“Gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë”

  • 06 janar 2019 - 16:08
“Gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë”

Analistë politikë, deputetë të opozitës dhe njohës të rrethanave politike alarmojnë se në çfarë shteti po jetojmë ku vetëm brenda një muaji patëm 14 plaçkitje, edhe atë me një polic të vrarë në detyrë. Sipas analistëve, kjo situatë ka bërë që të themi se realisht jemi në një gjendje të jashtëzakonshme, ku nuk sundon ligji dhe gjendemi në një mjerim të madh social, ku tashmë ka filluar edhe hajnia e plaçkitja me dhunë e vrasje. Shteti ka degraduar për shkak të gjendjes së rëndë sociale në mjerim, plaçkitje dhe terror, saqë qytetarët po jetojnë në gjendje frike, tmerri e anarkie.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Ali Lajçi (LVV), për gazetën " Kosova Sot", thotë se e tërë kjo situatë, në të cilën gjendemi, tash ka eskaluar që nga pas lufta e deri më sot.

Image
Ali Lajçi

"Fillimisht plaçkitjet u nisën një herë me bankat komerciale, kurse tash po plaçkitin markete, punëtori e dyqane. Prandaj, nga viti në vit kjo edhe ka bërë që të degradojë gjendja e sigurisë, saqë nuk kalon ditë pa një lajm grabitjeje,edhe atë në mes të vendbanimeve dhe në mes të ditës. Prandaj, edhe doemos duhet pyetur se për çfarë niveli të sundimit të ligjit mund të flasim, kur banditë të armatosur bëjnë rendin në rrugë; sillen të egër, të lirë e të paprekur dhe shteti mbetet ende në gjumë", theksoi ai.

Sipas Lajçit, kjo situatë ka bërë që të themi se realisht Kosova është në një gjendje të jashtëzakonshme ku nuk sundon ligji, por dominon anarkia dhe jemi bërë një vend që gjendet në një mjerim të madh social, ku tashmë ka filluar edhe hajnia e plaçkitja me dhunë e vrasje.

(Kosova Sot)