Festa e Pavarësisë, nën hijen e ndarjes së Kosovës

  • 11 January 2019 - 07:40
Festa e Pavarësisë, nën hijen e ndarjes së Kosovës

ZEQA:Shteti i Kosovës degradoi në një shtet mafioz, para ndarjes territoriale, pas gati 11 vjet pavarësi, në një shtet ku po qe se nuk ke lidhje me politikën apo me klanet kriminale, mbijetesa në punë, biznes, e në çdo sektor, është thuajse e pamundur

 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës qytetarët po e presin të zhgënjyer. Kjo edhe mund të duket normale kur dihet se Kosovën po e udhëheq një kastë politikanësh të komprometuar, të korruptuar, të paaftë të ndërtojnë shtetin, por shumë të aftë të shkatërrojnë shtetin. Edhe pse po bëhen 11 vjet shtetësi, vërehet qartë se entuziazmi është larg një feste të vërtetë dhe 11- vjetorin e shtetit po e presim me lajmet për ndarjen e Kosovës dhe situata që është krijuar na bën të qartë të kuptojmë se Kosova ka hyrë në vitin 2019, si viti i ditëlindjes së 11-të të pavarësisë, si vit i shpërthimit social dhe e gjitha kjo është fituar nga Qeveria me shumë skandale dhe afera të ndryshme, nga një Kuvend që nuk funksion fare, me njeriun që nuk di ta udhëheqë, por ajo se çka është më e rëndësishme, diplomacia dhe politika e jashtme kanë dështuar totalisht, duke ua vrarë shpresat të rinjve këta pushtetarët e kriminalizuar të lidhur me mafinë politike e biznesore", thotë politologia Liridona Bislimi për "Kosova Sot"

Duke parë situatën e rënduar politike dhe sociale në vend, në këtë vit të ri në të cilin posa kemi shkelur, analistët politikë, por edhe vetë qytetarët theksojnë se këtë vit po e presin mjaft të zhgënjyer në klasën politike, edhe pse është viti i 11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Edhe pse po bëhen 11 vjet shtetësi, vërehet qartë se entuziazmi është larg një feste të vërtetë dhe 11- vjetorin e shtetit po e presim me lajmet për ndarjen e Kosovës, prandaj kur këtij problemi i shtohen edhe telashet e përditshme sociale, analistët vlerësojnë se Kosova ka hyrë në vitin 2019, si viti i ditëlindjes së 11-të të Pavarësisë, por që mund të jetë edhe vit i shpërthimit social, nëse Qeveria nuk ndërmerr masa serioze preventive, ngase qytetarët janë lodhur nga ky sundim i egër i oligarkisë politike, në të dyja nivelet e qeverisjes, dhe nuk po mund të durojnë më tej. Kjo është edhe një nga arsyet shtesë se çdo ditë po vazhdojmë të dëgjojmë lajmë për "mbushje autobusësh" që ia mësyjnë Perëndimi, ku së fundi është raportuar për të rinjtë që po largohen nga Kosova drejt Kroacisë dhe vendeve të tjera perëndimore. Analisti politik Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se Kosovën, 11- vjetori i Pavarësisë e gjen jo në një atmosferë feste, por proteste, në një atmosferë ankthi e frike nga ndarja fatkeqe, edhe në një atmosferë të shpërthimit të përgjithshëm social, sepse kjo situatë është produkt i thyerjes dhe venitjes së shpresave të qytetarëve nga klasa politike tërësisht e korruptuar dhe tejinkrimuar. "Qytetarët e vendit pritën mjaft, madje tepër gjatë duke shpresuar se një ditë do të bëhet mirë në Republikën e Kosovës. Në shtetin e Kosovës është bërë më mirë se asnjëherë më parë për politikanët e inkriminuar, hajdutët e kriminelët, mafinë politike dhe nëntokën e saj, ndërsa, pothuajse e pamundur është bërë jeta për njerëzit e sinqertë, punëtorë e atdhetarë", potencoi ai

Milionerët mbi ligjin Sipas prof. Muhamet Kelmendit, tash, kur jemi duke e pritur 11- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Republika ka shumë probleme, sidomos në fushën e rendit dhe sigurisë."Kriminaliteti ka marrë hov të madh. Veprat penale janë të çdoditshme. Ndërsa, policia dhe gjykata, si dhe prokuroria po tregohen neglizhente, të paafta,për të mos thënë, ndoshta edhe bashkëvepruese në veprimtaritë e ndaluara. Në këtë përvjetor të 11-të të Pavarësisë së Kosovës shëndetësia është si mos më keq. Nuk kemi as mjete elementare të medicinës. Gjeneratat e tëra janë duke pësuar me një mësim jocilësor dhe në kundërshtim me traditën kombëtare. Po jepet një mësim që krijon njerëz me diploma dhe letër, por kurrsesi me aftësi profesionale. Mjerisht, gjendja e rëndë është edhe në çështjen sociale, në sigurimet pensionale dhe në punësimin e të rinjve", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Ai tha po ashtu se ajo që mund të përmendet si anë pozitive është vetëm formimi i Ushtrisë dhe vendosja e taksës 100%, por këto nuk e kanë përmirësuar gjendjen sociale dhe nuk i kanë eliminuar edhe temat e bisedimeve në dëm të shtetit. "Këto dy masa e kanë shtuar forcën e shtetit. Por, në këtë përvjetor, kur duhet të përshëndetim njëritjetrin , të del para syve shfrytëzimi i ashpër i punëtorëve dhe i punëtoreve në sektorin privat.

