Alarmante, bllokohen shkollat

  • 15 January 2019 - 07:37
Alarmante, bllokohen shkollat

Qarri: Habit fakti se si SBASHK-u nuk e ka parasysh cilësinë e dobët që mësimdhënësit e dëshmojnë në arsim dhe dëmin që po u shkaktojnë ata nxënësve e studentëve

"Greva e punëtorëve të arsimit në Kosovë, për më tepër, ka ardhur si reaksion ndaj rritjes së pagave të Qeverisë në mënyrë arbitrare, për interesa të kabinetit qeveritar, duke dyfishuar rrogën e kryeministrit dhe të këshilltarëve të Qeverisë, duke rritur edhe rrogat e ministrave e të zëvendëskryeministrave me 70-90%. Pra, është Qeveria ajo që u hapi rrugën grevave të përgjithshme jo vetëm në sektorin e arsimit, kur dihet fakti se një këshilltar i ulët i kryeministrit e ka rrogën sa të profesorëve të rregullt të Universitetit. Fillimi i grevës së përgjithshme në arsim shënon fillimin e përballjes së nivelit qeveritar me nivelin e arsimit, të këtyre dy niveleve diametralisht të kundërta, por që kanë diçka të përbashkët. E përbashkëta e tyre është se rrogat e qeveritarëve në Kosovë dhe të arsimtarëve në të gjitha nivelet e arsimit në Republikën tonë janë më të mëdha se rrogat e kolegëve të tyre në vendet fqinje! Arsyeja pse të gjitha vendet fqinje buxhetet i kanë më të mëdha se Kosova, ndërsa pagat i kanë më të vogla se në Kosovë, është se shtetet fqinje rritjet e pagave i bëjnë në përputhje me rritjen ekonomike, përkatësisht zhvillimin dhe ngritjen e bruto-produktit vendor", thotë për "Kosova Sot" analisti Florim Zeqa

Dita e hënë, 14 janar, sikur ishte paralajmëruar edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka filluar me grevën e përgjithshme në arsim në Kosovë, prandaj dyert e shkollave nuk janë hapur për nxënësit pas përfundimit të pushimit dimëror. SBASHK-u i ka lutur nxënësit e studentët, por edhe prindërit, për mirëkuptim për orët që do t'i humbin "ndoshta edhe me muaj", siç thuhet në kumtesën e saj, mirëpo analistët dhe njohësit e kësaj fushe nuk e shohin krejtësisht të drejtë një vendim të tillë, edhe pse pranohet që greva mund të jetë provokuar nga veprimi skandaloz i Qeverisë për t'ia rritur vetes pagat, duke anashkaluar kështu sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe shumë sektorë të tjerë me rëndësi vitale për zhvillimin dhe edukimin. Njohësit e kësaj fushe rikujtojnë herën e fundit kur shkollarët tanë i kanë humbur orët me muaj, e ajo ka qenë para njëzet vjetësh, në kulmin e luftës së agresorit serb kundër Kosovës, në vitin 1999, prandaj tërheqin vërejtjen edhe tek sindikatat, por edhe te Qeveria e Kosovës që një skenar i tillë të mos përsëritet tani, sepse vetë Qeveria ua hapi rrugën që të bëjnë edhe këso grevash dhe për këtë motiv ndikoi rritja e pagave nga ana e Qeverisë në mënyrë arbitrare, për interesa të kabinetit qeveritar, duke dyfishuar rrogën e kryeministrit dhe të këshilltarëve të Qeverisë, duke rritur edhe rrogat e ministrave e të zëvendëskryeministrave me 70-90%. Mirëpo, edhe kërkesat e SBASHK-ut për rritje të pagave për 30% nuk shihen krejt të arsyeshme, sepse shikuar realisht askush nuk e thotë se rrogat e qeveritarëve në Kosovë, por edhe të arsimtarëve në të gjitha nivelet e arsimit në Republikë, janë më të mëdha se rrogat e kolegëve të tyre në vendet fqinje, edhe përkundër faktit se në të gjitha vendet fqinje buxhetet i kanë më të mëdha se Kosova, por pagat i kanë më të vogla se në Kosovë. Prandaj, është koha e fundit që shoqëria e Kosovës të dalë prej apatisë që e ka kapluar dhe njerëzit duhet të kundërshtojnë katandisjen e shtetit.

