Paraburgim për therje me thikë në parkingun e veturave në Prizren

  • 19 December 2018 - 17:41
Paraburgim për therje me thikë në parkingun e veturave në Prizren

Gjykata Themelore Prizren, njofton se sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale J.L. nga fshati Bardhoc, Komuna e Kukësit, Republika e Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, lëndim i rëndë trupor, zëdhënësja e gjykatës Afërdita Kicaj ka njoftuar se masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 17.12.2018 e cila do të zgjasë deri me datën 16.01.2019.

Sipas kërkesës së prokurorisë në Prizren, ”ka dyshime të arsyeshëm se i pandehuri, i ka shkaktuar personit tjetër lëndim të rëndë trupor me mjet të rrezikshëm, ashtu që me datën 20.10.2018, rreth orës 13.23 minuta, te parkingu i Qendrës Tregtare ”Abi”, në Prizren, deri sa ishte parkuar në parking me automjetin “Audi” , i afrohet automjetit tjetër ku gjendej i dëmtuari me iniciale J.V. dhe pas një mosmarrëveshje dhe fjalosje që kishin ndërmjet tyre fillimisht largohet nga i dëmtuari, ky i fundit serish shkon pas të pandehurit të cilin përsëri e sulmon fizikisht, atëherë i pandehuri me një mjet të mprehtë –thikë e godet disa herë të dëmtuarin me iniciale J.L. dhe largohet nga vendi i ngjarjes ‘.

Me këto veprimet, sipas prokurorisë i pandehuri të dëmtuarit i kishte shkaktuar lëndim të rëndë trupore që ka rezultuar me rrezikim të jetës në momentin e shkaktimit.

Sipas njoftimit të gjykatës, a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

 

(Kosova Sot)