Keqqeverisjet e rrënuan arsimin kosovar

  • 11 January 2019 - 07:48
Keqqeverisjet e rrënuan arsimin kosovar

Reformat joserioze nuk sollën asgjë pozitive

"Si rezultat i këtyre rrethanave të krijuara, shumë të rinj tanë më parë po zgjedhin që të mos shkojnë fare në fakultet, sepse atje po i zhvatin e nuk po u shërbejnë asgjë diplomat e fituara nëpër kolegjet private. Nuk duhet që të çuditemi që jemi të fundit në Evropë me testet e PISA-s, që e cilësojnë arsimin tonë më të dobëtin në rajon dhe në tërë Evropën", tha deputeti Salih Salihu për "Kosova Sot"

Njohës të rrethanave në arsim, analistë, deputetë të opozitës, si edhe qytetarët, njëzëri pajtohen se në Kosovën e pasluftës të gjithë ministrat e deritashëm të Arsimit kanë dështuar për të pasur reforma të vërteta, për ta ndryshuar rrënjësisht gjendjen e mjerë në këtë sferë. Sipas tyre, buxheti dedikuar arsimit vendor u zhvat vazhdimisht në emër të reformave në arsim, e në fakt pati vetëm politizim të arsimit e asnjëherë reforma të duhura për ta kapërcyer këtë gjendje. Eksperti i arsimit, Halim Hyseni, për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk ka asnjë dyshim se ministrat e deritashëm të Arsimit pas lufte kanë dështuar me reformat e vërteta në arsim, me synimin për ta ndryshuar këtë gjendje të mjerë."E tëra kjo çfarë po ndodh në sistemin arsimor të Kosovës është pasojë e ndërhyrjes flagrante të politikës në arsim, që nuk e ka synim ngritjen e cilësisë së arsimit dhe kjo po bëhet vetëm për përfitime materiale klienteliste të individëve dhe partive politike.

Sepse të ashtuquajturat reforma, që janë bërë nga buxheti dedikuar arsimit vendor, kanë shërbyer që të zhvatet buxheti vazhdimisht në emër të reformave në arsim, e në fakt pati vetëm politizim të arsimit e asnjëherë reforma të duhura për ta kapërcyer këtë gjendje, pasi që edhe më tej mbesin problemet e mëdha të Kurrikulës, e cila nuk po miratohet dhe që aplikohet që nga viti 2011, kur është bërë pilotimi i saj, por asnjë raport nuk e kemi për çështjen e saj", u shpreh ai. Pa ekspertë, nuk ka cilësi Analisti Shefik Shkodra, për gazetën "Kosova Sot", thotë se arsimi s'është për përfitime partiake - klanore. "Tekstet shkollore t'i bëjnë njerëzit që vërtet janë ekspertë dhe mund të kenë sukses në punën e tyre. Reformën në arsim nuk mund ta bëjnë njerëzit me kualifikim të mesëm, të dalë nga bankat shkollore, ose juristët, ekonomistët, etj., pa asnjë ditë përvojë në këtë fushë. Reforma në arsim vetëm emrin e ka pasur", u shpreh ai.

"Në arsim nuk mund të punojë secili që kryen studimet. Ata janë njerëz që e meritojnë, që e duan profesionin dhe i përkushtohen gjallërisht, si thuhet 'me mish e shpirt', ata që ia dinë rëndësinë. Më në fund, kur ministria i bën të gjitha punët, sjell rregullore duke respektuar ligjin dhe bën kontrollin apo mbikëqyrjen", theksoi Shkodra. Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu(PSD), për gazetën "Kosova Sot", thotë se në asnjë mënyrë nuk duhet që të çuditemi se përse e kemi këtë gjendje në arsimin kosovar. "Kjo ngase që nga paslufta nuk ka pasur reforma të mirëfillta që më në fund arsimi të futet në rrugën e drejtë. Edhe ato reforma që janë bërë ishin sa për sy e faqe dhe të njëjtat nuk u janë përshtatur arsimit dhe kushteve të bërjes së arsimin në Kosovës", vijoi më tej ai."Kjo ndodhi ngase këto reforma ishin fund e krye një kopje apo më mirë thënë një plagjiaturë e ndonjë vendi fqinj apo atyre të BE-së, që aspak nuk përkojnë me realitetin, kushtet ekonomike dhe nivelin e objekteve mësimore në Kosovë", ka thënë Salihu. Zhvatja e buxhetit Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer tej mase me reformat e bëra në arsimin e pasluftës në Kosovë. Qytetarët me të drejtë thonë se që nga paslufta e deri më sot buxheti dedikuar për arsimin kosovar u zhvat vazhdimisht në emër të reformave në arsim, e në fakt pati vetëm politizim të arsimit e asnjëherë reforma të duhura për ta kapërcyer këtë gjendje. Andaj, duhet thënë troç se arsimi në Kosovën e pasluftës u përdor vetëm për punësime partiake dhe familjare.