Qeveria arbitrare injoroi sindikalistët Sipas analistes Liridona Bislimi, Qeveria ka pasur mjaft kohë për të reaguar dhe parandaluar këtë grevë, duke ndërhyrë për ta zgjidhur problemin, pasi që këshilli Drejtues i SBAShK-ut në mbledhjen e vet, të datës 10.01.2019, në mënyrë unanime ka marrë vendim që i tërë sistemi arsimor, duke i përfshirë çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, shkollat të mesme të larta dhe universitetet, të fillojnë grevën e përgjithshme nga data 14.01.2019, deri në realizimin e kërkesave legjitime, ku siç u tha prej tyre kjo grevë ka mundësi të zgjasë "ndoshta edhe me muaj", por nuk ka reaguar fare."Kujtojmë herën e fundit kur shkollarët tanë kanë humbur orët me muaj, ka qenë para njëzet vjetësh, në kulmin e luftës së agresionit serb kundër Kosovës, në vitin 1999. Siç duket, kjo gjë ka ardhur si pasojë e Qeverisë së Kosovës, e kryesuar nga Ramush Haradinaj, e cila në mënyrë arbitrare, thjesht për interesa të kabinetit qeveritar, ka dyfishuar rrogën e kryeministrit dhe të këshilltarëve të Qeverisë; ka rritur edhe rrogat ministrave e të zëvendëskryeministrave me 70-90%. Vetëm në shtetin e Kosovës ndodh që kryeministri merr gati 3000 euro në muaj, ndërsa këshilltarët e kanë tash rrogën sa të profesorëve të rregullt të universitetit", u shpreh ajo. "E duket se pikërisht ky vendim skandaloz i ka inkurajuar nga lakmia e Ramushit me shokë, që kanë në dorë thesarin e varfër të shtetit, ka shtuar natyrisht lakminë e të tjerëve që janë më larg tij, edhe të sindikalistëve të arsimit. Është për të ardhur keq kur e mendon se mësimdhënësit janë shtylla kryesore e shoqërisë, ndërsa paga e një zv.ministri është 3 herë më e madhe se paga e mësimdhënësit. Gjendja e arsimit në Kosovë në përgjithësi nuk është e mirë dhe duhet të kemi gradualisht rritje të cilësisë në arsim, pasi që arsimi mbi të gjitha është prioritet kombëtar dhe kohët e fundit ky prioritet është zbehur nga qeveritarët tanë, të cilët vëmendjen e tyre e kanë të përkushtuar vetëm karshi zhvillimeve politike, e nga kjo gjendje më së shumti po dëmtohet populli, me saktësisht rinia e shtetit tonë", vijoi më tutje Bislimi."Ndërsa paga e ministrit, deputetit dhe e kryeministrit është 4 respektivisht 6 herë më e madhe se paga në arsim dhe shëndetësi. Plus privilegjet tjera që gëzojnë politikanët, si: mëditjet, udhëtimet, ushqimin dhe pijet. Kjo gjendje dhe kjo politikë është diskriminuese dhe nënçmuese për arsimin dhe shëndetësinë e Kosovës. Më së shumti, ama më së shumti, më dhimbsen nxënësit, fëmijët tanë, të cilët i bartin pasojat e politikanëve të këqij, të cilët nuk marrin parasysh kërkesat që nga fillimi të SBASHK-ut, për rritjen me të drejtë të koeficientit të pagës për mësimdhënësit", tha Liridona Bislimi për "Kosova Sot".

