryshuar ligje, por nuk kemi arritur t’i bëjmë ligjet qe i përshtaten rrethanave.  Kosova e ka shkallën më të lartë të mos implementimit të ligjeve. Problemi qëndron edhe tek njerëzit dhe të integriteti në zbatim të ligjeve”, theksoi ai.

Sipas Demhasajt, dy fenomenet kryesore të korrupsionit në Kosovë janë punësimet politike, përkatësisht militantët e parive politike dhe dhënia e tenderëve nga partitë politike për bizneset që kanë lidhje të drejtpërdrejt me këto subjekte.

“Punësimet politike shkojnë deri në nivelin e lartë të funksioneve në institucione. Posta e Kosovës ka qenë një ndër to dhe sot është para falimentimit.  Këto fenomene janë të pa ndëshkuara në Kosovë”, tha ai.

Kurse, Gordon Ryan ekspert për rekrutim në pozita të larta nga Britania e Madhe, foli për rëndësinë e meritokracisë në punësime.

“Në Britani kemi nisur në 1800-ën të merremi dhe meritokraci dhe u bë shumë e rëndësishme për mënyrën se është bërë rekrutimi në pozita të ndryshme. Gjithashtu në Gjermani ishte i njëjti proces. Detyra e pozitave në ekzekutiv është ta përmbushin atë mandat që  e kanë marrë nga qytetarët, ndërsa shërbyesit civil dhe institucionet e tjera publike duhet të  funksionojnë mbi bazën e meritokracisë”, tha ai.

(Kosova Sot)