Oligarkia mafioze ekonomike e lidhur me politikën ka krijuar grupe të mëdha dhe të fuqishme ekonomike dhe të inkriminuara, që janë shumë të vështira për t'u luftuar. Milionerët e Kosovës nuk po i nënshtrohen ligjit dhe më tutje po e keqësojnë gjendjen në shtetin e Kosovës", vlerësoi Kelmendi. Sipas politologes Liridona Bislimi,11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës qytetarët po e presin të zhgënjyer. "Kjo edhe mund te duket normale kur dihet se Kosovën po udhëheq një kastë politikanësh të komprometuar, të korruptuar, të paaftë të ndërtojnë shtetin, por shumë të aftë ta shkatërrojnë shtetin. Edhe pse po bëhen 11 vjet shtetësi, vërehet qartë se entuziazmi është larg një festë të vërtetë dhe 11-vjetorin e shtetit po e presim me lajmet për ndarjen e Kosovës dhe nga situata që është krijuar na bënë të qartë të kuptojmë se Kosova ka hyrë në vitin 2019, si viti i ditëlindjes së 11-të të pavarësisë, si vit i shpërthimit social dhe e gjitha kjo është fituar nga Qeveria me shumë skandale dhe afera të ndryshme, nga një Kuvend që nuk funksion fare, me njeriun që nuk di ta udhëheqë, por ajo se çka është më e rëndësishme, diplomacia dhe politika e jashtme kanë dështuar totalisht, duke ua vrarë shpresat të rinjve këta pushtetarët e kriminalizuar të lidhur me mafinë politike e biznesore", u shpreh ajo. "Kështu, në këtë gjendje që jemi, sigurisht se do të vazhdojmë të dëgjojmë lajmë për "mbushje autobusësh" që ia mësyjnë Perëndimit, duke filluar një valë të re ikjesh nga Kosova, ku së fundi është raportuar për të rinjtë që po largohen nga Kosova drejt Kroacisë dhe vendeve të tjera perëndimore, pasi qytetarët janë lodhur nga ky sundim i egër i oligarkisë politike, në të dyja nivelet e qeverisjes, dhe nuk po mund të durojnë të jetojnë më tej në këtë shtet, ku secili do të bartë bajrakun e më të mirit, secili do të duket më"i zoti" se tjetri, ani pse të gjithë këta pushtetarë janë të pazotë në udhëheqjen e shtetit në nderimin e shtetit, të cilët në vrap po e çojnë shtetin në degradim të plotë", theksoi Bislimi për "Kosova Sot".

Qytetarët kanë hallin e kufijve Të zhgënjyer janë edhe qytetarët e anketuar me pritjen e tyre për më shumë zhvillim dhe perspektivë në këto 11 vjet në realitet të ri, pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Qytetari Mehmet Kastrati tha për "Kosova Sot" se me të vërtetë ka një ngecje të madhe në afrimin e perspektivës për brezin e ri. "Ne po e shohim që situatën në vend janë duke e rënduar edhe zhvillimet politike, por edhe problemet sociale. I kemi vazhdimisht paralajmërimet për greva, si ato në shëndetësi, në miniera, por edhe paralajmërimin e fundit të grevave në arsim, prandaj nëse këto institucione nuk dalin si duhet në krye të detyrës, vendi mund të gjendet para një kolapsi të përgjithshëm. Kjo gjendje e rënduar sociale gjithsesi është kjo arsyeja shtesë se çdo ditë po vazhdojmë të dëgjojmë lajmë për "mbushje autobusësh" që ia mësyjnë Perëndimit, rasti më i freskët për udhëtimet në Kroaci, ndonëse me letra të rregullta pune, por kjo tregon që rinia po ikën nga vendi dhe nuk është e mirë për shtetin", vlerësoi Kastrati. Qytetari Adem Munishi beson se ky vit duhet t'u japë fund zhgënjimeve të deritanishme, nëse kjo Qeveri vazhdon dhe i mban premtimet, sikur që po vepron deri më tani me taksën kundër Serbisë, sepse kështu mund t'i hapet më shumë mundësi zhvillimit të ndërmarrësisë dhe industrisë vendore."Një temë e frikshme që po na mundon tani në këtë përvjetor të 11-të të shpalljes së Pavarësisë, gjithsesi është përmendja e opsionit të ndarjes, korrigjimit të kufijve, që nuk besoj se do të lejohet të ndodhë, ngase nëse vërtet lëkundën kufijtë në këtë rajon të ndjeshëm të Ballkanit, atëherë mund të luhet me paqen në rajon dhe më gjerë", tha Adem Munishi për "Kosova Sot".