Kelmendi: Nuk ka para për rritje 30 për qind Profesor Muhamet Kelmendi mendon se përpjekjet sindikale janë shumë të domosdoshme."Nuk dua të futem në mendjen e SBASHK-ut, sepse është e drejtë e tyre demonstrimi dhe protestat, por po futem në aspektin politik dhe të lëvizjes së çështjes. Një punë të tillë unë do ta kërkoja nga studentët dhe punëtorët në sektorin privat, ku jeta e tyre është skllavëruar dhe pasurimi i oligarkëve ka marrë përmasa të larta, deri edhe shkatërruese. Por të kthehem te struktura e të punësuarve në arsim. Mendoj se në kontekst të gjendjes ekonomike e sociale të ardhurat e tyre janë konform kësaj. Ndoshta duhet ndonjë përmirësim në disa nivele ose në formë lineare të rritjes, por jo në përmasat 30%. Kjo kërkesë në këtë përqindje i tejkalon mundësitë që i ka shteti i ynë. Po kështu, nuk jemi të kënaqur në atë nivel që duhet me punën në arsimin fillor dhe të mesëm, sidomos në atë të lartë, ku ka mjaft dobësi të mëdha. Ajo që është pozitive është fakti se me Projektligjin mbi të ardhurat personale në sektorin publik insistohet që të bëhet një balancim i të ardhurave në të gjitha nivelet", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

Qytetarët arsyetojnë grevistët Qeveria e Kosovës, MASHT-i dhe SBASHK-u, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara rreth kërkesave greviste dhe mënyrës për zgjidhjen e tyre. Qytetarët e anketuar, që njëkohësisht janë edhe prindër të nxënësve në nivele të ndryshme, theksojnë se kjo grevë nuk i është dashur Kosovës tani, por provokimi ka ardhur nga Qeveria, e cila ua hapi rrugën sindikatave të bëjnë edhe këso grevash. Një mendim të tillë e ndan edhe Hasim Canolli."Unë mendoj që greva nuk është dashur të mbahet hiç, por duke i shikuar rrethanat e tjera, se si po shkojnë punët, kur Qeveria ka mundur që t'i rrisë pagat e veta 100%, kurse arsimtarëve, mësuesve dhe profesorëve, por as doktorëve nuk po mund t'ua rrisë as 10%, atëherë edhe kjo protestë dhe kjo grevë arsyetohet, sepse përndryshe unë këtë grevë dhe këtë lloj proteste nuk do ta kisha përkrahur fare... Pra, kjo qeveri po e provokon vetë situatën, sepse deri më tani vetëm skandale ka bërë", theksoi Canolli për "Kosova Sot".

Edhe qytetari tjetër, Bahtir Gashi, tha për "Kosova Sot" se Qeveria duhet të ketë një trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve të arsimit, shëndetësisë dhe të minatorëve, shikuar realisht, krahasuar me nivelin e pagave që qeveria ka ngritur për vete. "Prandaj, nëse vërtet është konstatuar me të drejtë se ky sektor është diskriminuar në aspektin e trajtimit financiar edhe kjo grevë është e arsyeshme, por duhet të afatizohet dhe të kërkohet e të gjendet zgjidhja e pranueshme. Sidoqoftë, për ne si prindër, por edhe për nxënësit, vazhdimi i kësaj greve për kohë të gjatë është një humbje kohe, që ndoshta edhe nuk mund të kompensohet, prandaj duhet të reagojë sa më shpejt Qeveria, mbase brenda orësh, dhe të arrihet një marrëveshje e balancuar dhe e pranueshme për të gjitha palët", vlerësoi Gashi.

Mehmeti: Më shumë paguhet roja se mësuesi 

Analisti politik Faton Mehmeti mendon se, pavarësisht çmimit që do të paguhet nga humbja e orëve të mësimit për nxënësit, kërkesat e SBASHK-ut janë krejtësisht legjitime, derisa Qeveria arrogante vazhdoi pa asnjë fije turpi t'ia rrisë vetes pagat."Kjo me të drejtë ka nxitur reagimet e shumta të sindikatave, të cilat kërkojnë dinjitet. Derisa ka para për të bërë jetë luksi për zyrtarët e qeverisë, patjetër se ka buxhet edhe për shëndetësinë, minatorët , mësimdhënësit etj. Shihet qartë se kjo qeveri nuk punon për interesat e qytetarëve, por të saja, andaj edhe sindikatat kanë të drejtë që arrogancën e qeverisë ta kthejnë me greva. Dhe këto greva nuk duhet të ndalojnë derisa të realizohen kërkesat e tyre dhe derisa punëtorëve të shtetit t'u kthehet dinjiteti. Është krejtësisht anormale që të paguhet më shumë një roje e ministrit se një mësues. Kjo dëshmon se kjo qeveri s'ka synim të rrisë cilësinë në arsim, por ka synim vetëm të afrojë rreth vetes gangsterë që kur të vjen koha e zgjedhjeve të kërcënojnë njerëz për të marrë pushtetin", vlerësoi Mehmeti për "Kosova Sot"

