MTI-ja në gjumë, oligarkët e naftës degradojnë tregun - Lajme - Kosova Sot
MTI-ja në gjumë, oligarkët e naftës degradojnë tregun

MTI-ja në gjumë, oligarkët e naftës degradojnë tregun

Mungesa e rregullatorit favorizon keqpërdorimet

"E kemi një gjendje të tillë kaotike, një laramani dhe një moment tjetër, ngjashmëri të çmimeve në tregun kosovar të derivateve, me fajin e institucioneve tona dhe të gjithë drejtuesve të gjertanishëm të MTI-së. E tëra kjo po ndodh me fajin dhe shtyrjet dhe arsyetimet e paqëndrueshme të të gjithë ministrave të deritashëm të kësaj ministrie, që e kanë bërë situatën kaotike në tregun e derivateve", u shpreh lideri i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB ), Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot"

Drejtues të Shoqatës së Naftëtarëve dhe AKB-së së Kosovës, deputetë dhe analistë të ekonomisë, njëzëri vlerësojnë se edhe në Kosovë ka ardhur koha të krijohet një mekanizëm si ZRRE-ja, që cakton çmimin e energjisë elektrike edhe për derivatet e naftës. Ndërkaq, sipas tyre, tërë këtë e imponon situata me çmimet shumë të larta të derivateve të naftës, që janë akoma në Kosovë, ndërkohë që çmimet e derivateve janë ulur tej mase në bursat botërore, gjë që tregon për një marrëveshje mes kompanive me bekimin e politikës, për të mbajtur çmimet e larta të naftës.

Analistët pyesin se përse shteti, përveç monopolit mbi 10-vjeçar të Devollëve, po lejon monopolet dhe marrëveshjet antiligjore mes kompanive, si ato të sigurimeve, ku në cilëndo kompani që shkon çmimet janë të njëjta. Sipas analistëve, ngjashëm ka ndodhur edhe me derivatet e naftës, ku çmimet ishin edhe të larta, por edhe të njëjta. Si shembull analistët e marrin Maqedoninë , ku shteti cakton çmimin e derivateve dhe kompanitë detyrohen që t'u përmbahen. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresat elektronike të zyrave për informim të MTI-së dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës për këtë çështje, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Kosova ta ketë rregullatorin e saj Ahmet Krasniqi, nënkryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, për gazetën "Kosova Sot", tha se si Autoritet Kosovar i Konkurrencës janë duke bërë hetime për këto çmime të larta të derivateve, që janë përafërsisht të njëjta."Andaj shumë shpejt pritet që të dalim me një qëndrim tonin", u shpreh ai.

"Në këto rrethana, në mënyrë që mos të ketë dyshime për marrëveshje të fshehta për çmime të përafërta në treg në mes të kompanive të derivateve do të ishte e udhës që edhe Kosova ta ketë rregullatorin që përcakton çmimet e derivateve në mënyrë që këto çmime të jenë të përafërta me rajonin", sugjeron Krasniqi. Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës , Enver Hoti (Nisma), për gazetën "Kosova Sot", thotë se pajtohet që ka ardhur koha që edhe Kosova të ketë rregullatorin që përcakton çmimet e derivateve të naftës.

"Themelimi i një rregullatori që do të caktonte këto çmime do të hiqte dyshimet që ka marrëveshje në mes të kompanive për çmime të përafërta, që si mundësi edhe mund të jetë kësisoj, sepse ka shumë kompani derivatesh që janë të afërta dhe madje ka edhe dyshime se janë bashkëpronarë apo aksionarë me pushtetarët."Këtu duhet shtruar pyetjen se përse shteti, përveç monopolit mbi 10 vjeçar të Devollëve, po lejon monopolet dhe marrëveshjet antiligjore mes kompanive, si ato të sigurimeve, pasi në cilëndo kompani që shkon çmimet janë të njëjta', theksoi Hoti. Shoqata kërkon hetime Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për gazetën "Kosova Sot", duke sqaruar se a duhet të krijohet një mekanizëm si ZRRE-ja që cakton çmimin e energjisë elektrike edhe për derivatet e naftës, sqaroi se Shoqata ka kërkuar që disa vjet që të krijohet Rregullatori për caktimin e çmimit të derivateve të naftës në rastin konkret, siç e kanë shtetet në regjion, sikurse që është Maqedonia.

"Në takimin që kohë më parë e kemi pasur me kryeministrin, Ramush Haradinaj, shoqata jonë, kemi kërkuar që të themelohet rregullatori që e përcakton çmimin e derivateve. Andaj ne besojmë dhe shpresojmë se kryeministri aktual së shpejti do të marrë ndonjë vendim që të themelohet Rregullatori që i përcakton çmimet e derivateve, me çka edhe ky sektor do të rregullohet e disiplinohet", potencoi ai."Kur bëhet fjalë për çmimet e larta të derivateve të naftës në Kosovë , ndërkohë që ato çmime uleshin në bursat botërore, kjo po tregon se ka pasur një marrëveshje në mes të kompanive me bekimin e politikës për të mbajtur çmimet e larta të naftës. Ndërsa sa u përket çmimeve në Kosovë, pasi ne nuk kemi rregullator të çmimeve, asnjë kompanie nuk mundesh t'ia imponosh çmimin", shpjegon më tej Berjani. Sipas tij, në regjion sot janë këto çmime: Shqipëri dizelli është 1.37 euro, kurse benzina-1.40 euro. Në Serbi dizelli është 1.36 euro, kurse benzina,1.28 euro. Në Kosovë dizelli është 1.10 euro, kurse benzina 1.11 euro. Por, Berjani thotë se e keqja është se në Kosovë po shiten derivate edhe me çmimin 0.96 centë. Por, kjo është shqetësuese se si mund të shiten me këto çmime kur marzha e fitimit bruto do të jetë 0.2 centë. "Andaj, mendoj se në këto pika ku shiten me këto çmime MTIja duhet që t'i kontrollojë sasinë dhe cilësinë dhe të hetojë se prej nga po vjen ai derivat", ka thënë ai.