Badallaj: Nuk ka festë me barkun bosh

Analisti politik Reshat Badallaj thotë se qytetarët e Kosovës me këto banda politike janë totalisht të zhgënjyer."Qytetarët më nuk u besojnë mashtrimeve, rrenave dhe premtimeve boshe të kësaj bande politike dhe po ashtu, e kanë parë se kjo bandë politike e mbushur me plot banditë dhe hajna, fjalën e kam gjithmonë që nga Presidenca, Qeveria kuislinge, Kuvendi rrugaçësh të gjithë vegla të Hashim Thaçit, despotit të pashpirt, dhe se e kanë parë se kanë vjedhur, kanë punuar vetëm për interesa të tyre personale dhe asgjë ashtu si është premtuar për qytetarët e vendit. Dhe, si mund të festojë populli 11-vjetorin e Pavarësisë, kur papunësia është në kulm, fukarallëku ka prekur mish e asht, nuk kanë para as për ilaçe, se të mos flasim për gjërat elementare të jetës. Këtë mund ta festojnë me gojën plot vetëm hajnat,banditët,vagabondët... me shampanjë franceze që e kanë vjedhur buxhetin e shtetit, që janë pasuruar me hajni dhe janë bërë super milionerë dhe si mund t´i gëzohet edhe pas 11 vjet pavarësie, kur qytetari jeton me më pak se 2 dollarë në dite ose as ata nuk i ka", tha Badallaj për "Kosova Sot".

Qarri: "Mbushja e autobusëve", që sërish po ia mësyjnë perëndimit, po paralajmëron tragjedinë, pikërisht në vitin e 11-të të pavarësisë 

Analisti politik Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se është shumë i arsyeshëm zhgënjimi qytetar në këtë kastë politike, në këtë përvjetor të 11-të të pritjes së shënimit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit, dhe tani, sipas tij, për çfarëdo tradhtie që mund t'i bëhet Kosovës nga Hashim Thaçi, përgjegjësinë nuk do ta bartë më vetëm ai si person, por edhe PDK-ja dhe mbështetësit e tij, në Kosovë dhe në Shqipëri. "Nëse vërtet do të vijë deri te ndarja e shtetit tonë të brishtë, siç po pretendon tash e sa kohë presidenti kuisling dhe argati më besnik i Serbisë në 100 vjetshin që po jetojmë, atëherë nuk do mend se Kosova në vitin 2019 nuk po hynë në vitin e ditëlindjes së 11-të të Pavarësisë, por në vitin e parë të ndarjes, të shuarjes dhe të zhbërjes së shtetit dhe katastrofës sociale e politike, të cilës më nuk mund t'i parashihet efekti as përfundimi. Sinjalet e para për ta përkeqësuar situatën edhe ashtu të rëndë jo vetëm sociale, por edhe politike,me qëllim të hijezimit të tradhtisë që pritet t'i ndodhë shtetit të Kosovës, nga Hashim Thaçi & CO,vetëm sa kanë filluar me grevat e porositura në shëndetësi, në miniera, me paralajmërimin e grevave në arsim, etj., të cilat me vetë koordinimin konciz, po dëshmojnë se nuk janë krejt spontane, por të porositura për kamuflimin e tragjedisë që po i përgatitet Kosovës, në finalen e bisedimeve me Serbinë nga Hashim Thaçi me shokë", tha Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, sa më shumë që po afrohet afati i finalizimit të bisedimeve, gjasat për ta dërguar vendin para një kolapsi të përgjithshëm, nëse nuk arrihet me kohë, që nga Qeveria të adresohen me seriozitet shqetësimet e punonjësve të shëndetësisë, të arsimit, të minatorëve apo edhe të punëtorëve të tjerë që mund t'u bashkëngjiten grevistëve të deritashëm, po bëhen gjithnjë e më të mëdha.