 Zeqa: Dyfishimi i pagave në qeveri i frustroi arsimtarët

Analisti politik Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se greva e punëtorëve të arsimit në Kosovë, për më tepër, ka ardhur si reaksion ndaj rritjes së pagave të Qeverisë në mënyrë arbitrare, për interesa të kabinetit qeveritar, duke dyfishuar rrogën e kryeministrit dhe të këshilltarëve të Qeverisë, duke rritur edhe rrogat e ministrave e të zëvendëskryeministrave me 70-90%. "Pra, është Qeveria ajo që iu hapi rrugën grevave të përgjithshme jo vetëm në sektorin e arsimit, kur dihet fakti se një këshilltar i ulët i kryeministrit e ka rrogën sa të profesorëve të rregullt të Universitetit. Fillimi i grevës së përgjithshme në arsim shënon fillimin e përballjes së nivelit qeveritar me nivelin e arsimit, të këtyre dy niveleve diametralisht të kundërta, por që kanë diçka të përbashkët. E përbashkëta e tyre është se rrogat e qeveritarëve në Kosovë dhe të arsimtarëve në të gjitha nivelet e arsimit në Republikën tonë janë më të mëdha se rrogat e kolegëve të tyre në vendet fqinje! Arsyeja pse të gjitha vendet fqinje buxhetet i kanë më të mëdha se Kosova, ndërsa pagat i kanë më të vogla se në Kosovë, është se shtetet fqinje rritjet e pagave i bëjnë në përputhje me rritjen ekonomike, përkatësisht zhvillimin dhe ngritjen e bruto-produktit vendor", u shpreh ai. "Deklarimet e SBASHK-ut, që greva do të jetë më e gjatë se herëve tjera, e cila siç thonë ata mund të zgjasë me muaj, është një presion i drejtpërdrejtë mbi Qeverinë dhe ngacmim i institucioneve tjera për bashkëngjitje në grevë. Duke marrë parasysh buxhetin e varfërisë dhe numrin e madh të punonjëseve arsimorë në Republikën e Kosovës, kërkesa e SBASHK-ut për rritje të pagave për 30% do ta gjunjëzojë qeverinë 'Haradinaj'! Ndalja e grevës së SBASHK-ut mund të vijë vetëm përmes një zgjidhje kompromisi me Qeverinë, e jo si rezultat i përmbushjes së kërkesës për rritje prej 30 %, për shkak të kapaciteteve të limituara buxhetore të Qeverisë", vijoi më tej Zeqa."Nga e gjithë kjo lojë me greva e ngritje pagash, me shifra e përqindje, më të dëmtuarit do të dalin nxënësit kosovarë, edhe ashtu me jetë të rënduar nga kriza e përgjithshme sociale, e cila ka goditur çdo të tretën familje në Kosovë", tha Zeqa për "Kosova Sot"

Qarri: Punëtorët e arsimit marrin pagat më të larta në rajon, ndërkaq niveli i arsimit vazhdon të mbetet më i ulëti 