Qytetari Hakif Hamiti, nga Prishtina, për gazetën " Kosova Sot", thotë se atë që nuk e arriti Serbia që synim të saj primarë gjatë tërë okupimit e pati qëllim që ta shkatërrojë arsimin shqip në Kosovë dhe dështoi në tërësi, në veçanti gjatë dhjetët viteve të fundit të mësimit nëpër shtëpitë shkolla dhe fakultet shkolla, e arriti klasa jonë politike e pasluftës. "Ishin të gjithë ministrat e deritashëm të Arsimit, përfshirë edhe ministrin e tashëm, fajtorët që e shkatërruan arsimin shqip në emër të reformave që po i bëjnë në arsim. Ndërsa rezultatet e tyre dolën të jenë zero, ngase testet e PISA-s na treguan se e kemi sistemin arsimor më të dobëtin në rajon e më gjerë, të përafërt me shtetet e Afrikës. Andaj pa reforma të mirëfillta që do të përshtateshin kushteve materiale dhe objekteve mësimore të Kosovës nuk do të ketë reforma të arsimit në Kosovë", theksoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Ramadan Ferizi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se qëndron vlerësimi i ekspertëve të arsimit, por edhe i qytetarëve tanë që me të drejtë po thonë se që nga paslufta e deri më sot buxheti dedikuar për arsimin kosovar u zhvat vazhdimisht në emër të reformave në arsim, e në fakt pati vetëm politizim të arsimit e asnjëherë reforma të duhura për ta kapërcyer këtë gjendje. "Dhe si pasojë këtyre keqpërdorimeve e kemi cilësinë e arsimin më të dobëtën në rajon dhe në Evropë ", vlerësoi ai.

Klientelizmi e mbyti arsimin

"Nuk botohen tekste dhe libra me një treg liberal, ku do të shtohej konkurrenca dhe do të vinte në pyetje cilësia, sepse tash janë vetëm dy shtëpi botuese që e kanë këtë të drejtë ekskluzive, por që nuk garantojnë ndonjë cilësi. Pa tekste mësimore të cilësisë së mirë nuk mund të ketë zbatim të kornizës kurrikulare. Andaj, të gjitha këto mangësi, që janë bërë përmes të ashtuquajturave reforma, edhe kanë bërë që sistemi i arsimit në vend se të përparojë ai dita-ditës dhe nga viti në vit po degradohet dhe e them lirshëm se asnjëherë sistemi i arsimit nuk ka qenë në një gjendje më të keqe sesa që është sot në Kosovë. Ndërsa e tëra kjo situatë e brishtë është si rezultat i njerëzve që kanë punuar në arsim dhe që nuk e kanë në plan të parë interesin e përgjithshëm të shtetit e të arsimit, por i kanë pasur parasysh interesat e veta materiale dhe klienteliste dhe e tëra kjo ka ndodhur për shkak të politizimit dhe partizimit të sistemit të arsimit", tha Halim Hyseni për "Kosova Sot".

Politizimi i skajshëm

Analisti politik Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot" thotë se shkolla jonë, në të gjitha hallkat, ka nevojë për drejtues të aftë sot më tepër se kurrë."Këtë e diktojnë kushtet e zhvillimit, metodat dhe kurrikulat e reja mësimore të eksperimentuara dhe sanksionuara në sistemin tonë arsimor. Për të mos folur pastaj për pazaret dhe kompromiset, si dhe punësimet partiake dhe klanore, duke drejtuar politika edhe njerëzit që fare nuk i takojnë fushës pedagogjike e arsimore, që e cenon rëndë integritetin e arsimit të mbarë shoqërisë kosovare. Tani diplomimi i kohës së sotme është vetëm një letër dhe më tepër fare nuk reflekton si e arritur profesionale dhe gjithë kjo reflekton në gjendjen aktuale ku është sot arsimi, këta persona duke qenë nën mantelin partiak bëhen të paprekshëm, por edhe të dëmshëm për individët, kolektivin dhe shoqërinë, bëhen pengesë për realizimin me ritme të shpejta të reformës në të gjitha hallkat e shkollës sonë", potencoi ai.

(Kosova Sot)