Gjykata Kushtetuese shumë shpejt vendos për Prishtinën dhe pyetjen e Thaçit

  • 11 January 2019 - 16:04
Gjykata Kushtetuese shumë shpejt vendos për Prishtinën dhe pyetjen e Thaçit

Gjykata Kushtetuese së shpejti do të dalë me dy konstatime, për dy çështje, cilat për shumë kohë kanë mbetur pa përgjigje. E para, për zgjedhjet në Prishtinë; se a e ka fituar Shpend Ahmeti kryeqytetin pa dallavere. Dhe e dyta, a mund të vendos Hashim Thaçi për marrëveshje të jashtme, pa kaluar ato në Kuvend dhe a pa e pyetur askënd.

Shpend Ahmeti ka hyrë në vitin e dytë të mandatit të tij të ri në qeverisjen e Prishtinës, ndërsa akoma nuk është legjitimuar përfundimisht zgjedhja e tij si kryetar.

Edhe më tutje Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë me ndonjë konstatim nëse ka pasur ose jo parregullsi gjatë mbajtjes së balotazhit në dhjetor të 2017’ës, ku Ahmeti mposhti kundërkandidatin e tij, Arban Abrashin e LDK’së.

Media mëson nga burime të sigurta se Kushtetuesja tashmë e ka gati vendimin për Prishtinën. Gjatë janarit pritet publikimi i aktgjykimit të Gjykata Kushtetuese.

Gjykata me konstatimin e saj ia konfirmon Ahmetit mandatin e dytë, ose e çon kryeqytetin edhe njëherë në zgjedhje. 

Një çështje tjetër për të cilën pritet një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, është pyetja që Presidenti Thaçi i ka bërë asaj në muajin shtator të këtij viti.

Ai i ka kërkuar organit më të lartë juridik në vend, që të interpretojë nenin 18 të Kushtetutës së Kosovës , respektivisht pjesën e cila ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pyetja e Thaçit ishte kjo: A konsiderohen të ratifikuara marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga Presidenti, pa i çuar fare në Kuvend dhe pa miratimin e deputetëve me 2/3 e votave.

Sipas kësaj pyetjeje, Thaçi po i duhet konfirmim nëse ai mund ta anashkalojë tërësisht Kuvendit dhe të arrijë marrëveshje të jashtme, ashtu siç vendos vetë, pa pyetur askënd.

I duhet kjo përgjigje presidentit Thaçi, por të mos i dhënë më përgjegjësi askujt për marrëveshjet që ai arrin.

Gjykata Kushtetuese, sipas burimeve të medias, ka të gatshëm një interpretim për nenin 18 dhe pritet që atë t’ia japë presidentit gjatë këtij muaji.

Pyetja e presidentit ishte dërguar në kohën kur Presidenti Thaçi nuk kishte mbështetje të shumicës së grupeve parlamentar lidhur me arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Gjatë atyre muajve Thaçi fliste për marrëveshje të dhimbshme me Serbinë, ndërsa po promovonte fuqishëm idenë e korrigjimit të kufijve me shtetin serb, si mënyrën më të përshtatshme për të mbyllur konfliktin.

Opozita, po e shihte pyetjen e Thaçit si djallëzore dhe tentativë të tij për autokraci.

Ndërkaq për zgjedhjet në Prishtinë, në Gjykatën Kushtetuese ishte drejtuar ish-kandidati i LDK’së Arban Abrashi, i cili pretendon se Ahmeti e ka mposhtur me vjedhje të votave.

Shpend Ahmeti e kishte fituar garën në Prishtinë me 365 vota më shumë se Abrashi. 

(Kosova Sot)