Sipas analistit politik Gani Qarri, në çdo shoqëri çelësi i suksesit dhe përparimit është arsimimi cilësor dhe niveli i lartë i edukimit, ndaj çdo shtet përpiqet që krahas investimit sa më të madh financiar të inkorporojë edhe sa më shumë profesionistë të dëshmuar në këtë lami, duke pasur parasysh se fusha e arsimit është ndër komponentët më të rëndësishëm për të ecur vendi përpara. Mirëpo, kjo nuk po ndodh në shtetin e Kosovës."Kurse sa i takon Kosovës, përkundër faktit që punëtorët e arsimit marrin pothuajse pagat më të larta nga të gjitha shtetet përreth, niveli i arsimit vazhdon të mbetet më i ulëti në rajon dhe që lë shumë për të dëshiruar. Kjo është dëshmuar disa herë, madje na ka nxjerrë ndër më të dobëtit edhe në testet e njohura si PISA! Megjithatë, e ashtuquajtura "Sindikatë e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës", e cila nuk u dëgjua asnjëherë t'u bëjë thirrje mësuesve dhe profesorëve për një arsimim më cilësor, me vënien në pah edhe të koncesioneve për mospunë, ajo sipas porosive politike nga e hëna, më 14 janar 2019, ka shpallur edhe nisjen e grevës së përgjithshme në arsim, sikur në Kosovë të mbretëronte gjendje lufte. Për aq më tepër, po kjo sindikatë famoze tallet jo vetëm me nxënësit e studentët, por edhe me prindërit e tyre, duke bërë sikur kërkon edhe mirëkuptim për orët që do t'i humbin 'ndoshta edhe me muaj', sikur të kishte shpërthyer lufta në Kosovë", u shpreh ai."E përderisa hera e fundit kur shkollarët tanë kanë humbur orët me muaj ka ndodhur para njëzet vjetësh, pra në kulmin e luftës dhe agresionit serb kundër Kosovës, në vitin 1999. Sot as nga i ashtuquajturi SBASHK vitet e atëhershme nuk mund të krahasohen me gjendjen e tanishme, kur mësuesit tanë punojnë më së paku, por marrin pagat më të larta në rajon dhe vendi jeton në liri. Megjithëse rritja e pagave të Qeverisë në mënyrë arbitrare, dyfishimi i rrogës së kryeministrit dhe të këshilltarëve të Qeverisë, si dhe rritja e rrogave të ministrave e të zëvendëskryeministrave me 70-90%, mund t'i ketë hapur rrugën SBASHK-ut që të kërkojë rritje te pagave për 30%, habit fakti se si SBASHK-u nuk e ka parasysh cilësinë e dobët që mësimdhënësit e dëshmojnë në arsim dhe dëmin që po u shkaktojnë ata nxënësve e studentëve, por vetëm interesat e tyre vetjake. Madje siç u tha para pak kohësh edhe publikisht, niveli i dijes për 12 vite shkollim për nxënësit e Kosovës llogaritet me vetëm 7.5 vjet, krahasuar me nivelin evropian të arsimimit. Por, përkundër të gjithave, njëjtë si rrogat e qeveritarëve në Kosovë, ashtu edhe ato të arsimtarëve në të gjitha nivelet e arsimit në Republikë, janë më të mëdha se rrogat e kolegëve të tyre në të gjitha vendet fqinje", potencoi Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, Ministria e Arsimit përfundimisht duhet të vetëpastrohet dhe të projektojë një plan konkret edhe për ngritjen e cilësisë në arsim, që të mos dëmtohen edhe më rëndë nxënësit kosovarë me vendime të papërgjegjshme të SBASHK-ut.

Hyseni: Vendi në prag të tragjedisë 

Sipas ekspertit të fushës së arsimit, Halim Hyseni, përgjegjësia për degradimin e arsimit në Kosovë, tani edhe me këtë grevën e fundit, bie mbi të gjitha institucionet, pa e përjashtuar tani edhe Sindikatën e Arsimit."Ky vendim skandaloz dhe i turpshëm, tërësisht imoral dhe i papërgjegjshëm, do të jetë me pasoja më fatale se viti shkollor 1991-1992, sepse në atë kohë personeli mësimor atdhedashës pranoi të punojë pa para dhe me rreziqe të mëdha jetësore. Do të jetë më fatal, sepse nëse ndodh kështu, siç deklarohet, ky vit shkollor shpallet NUL- inekzistent. Nëse kjo ndodhë, kjo do të jetë një tragjedi kombëtare. Është momenti i fundit të ndahet shapi nga sheqeri. Kryetari i Sindikatës me letrën dërguar nxënësve dhe prindërve ka treguar se nuk është i denjë për atë post, sepse kërkon që për interesa meskine personale prindërit dhe nxënësit të sakrifikojnë të ardhmen e tyre. Tani dikush për një vendim irracional duhet të marrë përgjegjësi: SBASHK-u apo QEVERIA. Qeveria është po ashtu përgjegjëse për shkak të pazareve joparimore me këtë sindikatë", tha njohësi i fushës së arsimit në Kosovës, Halim Hyseni

(Kosova Sot)