Qarri: Edi Rama ka kohë që me të drejtë akuzohet në Kosovë dhe në Shqipëri

  • 12 January 2019 - 13:20
Qarri: Edi Rama ka kohë që me të drejtë akuzohet në Kosovë dhe në Shqipëri

Analisti politik Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se refuzimi i miratimit të kandidaturës së Gent Cakaj për kryediplomat të Shqipërisë, nga presidenti Ilir Meta, jo vetëm se ishte plotësisht i argumentuar si përgjigje, por edhe një shuplakë e merituar për të gjithë ata, të cilët ka kohë që kërkojnë copëtimin e Kosovës."Nuk ishte Ilir Meta ai që e la pa postin në fjalë, buzëmbëlushin Cakaj, por vetë deklarata për 'korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi' u bë shkaku kryesor që të refuzohej kandidatura e tij për ministër të Jashtëm dhe kryediplomat të shtetit amë - Shqipërisë.

Kandidatura e vogëlushit të Baton Haxhiut u kritikua ashpër si e papranueshme, pothuajse nga të gjithë udhëheqësit dhe faktorët politikë, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Ndaj refuzimi i të preferuarit të UDB-ashit, Baton Haxhiut, nga z. Ilir Meta, për ministër të Jashtëm të Shqipërisë ishte vetëm shuplaka e munguar, në kërkim të së cilës edhe vetë Edi Rama si promotor i të gjitha të këqijve që po u ndodhin shqiptarëve kohët e fundit gjendet që nga viti 2016, kur ai bashkë me Aleksandër Vuçiqin aranzhoi edhe ndarjen e Kosovës në takimin që ata të dy e patën në Nish", vlerësoi ai.

"Për aq më tepër, shkaku i aventurave të tij të pamatura, Edi Rama ka kohë që me të drejtë akuzohet në Kosovë dhe në Shqipëri, si për idenë kuislinge të ndarjes së Kosovës, ashtu edhe për batonorgjinë e turpshme, e cila është kthyer në fyerje të padurueshme për dinjitetin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës, si dy shtete të pavarura e sovrane. Baton-orgjia e Edi Ramës ka shkuar aq larg saqë jo vetëm se nuk po mund të mbulohet më, as me miellin serb të cilin mafio-oligarkët Devolli me ndihmën e Baton Haxhiut importojnë nga Serbia në Shqipëri dhe Kosovë, duke rrezikuar me lejen e patolerueshme të të dy shteteve tona, jetën e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, por edhe për shqiptarët si një komb", tha Qarri për "Kosova Sot".

Sipas tij, shkaku i keqqeverisjes së Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, populli ynë nuk meriton që të tjerët të tallen me të, kinse shqiptarët nuk dinë as të bëjnë shtet dhe as të qeverisin veten, përderisa Edi Rama dhe Hashim Thaçi qeverisjen e shqiptarëve e kanë shndërruar në mafiobatardi dhe baton-orgji të turpshme.

Lexo edhe këtë: Refuzimi i Metës, shkatërrues për batonorgjinë e Ramës

(Kosova Sot)