Thaçi flet pas takimit me Vuçiqin dhe Mogherinin, tregon kur mund të arrihet marrëveshja me Serbinë

  • 19 December 2018 - 16:45
Thaçi flet pas takimit me Vuçiqin dhe Mogherinin, tregon kur mund të arrihet marrëveshja me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se letra e presidentit Donald Trump është shpresë dhe besim për institucionet e vendit dhe mbështetje e plotë e SHBA-ve për Kosovën dhe rajonin.

Ai pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, tha se nëse dikush ka pasur hezitime për rolin amerikan, kjo dëshmon me fakte se Uashingtoni është i përfshirë për mbështetje të plotë për arritjen e marrëveshjes së pranueshme Kosovë-Serbi.

Ndërsa sa i përket një marrëveshje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kreu i shtetit të Kosovës tha se marrëveshja mund të arrihet në të ardhmen e afërt.

“Ne duhet të punojmë bashkërisht dhe ekipi negociator të nisë punën menjëherë dhe të komunikojë me qytetarët që të ketë një proces transparent dhe me përfshirje më të gjerë politike”, tha Thaçi.

I pyetur për takimin e radhës në Bruksel, presidenti Thaçi tha se nuk pret të ketë takime tjera para fillimit të vitit të ardhshëm.

(Kosova Sot)