Prostitucioni vlon me "lejen" e bosëve të politikës

  • 15 January 2019 - 07:53
Prostitucioni vlon me

Policia: Ndër lokalet e kontrolluara është bërë edhe kontrollimi i "salloneve të masazhit"

"Këto prostituta pranojnë transfere parash nga vende të Lindjes së Mesme, apo të Gjirit, si Kuvajti, Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara. Këto prostituta të sofistikuara, që i shohim çdo ditë në rrjetet sociale, ku i ekspozojnë pasuritë pafund, realisht janë edhe nën mbrojtjen e pushtetarëve, pasi deri më tash nuk është marrë asnjë veprim nga organet e drejtësisë, edhe pse i kanë informacionet", thotë analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit janë shumë kritikë në funksionimin e drejtësisë kosovare, sidomos kur është çështja e trafikimi me qenie njerëzore dhe prostitucioni, i cili po zhvillohet në mënyrë gjysmë legale, sepse pikërisht në këtë fushë veprimi dhe luftimi si fenomen nuk ka raportime transparente dhe të arsyetuara për opinionin publik. Sipas analistëve, për këtë dobësi, apo thënë mosveprim, përgjegjësi mban edhe policia, por dhe prokuroria, që ende nuk kanë hapur asnjë rast të prostitucionit të sofistikuar, ku këto vajza të reja i shohim çdo ditë në rrjetet sociale, sidomos në 'Instagram', ku shfaqin jetën e tyre plot shkëlqim dhe luks, duke hedhur foto nga vendet më të lakmuara për pushime, me makina, celularë, veshje dhe bizhuteri luksi, të cilat nuk ia ka blerë as babai, as vëllai, as i fejuari dhe aq më pak t'i kenë blerë vetë…, sepse janë të papuna!

Prandaj, analistët dhe njohësit e kësaj fushe thonë se mbetet shqetësim serioz moszbulimi se si kryhen shërbimet e prostitucionit, kur dihet se në aeroportin e destinacionit këto prostituta të sofistikuara i pret "porositësi", i cili nuk është një klient i rëndomtë, por person me të ardhura të mira financiare, aq sa mund të përballojë shpenzime të mëdha për udhëtimin, shopping, shëtitje, si edhe pagesa cash ndaj vajzës. Mbetet akoma enigmë e pashpjegueshme nga institucionet e ndjekjes dhe zbulimit se pranojnë këto prostituta transfere parash nga vende të "çuditshme", me të cilat Kosovën nuk e lidhin raporte familjare apo biznesi,e që kryesisht janë edhe vende të Lindjes së Mesme apo të gjirit, si Kuvajti, Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara Arabe!

Analistët shtrojnë pyetjen se si përveç vendit jo të zakonshëm të origjinës prej nga vijnë paratë, këto transfere janë të çuditshme edhe për faktin se marrësi, në rastin konkret marrësja, është e një moshe shumë të re, çka e bën të pamundur një raport pune aq larg dhe në atë moshë, duke të bërë të dyshosh për qëllimin e pagesës. Këtu edhe lind dyshimi se këto janë prostituta të sofistikuara, që i shohim çdo ditë në rrjetet sociale, ku ekspozojnë pasuritë pa fund, realisht edhe nën mbrojtjen e pushtetarëve, pasi që deri më sot asnjë veprim nuk është marrë nga organet e drejtësisë, edhe pse i kanë informacionet. Policia kontrolloi lokalet e masazhit Nga ana e prokurorisë nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditë së djeshme, derisa nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës kanë shpjeguar procedurat e trajtimit të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore, duke thënë se në këtë aspekt është një lidhje zinxhirore e bashkëpunimit institucional dhe gjatë vitit që mbeti pas policia ka pasur disa intervenime të suksesshme në ndjekjen e rasteve të trafikimit dhe të prostitucionit në vend, por nuk kanë dhënë detaje dhe informacione konkrete

."Trajtimi i të gjitha rasteve të trafikimit me qenie njerëzore është i rregulluar dhe bazohet në ligje dhe akte tjera nënligjore, të cilat parashohin bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional. "Strehimorja e sigurt që bën strehimin e viktimave të trafikimit është njëra nga partneret kryesore që ne bashkëpunojmë. Bashkëpunimi bëhet në referimin e viktimave, ofrimin e sigurisë, marrjen e shërbimeve të nevojshme dhe çështje të tjera që parashihen me procedurë standarde të operimit. Pas identifikimit të një viktime të trafikimit bëhet vlerësimi i rrezikut edhe nga institucionet përkatëse, QPS, nëse është i/e mitur bëhen një vlerësim dhe vendoset në interesin me të lartë të viktimës", thuhet në përgjigje.