"Sado që vërtet qytetarët janë lodhur e stërlodhur nga ky sundim i egër i oligarkisë politike, dhe nuk po mund të durojnë më tej,duke pasur parasysh arsyen shtesë se në koordinim me grevat e lartcekura, njëkohësisht po konfrontohemi edhe me lajmin e hidhur se sapo filloi edhe "mbushja e autobusëve" që sërish po ia mësyjnë Perëndimit, këto janë sinjalet më alarmante që po paralajmërojnë tragjedinë, e cila pikërisht në vitin e 11- të të Pavarësisë po i përgatitet Kosovës nga politikanët e shitur e tradhtar të saj. Politikanët aktualë, të kriminalizuar deri në fyt, në krye me krye kuislingun Hashim Thaçi, në koketim me mafinë politike e biznesore, po ua vrasin edhe shpresat e fundit të rinjve të Kosovës, të cilët, nëse për asgjë tjetër, atëherë për paralajmërimet e ndryshimit të kufijve dhe ndarjen e vendit, kanë më tepër arsye, se për çdo gjë tjetër, për të protestuar vërtet fuqishëm, deri në shkarkimin dhe dërgimin në burg të politikanëve të inkriminuar si në pozitë,ashtu edhe në opozitë, të cilët na kanë sjellë në këtë gjendje", potencoi analisti Qarri për "Kosova Sot".

Zeqa: Vala e re e ikjes kërcënon Kosovën 

"Të gjithë sundimtarët e paspavarësisë së 17 Shkurtit 2008 u pasuruan skajshmërisht mbi kurrizin e popullatës së varfër, nga hiçi brenda natës u shndërruan në milionerë, së fundmi nga haraçkërkues ilegalë u transformuan në zhvatës ilegalë të buxhetit të shtetit. Shkaku i kësaj situate, qytetarët e zhgënjyer në klasën politike, tërësisht të inkriminuar, 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës janë duke e pritur pa entuziazëm për festë me lajmet e përditshme për ndarje të pjesës veriore të Kosovës. Grevat e filluara në shëndetësi, në miniera, paralajmërimi i grevave në arsim, etj., janë duke e rënduar situatën deri në pikën e vlimit. Krejt papritmas, nga çasti në çast situata mund të eskalojë dhe vendi të gjendet para një kolapsi të përgjithshëm, nëse nuk adresohen me seriozitet shqetësimet e punonjësve të shëndetësisë, të arsimit, të minatorëve apo të punëtorëve të tjerë që mund t'u bashkëngjiten grevistëve të deritashëm kosovarë.

Çfarëdo që të ndodhë ditëve e javëve në vazhdim në Kosovë, është në suazat e normales, për shkak se qytetarët janë lodhur nga ky sundim i egër dhe barbarë i oligarkisë politike, në të dyja nivelet e qeverisjes, dhe nuk e kanë asnjë arsye të durojnë më kusarët politikë dhe bandat kriminale që ua bënë jetën ferr. Arsye shtesë dhe tepër e dhimbshme për të protestuar fuqishëm kundër pushtetarëve të kriminalizuar të lidhur me mafinë politike e biznesore, këtyre sundimtarëve të tërbuar pas pushtetit dhe parasë së pistë, është fakti kur çdo ditë po vazhdojmë të dëgjojmë lajmë për "mbushje autobusësh" me të rinj që ia mësyjnë Perëndimit.Vala e re ikjes së të rinjve nga Kosova, brenda pak muajsh mund ta lërë Kosovën të boshatisur dhe në gjendje mjeruese, pa rini dhe pa ardhmëri njëkohësisht. Prandaj, ka aq shumë arsye për të protestuar ndaj politikanëve te inkriminuar si në pozitë, ashtu edhe në opozitë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë komunal, që na kanë sjellë në këtë gjendje kaotike. Shteti i Kosovës, nga një shtet me perspektivë zhvillimore pas përfundimit të luftës, degradoi në një shtet mafioz, para ndarjes territoriale pas gati 11 vjet pavarësi, në një shtet ku po qe se nuk ke lidhje me politikën apo me klanet kriminale, mbijetesa në punë, biznes, e në çdo sektor është thuajse e pamundur!", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Haziri: Liderët e konsumuar, do të ketë edhe një valë të re të emigrimit 

Sipas analistit Arsim Haziri, pakënaqësitë për mënyrën dhe rrethanat e funksionimit të shtetit, gjithnjë janë në rritje, dhe kjo gjendje është shndërruar në krizë të madhe institucionale. "Tashmë politikën e udhëheqin të njëjtit liderë pothuaj dhe duke qenë politika brenda kësaj logjikë, vështirë e ka për t'u ndarë nga mënyra funksionuese. Ata sërish do të jenë brenda idesë së vjetër, pra të idesë për ta zvetënuar të përgjithshmen në interes të individuales, të idesë për ta minimizuar rolin e trupit publik në çështjet e tij. Kosova si për shoqërinë, ashtu edhe për ndërkombëtarët përfaqëson mendësinë e pandërgjegjshme dhe në asnjë mënyrë nuk mund të deklarohen të besueshme se kanë vizion për progres social e institucional. Vendi, duke qenë në mungesë të sferës së ekonomisë, do të ketë edhe një valë të re të emigrimit", tha Haziri për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)