Rrjeti elektrik i 60 vjetëve shkakton ndërprerje të shpeshta të rrymës në Has

  • 19 December 2018 - 16:16
Rrjeti elektrik i 60 vjetëve shkakton ndërprerje të shpeshta të rrymës në Has

Haziz Hodaj, kuvendar nga Gjonaj, është shprehur për "Kosova Sot" se tërë Hasi është në hall me rrymën e dobët dhe me shumë reduktime. "Rrjeti elektrik është i para 60 vjetëve dhe si i tillë po shkakton probleme të rënda në amvisërinë e këtij rajoni. Reduktimet e shpeshta dhe tensioni i ulët i energjisë elektrike vazhdojnë të mbeten problemet kryesore për banorët e fshatit Gjonaj të komunës së Prizrenit, e jo vetëm të këtij fshati, por në gjithë Hasin. Po e ngarkove pak këtë energji, plas defekti dhe s'ka kush e rregullon", është shprehur ai. 

Keq po e pësojnë bizneset

Hodaj thotë se në këtë stinë të ftohtë banorët ballafaqohen me probleme. Ai thotë se shumë ankesa të këtyre banorëve kanë shkuar në adresë të KEDS-it, por këto ankesa nuk janë marrë parasysh. Më së shumti nga këto probleme po e pësojnë bizneset, të cilave u duhet të shpenzojnë mjaft shumë për t'u pajisur me energji elektrike. Kjo çështje është ngritur edhe në Kuvendin Komunal të Prizrenit, por që nuk ka gjetur përkrahje nga askush. Ndërkaq, nga KEDS-i thonë se reduktime nuk ka, por ka ndalesa të planifikuara aty ku edhe ka punime, për të cilat janë njoftuar edhe mediat. Hodaj pohon se nuk është e saktë që i njoftojnë. Në komunën e Prizrenit, me të njëjtat probleme përballen edhe banorët e fshatrave Lugishtë, Dedaj dhe Kojush.

Kërkohen protesta

Kurse për këtë fakt flet edhe kuvendari tjetër, Ilir Baldedaj. Ai apelon se duhet ndalur tmerri që përjetojnë këta banorë të Hasit."Ftoj të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës që të dalin në protesta para zyrave të KEDS-it, sepse paguajmë rrymë më të shtrenjtë në rajon dhe Evropë dhe kemi shërbime më të brishta. Kërkoj nga kryetarët e Komunave të mos lejojnë nga KEDS-i që të vendosë orë nëpër shtylla, sepse ato janë në kundërshtim me të gjitha rregullat urbane dhe rurale. Kërkoj nga Qeveria e Kosovës t'ia shkëpusë kontratën KEDS-it", është shprehur ai. Banorët e fshatit Gjonaj, sidomos ata që kanë lokale e dyqane, kanë probleme shumë të mëdha, pikërisht nga rrjeti i dobët elektrik.

 

(Kosova Sot)