"Nëse vlerësohet e nevojshme bëhet strehimi, apo kthimi në familje, varësisht nga rrethanat që paraqet rasti. Gjatë vitit 2018, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), me qëllim të parandalimit të veprimeve kriminale, me theks të veçantë parandalimin e trafikimit me njerëz, mbrojtjen e viktimave dhe hetimin e rasteve të trafikimit apo edhe rasteve tjera që ndërlidhen me trafikimin me njerëz, ka zhvilluar disa veprime operative hetimore, ndër të tjera edhe kontrollimin e lokaleve apo vendeve tjera, ku është dyshuar apo ka pasur prova se mund të jenë objekte të ushtrimit të veprimtarisë së paligjshme apo edhe të shfrytëzimit të viktimave të trafikimit. Ndër lokalet e kontrolluara është bërë edhe kontrollimi i "salloneve të masazhit". Të gjitha këto kontrolle janë marrë me iniciativë të Policisë së Kosovës, përkatësisht (DHTQNJ-së), e që në disa raste jemi mbështetur edhe nga inspektorët e ndryshëm, qofshin ata të ATK-së, të punës, komunalë dhe të tjerë", thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Aliu: Policia dhe prokuroria ende nuk kanë hapur asnjë rast të prostitucionit të sofistikuar 

Edhe sipas analistit Bislim Aliu, institucionet nuk po e bëjnë punën e duhur sa i takon mënyrës së sofistikuar të zhvillimit të prostitucionit, sepse nuk ka informata të mjaftueshme dhe transparencë për opinionin publik."Policia dhe prokuroria ende nuk kanë hapur asnjë rast të prostitucionit të sofistikuar, ku figura publike, si modele, ish-misse, apo moderatore etj., të cilat i shohim çdo ditë, por edhe në rrjetet sociale, sidomos në 'Instagram'. Realisht nuk deklarohen si prostituta, ndërkaq në rrjetet sociale shfaqin jetën e tyre plot shkëlqim dhe luks, duke hedhur foto nga vendet e lakmuara për pushime, me luks, me makina, celularë, veshje dhe bizhuteri të shumta, të cilat nuk ia kanë blerë as babai, as vëllai, as i fejuari dhe aq më pak t'i kenë blerë vetë..." , vlerëson Aliu për "Kosova Sot". "Shërbimet e prostitucionit kryhen në aeroportin e destinacionit, ku prostitutat e sofistikuara i pret "porositësi", i cili sigurisht nuk është klient i rëndomtë, por person me të ardhura të majme financiare, aq sa mund të përballojë shpenzimet e mëdha, për udhëtimin, shopingun, shëtitjet, si dhe pagesa kesh ndaj vajzës. Këto prostituta pranojnë transfere parash nga vendet e "çuditshme, me të cilat Kosovën nuk e lidhin raportet familjare as biznesi. Kryesisht janë vende të Lindjes së Mesme, apo të Gjirit, si Kuvajti, Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara. Këto prostituta të sofistikuara, që i shohim çdo ditë në rrjetet sociale, ku i ekspozojnë pasuritë pafund, realisht janë edhe nën mbrojtjen e pushtetarëve, pasi që deri më tash nuk është marrë asnjë veprim nga organet e drejtësisë, edhe pse i kanë informacionet", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot".

Badallaj: Organet e drejtësisë veprojnë sipas urdhrave të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale

Sipas analistit Reshat Badallaj, është shumë e natyrshme për të kuptuar se policia, prokuroria, pa më të voglin dyshim, janë të ndikuara politikisht nga bandat më të rrezikshme në tërë Ballkanin."Janë pikërisht këta kurva të figurave publike, pra që nga presidenca, që kanë kurvat e tyre deri në Amerikë, Qeveria kuislinge, Kuvendi rrugaçësh e vagabondësh, e deri te kurvat e kurvarët të bandave politike", tha Badallaj. Sipas tij, kjo është arsyeja pse nuk vepron si e sa duhet as policia, as prokuroria e as gjykatat, që nuk janë transparente me publikun."Dhe, këta nuk kuptojnë gjuhë tjetër pos kësaj. Në fund të fundit, kjo është përmendur publikisht nga disa deputetë i thënçin dhe nga disa prostituta ose si i quaj unë " KURVA" dhe a ka kuptim të mendojë dikush se nuk i di policia ose prokuroria dhe është shumë me vend të vihet në spikamë të paktën kjo dukuri. Por, kur në krye të shtetit janë banditët dhe vagabondët që shajnë publikisht në gra e në nënë organet shtetërore, prandaj si ka mundësi kjo të hetohet", theksoi Badallaj për "Kosova Sot". "Nga anët tona thuhet kur i zoti i shtëpisë është KURVAR ajo shtëpi duhet lëçitur, se janë të gjithë fund e krye njësoj, prandaj kur tirani dhe despoti është në krye të shtetit te ne, atëherë është e kuptueshme se e tërë banda që është afër tij janë të njëjtit langonj dhe zagare që vrapojnë pas shtratit të huaj. Më parë e dëgjojnë hallku se ata vetë, prandaj do të ishte mirë të kontrollojnë edhe nga oborri i tyre", tha Reshat Badallaj. "Nuk ka në Kosovë organe të drejtësisë, ata që mendojnë se ka, mashtrohen keq. Në fakt ka organe të drejtësisë, por që nuk veprojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës, ose që kanë dhënë betimin, por veprojnë sipas urdhrave të bandave më të rrezikshme dhe mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale", tha Badallaj për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)