Tregu në kaos Lideri i Aleancës Kosovare të Biznesit(AKB ), Agim Shahini, që për gazetën "Kosova Sot" tha se e kemi një gjendje të tillë kaotike dhe një laramani dhe një moment tjetër ngjashmërie të çmimeve në tregun kosovar të derivateve me fajin e institucioneve tona dhe të gjithë drejtuesve të gjertanishëm të MTI-së."E tëra kjo po ndodh me fajin, shtyrjet dhe arsyetimet e paqëndrueshme të të gjithë ministrave të deritashëm të kësaj ministrie, që e kanë bërë situatën kaotike në tregun e derivateve", u shpreh ai."Koha po na tregon se tashmë është momenti i fundit që edhe Kosova më në fund ta ketë Rregullatorin e çmimeve të derivateve të naftës ashtu si e kanë të gjitha shtetet rreth Kosovës", vlerësoi Shahini. Ndërsa afaristi i derivateve të naftës, Ramadan Maloku, pronar i kompanisë "Racional'Komerc", për gazetën "Kosova Sot" thotë se shteti i Kosovës ka nevojë imediate për themelimin e një rregullatori që e përcakton çmimin e derivateve të naftës."Kur e them këtë bazohen në faktin se që një dekadë jemi shtet i pavarur dhe jemi vendi i vetëm në regjion që akoma nuk ka rregullator që e përcakton çmimin e derivateve të naftës. Vetëm po qe se themelohet Rregullatori edhe në Kosovë mund të kemi çmime më të ulëta të derivateve të naftës në të kundërtën kam frikën se çmimet edhe më tej do të jenë të këtilla si janë", u shpreh ai.

700 milionë xhiroja vjetore 

Bankieri Milazim Abazi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se tregtimi i naftës dhe derivateve të saja është një ndër segmentet më të rëndësishme të ekonomisë së Kosovës. "Ky sektor ndikon mbi 10 për qind në krijimin e Bruto Produktit te Përgjithshëm të Kosovës, me një xhiro vjetore prej mbi 700 milionë euro, dhe paraqet segmentin kryesor kontribuues në buxhetin e Kosovës. Si i tillë ky sektor i ekonomisë është e domosdoshme që të ketë një autoritet rregullativ që do të merrej me licencimin dhe mbikëqyrjen e të gjithë operatorëve ekonomikë të këtij sektori. Autoriteti Rregullues do ta vinte në binarë normalë dhe ligjorë të funksionimit sektorin e derivateve të naftës dhe derivateve të saja, për të cilin sektor deri tash ka pasur shumë kritika", u shpreh ai.

Çmimin e caktojnë maifo-oligarkët 

Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot", thotë se duhet të krijohet një mekanizëm sikurse që është ZRRE-ja, sepse me themelimin e këtij mekanizmi do të ketë më shumë transparencë ndaj qytetarëve me çmimet e derivateve të naftës."Sikurse në Maqedoni duhet që edhe në Kosovë shteti të vendosë për çmimet, kurse ato biznese që nuk u përmbahen këtyre kushteve duhet që të gjobiten sipas ligjit. Për këto çmime tepër të larta dhe të njëjta të derivateve të naftës sikur po na tregon se këtu një rol të madh në përcaktimin e tyre po e luan edhe mafio-oligarkia dhe jo shteti, prandaj do të ishte shumë mirë që sa më shpejt të krijohet dhe themelohet një rregullator që e përcakton çmimin e derivateve, sikurse që është ZRRE-ja, që e cakton çmimin e energjisë elektrike", vlerësoi Grapci.

Sektori më i keqpërdorur 

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot", thotë se MTI-ja, e cila është përgjegjëse edhe për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës, duhet urgjentisht që të merret edhe me këtë sektor shumë të rëndësishëm, sepse ky është njëri prej sektorëve që nga paslufta, ku tregtia me naftën dhe derivatet e saja ka pasur keqpërdorimet më të mëdha në ekonominë e vendit."Jo vetëm që çmimi i derivateve është ndër më të lartit në rajon, por edhe cilësia dhe sasia e derivateve kanë qenë më të dobëtat në rajon. Çmimet e larta të derivateve të naftës do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në koston e secilit produkt që do të jenë më të lartë dhe do të ndikojë në xhepin e secilit konsumator të vendit", theksoi Neziraj.

(Kosova Sot)

16 orë e 36 minuta më parë
16/01/19