“Gjykata Speciale e fton edhe Thaçin në Hagë”, zbardhet skenari i zi i Qeverisë shqiptare

  • 08 January 2019 - 14:45
“Gjykata Speciale e fton edhe Thaçin në Hagë”, zbardhet skenari i zi i Qeverisë shqiptare

Ministri i Jashtëm i Greqisë,  Nikos Kotzias ka thënë se ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, është shkarkuar pasi që ishte kundër ndarjes së Kosovës.

E lidhur me këtë, analisti Gani Qarri vlerëson kjo dëshmon hapur edhe një herë më shumë se kjo është fushatë e ndytë nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi, që është nisur që t'i eliminojnë të gjithë ata të cilët kundërshtojnë planin e tyre për ndarjen e Kosovës.

"Kështu që skenari i zi i Qeverisë Shqiptare po zbardhet tërësisht me mbështetjen që po i ofron ajo Thaçit në jetësimin e marrëveshjes antikushtetuese me Serbinë, për ndarjen e Kosovës, përderisa opozita e çakorduar në vend nuk po bën asgjë për ta ndalur aventurën e çmendur të presidentit që mund ta lërë Kosovën edhe pa së paku një të katërtën e territorit të saj", alarmon ai.

Qarri thotë se Gjykata Speciale pritet ta ftojë në Hagë edhe Presidentin Thaçi.

Image
Gani Qarri

 

"Në javët e ardhshme, Gjykata Speciale pritet ta ftojë në Hagë edhe despotin kosovar, gjë që është kthyer në ankth për të dhe arsyen e vërtetë se pse atij i duhet me çdo kusht dhe ngutet kaq shumë, që patjetër të bëjë një marrëveshje me Serbinë në kurriz të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, me shpresën se më në fund, mund t'i ikë përballjes me drejtësinë ndërkombëtare. Fatkeqësisht po të kihet parasysh fakti se afatet e paralajmëruara për përmbylljen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjithnjë e më tepër po shkurtohen, shkaku i marrëzisë politike të presidentit kuisling Hashim Thaçi, i cili ende sundon dhe ka ndikim të fortë në strukturat shtetërore, ndarja e Kosovës kurrë nuk ka qenë më afër", potencoi Qarri për "Kosova Sot".

Sipas tij, shpresa e vetme për Kosovën sërish ka ngelur vetëm te SHBA-ja dhe kongresmenët amerikanë, veçanërisht te z. Eliot Engel, miku i madh i shqiptarëve, i cili sapo është zgjedhur në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan dhe njihet si kundërshtues i madh i planeve të kuislingut Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiqit, për lëvizjen e kufijve në Ballkan dhe ndarjen e Kosovës.