Bislimi: Dy dekada të humbura

  • 19 December 2018 - 17:21
Bislimi: Dy dekada të humbura

Edhe sipas analistes Liridona Bislimi është papërgjegjësi e të gjithë atyre që kanë pranuar bisedime me Serbinë në Bruksel dhe nuk e kanë parë të arsyeshme të trajtohet çështja e kompensimit të dëmeve të luftës, ashtu sikur që nuk kanë lejuar as drejtësinë vendore që të merret me gjykimin e këtyre rasteve dhe të marrë vendimet sipas ligjeve të vendit.

"Mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit (1990-1999). Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë futur në fazën finale të dialogut, në të cilën është paralajmëruar edhe arritja e një marrëveshjeje finale që do të nënkuptonte normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, ndërsa kjo klasë politike e pasluftës, edhe as pas dy dekadash nuk ndërmori asgjë për paditë e qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës, si dhe drejtësia kosovare, e dirigjuar nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve të cilës Serbi, presidenti Hashim Thaçi & Co po insistojnë t`ia falin edhe 1/3 e territorit të Kosovës, por në paketë bashkë edhe me dëmet e luftës.

Gjithashtu, as kryeministri Haradinaj nuk e kushtëzoi dialogun me kompensimin e dëmeve të luftës. Duket se pushtetarët kosovarë ia kanë "falur" dëmet e luftës Serbisë, pasi për vete janë bërë miliarderë në kurriz të popullit, ndërkaq nuk ia kërkojnë Serbisë të paguajë për dëmet që ia ka shkaktuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë", u shpreh ajo. Sipas deputetit të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi, kjo temë jo vetëm që nuk po diskutohet në Bruksel, por për më keq, as drejtësia kosovare nuk po e kryen punën e vet sipas ligjeve dhe Kushtetutës.

Lexo edhe këtë: Oligarkët e shantazhuar duan t'ia falin Serbisë dëmet e luftës

(Kosova Sot)